13.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Prizreni është imi

Eqrem KryeziuuEqrem Kryeziu është i bindur se Prizreni do të jetë i tij. Madje, edhe pa balotazh. Për Ramadan Mujën thotë se e ka një lotari jetësore, por vetë Kryeministri Thaçi është pas tij. Ka edhe një shpjegim për “riciklimin” dhe “fosilizimin” në politikë.

Nuk është e mundur të ndahet humori dhe sharmi nga Eqrem Kryeziu.

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Prizrenin ndihet i lehtë, plot shpresë dhe vetëbesim për përballjen e 3 nëntorit.

Është i sigurt që do të fitojë.

Në një bisedë me lajmi.net, Eqrem Kryeziu shprehet i bindur se nuk do të ketë nevojë as për balotazh, por se do të ngjitet sërish në kolltukun e Shtëpisë së Bardh të Prizrenit, pas 3 nëntorit.

“Unë e pranoj se perceptimet politike mund të jenë tmerrësisht të gabueshme. Mirëpo, në bazë të asaj që po shoh, tek reagimi i popullatës, ndoshta nuk do të ketë hiç nevojë për balotazh. Do të fitoj unë”.

Eqrem Kryeziu ka udhëhequr Prizrenin për dy mandate, pas luftës. Një betejë me Ramadan Mujën e ka humbur në vitin 2007.

Sot, ai sërish i rikthehet duelit. Thotë se nuk e bën për pasion, por se ia kërkuan.

“Nuk është se ka qenë pasion imi personal kjo punë. Por, jam aty si kandidat në bazë të kërkesave të elektoratit dhe lidershipit të LDK’së. Këta dy faktorë kanë ndikuar që unë të jem kandidat i LDK’së për Prizrenin. Jo ndonjë pasion imi”.

Flet edhe për riciklimin politik, term që ai thotë se e imponoi i pari në skenën politike të Kosovës. Por, ka një shpjegim interesant.

“Riciklimin politik e kam imponuar unë në skenën politike të Kosovës. Ka diçka të vërtetë në fenomenin e riciklimit. Në këtë rast, bëhet fjalë për fosilizim ose riciklim. Natyrisht se secili njeri normal do të votonte për riciklim e jo fosilizim.”

“Siç e dini fosilizimi është kur mbetet vetëm skeleti dhe asgjë tjetër në atë pozicion.”

“Shikoni çfarë ka ndodhur para dy mandatesh. Ishte një frymë që unë në fund të fundit nuk kisha mundësi që ta kundërshtoja. Frymë që thoshin ‘jemi për ndryshime.’ Kjo nënkuptonte shkuarjen time nga të qenit Kryetar. Dhe tash, ata njerëz, pas dy mandatesh, e kanë harruar parullën me të cilën kanë ardhur në pushtet. Thonë – më mirë le të na mbesin eshtrat aty, fosili le të bëhet, sepse ndryshimet nuk po na pëlqejnë më, pasi e kemi marrë pozitën”, thotë Kryeziu.

Pse ka pasur nevojë LDK të kandidojë me Eqrem Kryeziun në Prizren, përderisa vetë ai ka mbështetur ish kandidatin e kaluar Hanefi Muharremi?

“Unë vetë e kam pasur një kandidat të fortë me të cilin e kemi mundur Qeverinë e Kosovës para katër vjetësh. Por, duke shkuar kamionët Qafës së Duhles, u bë një rokadë e madhe e kutive të votimit etj… “

“Praktikisht, kandidati im, për të cilin kam lobuar, ka qenë pikërisht ai mëparshmi. Mirëpo, partia dhe elektorati kanë pasur një vlerësim tjetër. Më të sigurt, do të thosha.”

Kryeziu nuk e sheh si rival në këtë garë Ramadan Mujën e PDK’së, pas të cilit thotë se qëndron Kryeministrit Hashim Thaçi.

“Ramadan Muja e ka një lotari jetësore. Faktikisht, ai mundet me qenë njëri prej qytetarëve, që e ka pasur edhe parullën në fushatë ‘unë jam njëri prej jush’. Mirëpo, eminencën gri e ka jashtëzakonisht të fuqishme”.

“Vetë Kryeministri Thaçi është pas tij. Pra, është një lotari në jetën e tij.”

“Përkundër respektit që kam për përpjekjet e tyre, por kur është fjala te fitorja, kjo nuk ka asnjë dilemë, me sa po shoh unë”.

Më Shumë

Lajmet e Fundit