7.8 C
Prizren
E martë, 26 Nëntor, 2024

Prizreni ende nuk i ka funksionalizuar kamerat vëzhguese të sigurisë

Kamerat vëzhguese të sigurisë në Prizren nuk funksionojnë prej vitesh, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të organeve ligjzbatuese për jetësimin e një projekti të tillë. Përpjekjet e deritanishme të Komunës së Prizrenit për kontraktimin e një operatori për vendosjen e kamerave të reja dhe mirëmbajtjen e atyre ekzistuese deri më tani nuk kanë dhënë rezultate.

Komuna ka shpallur tenderin dhe pas zhvillimit të procedurave muaj më parë ka publikuar njoftimin për anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit, por pas ankesës së një operatori ekonomik, Organi Shqyrtues i Prokurimit e ka kthyer lëndën në rivlerësim.

Nevojën për funksionalizimin e sistemit të vëzhgimit në rrugët kryesore të Prizrenit përmes kamerave të sigurisë e ka paraqitur komandanti i Stacionit policor në këtë qytet, Qamil Kroni, gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.

“Kërkesa e Stacionit të Policisë në Prizren ka qenë e kahershme dhe vazhdon të jetë e njëjtë, pra është që kamerat vëzhguese të sigurisë në qytet të funksionalizohen”, ka thënë Kroni.

Ndërsa drejtori për Emergjenca dhe Siguri në Komunën e Prizrenit, Faruk Dakaj, gjatë mbledhjes ka njoftuar të pranishmit se aktiviteti i prokurimit për vendosjen dhe mirëmbajtjen e kamerave është iniciuar dy herë, vitin e shkuar dhe në këtë vit.

“Në të dyja rastet operatorët që kanë ofertuar në këtë projekt nga Zyra e Prokurimit ose më saktë nga komisioni përkatës janë shpallur të papërgjegjshëm me ofertat e tyre. Tani kemi një vendim nga ana e OSHP-së, ku nga ky organ është kërkuar që të rivlerësohet edhe një herë lënda”, ka thënë Dakaj, duke shtuar se pritet të merret një vendim tjetër nga Komisioni ose Zyra e Prokurimit dhe të shihet nëse do të ketë ankesa shtesë edhe për këtë vendim.

“E di që është çështje që ka zgjatur shumë, por në të dyja rastet ka qenë problematike, për shkak se ofertat e operatorëve ose nuk kanë pasur dokumentacion të nevojshëm, ose nuk kanë mundur t’i plotësojnë kushtet që janë kërkuar”, ka deklaruar Dakaj.

Ditë më parë OSHP-ja ka publikuar vendimin e saj për anulimin e njoftimit të Komunës së Prizrenit për anulimin e aktivitetit të prokurimit “vendosja e kamerave dhe mirëmbajtja e tyre në qytetin e Prizrenit”. “Lënda kthehet në rivlerësim”, shkruan në vendim, ku paraprakisht sqarohet se ankesa e operatorit “IT Market” është aprovuar si pjesërisht e bazuar.

Pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore dhe shqyrtimit të shkresave të lëndës, konsideron se Komuna e Prizrenit e ka anuluar këtë aktivitet të prokurimit në kundërshtim me nenin 62 të Ligjit për Prokurimin Publik (LPP), për shkak se gjatë procesit të ekzaminimit, krahasimit dhe vlerësimit të ofertave është dashur të kërkojë sqarime shtesë. Andaj obligohet Komuna e Prizrenit që gjatë rivlerësimit të kërkojë sqarime shtesë konform nenit 59.2 dhe 72 të LPP-së dhe pastaj të bëjë vlerësimin, ekzaminimin dhe krahasimin e tenderëve në harmoni me kërkesat e dosjes së tenderit dhe nenit 59 të LPP-së”, thuhet në arsyetimin e vendimit.

Mungesa dhe mosfunksionimi i kamerave vëzhguese të sigurisë në hapësirat publike në fillim të këtij viti ishte theksuar si sfidë e rëndësishme për hetimin dhe zbulimin e veprave penale nga ana e organeve ligjzbatuese në Komunën e Prizrenit. Në anën tjetër, drejtuesit e Komunës së Prizrenit asokohe patën theksuar se do të angazhohen që brenda vitit ta realizojnë projektin e vendosjes dhe mirëmbajtjes së kamerave vëzhguese të sigurisë.

Rrugët e sheshet kryesore të Prizrenit patën filluar të vëzhgoheshin nga kamerat vëzhguese të sigurisë që prej mesit të vitit 2012, kur Drejtoria e Emergjencës kishte investuar 200 mijë euro për instalimin e 70 kamerave në pikat kryesore. Por vite më pas, në bazë të raportimit të organeve ligjzbatuese, rezulton se pjesa më e madhe e tyre nuk janë në funksion.

Ndërkaq një projekt i ish-qeverisë komunale për blerjen dhe mirëmbajtjen e kamerave vëzhguese të sigurisë nuk ishte realizuar në vitin 2017, për shkak të kodit të gabuar në buxhet./KOHA/

Më Shumë

Fahrije Hoti sot mban konferencë për media: Do t’i demantojmë shpifjet e Faton Pecit

Korporata Bujqësore “KRUSHA” bashkë me Fahrije Hotin, sot do të mbajnë konferencë për media me fillim nga ora 11:00. Në njoftimin e lëshuar të shtunën...

Probleme me ngrohjen në dy shkolla të Prizrenit

Për shkak të një defekti në pompën e naftës së kalldajës dhe mungesës së energjisë elektrike, sot dhe nesër nuk do të zhvillohet procesi...

Lajmet e Fundit