25.6 C
Prizren
E shtunë, 21 Qershor, 2025

Prizren: Në shkollën e Mushnikovës drejtori bën si do vetë

Prizren-MushnikovaBanorët e Mushnikovës së Prizrenit kanë raportuar në KALLXO.com se shkollën fillore që po ashtu mban emrin e këtij fshati që 12 vjet e drejton Sedat Bajrami, i cili nuk ka të kryer fakultet.

Këtë e tregon edhe vetë Bajrami.

“Jo, unë po mendoj, si drejtor jam pranuar me shkollën e lartë”, thotë ai.

Sipas tij disa herë është hapur konkurs për vendin e tij të punës, por se asnjë kundërkandidat nuk është paraqitur.

“Nuk është faji jem që askush nuk ka apliku”, thotë drejtori i Mushnikovës.

Këtë e konfirmon edhe Nexhat Çoçaj, drejtor për Arsim në Komunën e Prizrenit.

Sipas tij ka pesë vjet që hapet konkursi për drejtor në shkollën e Mushnikovës, mirëpo nuk ka kundërkandidat, si rezultat i kësaj Sedat Bajrami me shkollë të lartë ka mbetur ushtrues detyre i drejtorit në këtë shkollë.

Ndërkohë Bajrami e pranon se është pjesë e partisë që mban pushtetin në Komunën e Prizrenit

“Po unë jam në PDK”, thotë Bajrami.

Përveç që e kanë drejtorin pa fakultet, banorët e këtij fshati kanë raportuar në KALLXO.com edhe për keqpërdorim të orëve të mësimit.

Që nga viti 2012, atëherë kur një mësimdhënëse ishte larguar nga shkolla e Mushnikovës, vend i saj nuk është hapur si pozitë e lirë, mirëpo me klasën ka punuar vetë drejtori Sedat Bajrami.

Drejtori Komunal i Arsimit, thotë se në rastet kur shkollat kanë më pak se 250 nxënës, drejtori është i obliguar që të mbajë edhe orë shtesë. Sipas Çoçajt, Mushnikova në këtë rast ka 235 nxënës.

“Ata drejtorë të shkollave të cilat kanë më pak se 250 nxënës, me ligj obligohen të mbajnë edhe orë shtesë, përkatësisht gjysmë norme mësimore, deri në 10 orë”, thotë Çoçaj.

Mirëpo, edhe përkundër obligimeve ligjore për normë shtesë të orëve, në pasqyrat financiare, në muajin maj të vitit 2013 figuron se drejtori Sedat Bajrami, kishte pranuar 1, 274, 17 euro, si kompensim për këto orë të mbajtura gjatë një viti.

“Honorarin e ka marrë për vitin shkollor 2012- 2013, sepse në atë kohë (shkolla) i ka pasur 250 nxënës”, thotë drejtori i arsimit, që po ashtu është pjesë e PDK-së.

Një ankesë tjetër e prindërve të fëmijëve që shkollohen në Mushnikovë, është se as këto orë drejtori nuk i mban me rregull, por zëvendësohet nga mësuesja e parafillorëve.

“Ajo ka qenë një marrëveshje midis mësueses dhe drejtorit, kur kam qenë nëpër mbledhje dhe kur kam pas mysafirë, normalisht që ajo më ka zëvendësu”, thotë Bajrami.

Të njëjtat fjalë i thotë edhe mësuesja Servete Elezkurtaj.

“Në klasën e dytë unë zakonisht nuk po mbaj mësim, mirëpo kam mbajtur mësim më herët derisa drejtori e ka pasë klasën e parë dhe drejtori ka qenë si kandidat për asamble. Aty kam qenë e angazhuar vetëm për orët e gjuhës shqipe, meqenëse unë jam arsimtare e gjuhës shqipe, kam pranue si ndihmë drejtorit, për këtë nuk kam marrë asgjë, nuk jam pagu”, thotë Elezkurtaj.

Ajo thotë ta ketë bërë këtë në të mirë të fëmijëve, ndërsa mohon që vazhdon ta zëvendësojë drejtorin në orët e mësimit që ai ka obligim.

“Jo unë tani kam klasën time, klasën përgatitore, punoj me klasën përgatitore nuk kam klasë tjetër, asnjëherë nuk shkoj”, thotë ajo.

Por ndryshe nga drejtori dhe mësuesja, thonë prindërit e nxënësve.

“Mësimin e jep, qysh po thotë çika njëherë mësuesja Servete, e cila është për parafillorë, më vonë edhe mësuesi Sedati. Sot më duket se ka pasë edhe mësuesen Ifete, domethënë i ndërrohen, një ditë njëri, ditën tjetër tjetri. Po kjo normal që është problem për fëmijën sepse duhet me pas mësuesin e vet që e përcjell për katër vjet edhe ajo është në interes të fëmijëve”, tha Adem Rama që ka vajzën në klasën e dytë në shkollën Mushnikovë.

Sipas Ramës, ky problem e përcjell vajzën e tij që nga klasa e parë.

“Porosi e jemja si prind është që sa më shpejt të vijë një mësues, ose mësuese për të katërtat vite, domethënë deri në klasën e katërt”, tha Rama.

Edhe Shemsid Veliji që e ka motrën në klasën e dytë rrëfen të njëjtën gjë.

“E kam motrën e vogël Shakira Veliji që shkon në klasën e dytë në shkollën ‘Mushnikova’ në Mushnikovë, e mëson atë Sedat Bajrami edhe një Servete Elezkurtaj më duket e ka mbiemrin. Edhe e kam vërejtë që nuk i mësojnë bash mirë, se kur i ndërrojnë dy mësues nuk mujn me ditë se sa mësojn ata fëmijë. Çdo ditë është qashtu, njëri e mëson prej orës shtatë e gjysmë deri në nëntë, e pastaj drejtori më duket fillon”, tha Veliji.

Drejtori komunal Nexhat Çoçaj, tha se për herë të parë po dëgjon se orët në shkollën e Mushnikovës, krahas drejtorit po i mban edhe një mësuese.

“Meqë po e dëgjoj këtë për herë të parë, ne do ta formojmë një komision, do të shkojmë edhe do të bisedojmë edhe me prindërit edhe me mësimdhënësen edhe do ta verifikojmë këtë çështje, por unë për herë të parë po dëgjoj për këtë ndodhi, duke e ditur se drejtori mban orë në bazë të obligimit me ligj, tha Çoçaj.

Ai u zotua se nëse është kështu do të marrë masa, po ashtu njoftoi se konkursi për pozitën e drejtorit në shkollën fillore në Mushnikovë do të hapet sërish në muajin nëntor të këtij viti. /Kallxo.com/

Më Shumë

Malisheva Urbane drejt përfundimit: Projekti i Sheshit të Dëshmorëve në fazën finale

Malisheva po përjeton një transformim të madh urban, me projektin më të madh infrastrukturor në historinë e saj – ndërtimin e Sheshit të Dëshmorëve...

Dështon edhe përpjekja e 32-të e konstituimit të Kuvendit të Kosovës

Deputetët vazhdojnë të dështojnë ta konstituojnë përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës edhe katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit,...

Lajmet e Fundit