8.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Prizreni hap shqyrtimin publik për propozim-rregulloren për taksa e tarifa komunale

Komuna e Prizrenit ka hapur shqyrtimin publik për Rregulloren e re për taksa dhe tarifa komunale. Konsultimi me publikun do të realizohet kryesisht në distancë. Sipas njoftimit të Komunës së Prizrenit me këtë Propozim-Rregullore synohet thjeshtimi i procedurave administrative për qytetarët dhe bizneset, respektivisht heqja e taksës vjetore për ushtrimin e veprimtarisë afariste për të gjitha kategoritë e bizneseve; pezullimi i të gjitha procedurave të cilat nuk kanë bazë ligjore; si dhe ulja e tarifave të procedurave të ndryshme administrative.

“Komuna e Prizrenit fton qytetarët, sektorin publik dhe privat, ekspertët dhe të gjithë të interesuarit që të marrin pjesë në procesin e Shqyrtimit Publik të Draft Rregullores së Re për Taksa dhe Tarifa Komunale, përmes së cilës synohet thjeshtëzimi i procedurave administrative për qytetarë dhe biznese”, thuhet në njoftimin e Komunës, ku sqarohet se shqyrtimi publik do të jetë i hapur deri më datën 15 mars. Njëkohësisht është theksuar se komentet mund të ofrohen përmes postës elektronike, platformës digjitale për konsultime publike, si dhe me shkrim. “Ndërkaq, duke respektuar masat për mbrojtje nga COVID-19, gjatë kësaj periudhe, do të organizohen edhe fokus grupe me përfaqësues të ndryshëm të shoqërisë civile dhe bizneseve”, thuhet në njoftim, teksa shtohet se qëllimi i organizimit të shqyrtimit publik është ngritja e cilësisë së Propozim-Rregullores për Taksa dhe Tarifa Komunale, para dorëzimit për miratim në Kuvendin e Komunës.

Drejtuesit e Komunës së Prizrenit, javë më parë, duke prezantuar Propozim-rregulloren për taksa dhe tarifa komunale kanë theksuar se në këtë politikë publike është punuar rreth tri vite. Sipas tyre pas aprovimit të këtij akti do të krijohen lehtësira për qytetarët dhe bizneset, me largimin e pagesave të panevojshme e të palogjikshme, por edhe që nuk kanë pas bazë të qartë ligjore.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka bërë të ditur se nga fillimi i procesit të reformave në administratë është vërejtur se ekzistojnë shumë tarifa e taksa, “të cilat nuk janë sipas ligjit, por qytetarëve ju faturohet shërbimi edhe pse duhet të jetë pa pagesë, apo se në të shumtën e rasteve janë procedura, për të cilat nuk ka logjikë me kërku pagesë prej qytetarëve”.

“Rregullorja e re për taksa dhe tarifa do ta zvogëlojë barrën për bizneset dhe qytetarët e Komunës së Prizrenit, dhe do të mundësojë një ambient më të shëndosh për bërjen e biznesit, por edhe për marrjen e shërbimeve nga ana e Komunës së Prizrenit”, ka thënë Haskuka.

Sipas tij ka ekzistuar një skepticizëm për këtë çështje, për shkak të drojës për uljen e të hyrave komunale. “Por trendet e viteve të kaluara tregojnë që nuk ka zvogëlim të hyrave, ngase kur bëhen shërbimet më efikase, kemi më shumë shërbime dhe kësisoj më shumë të hyra, dhe në të njëjtën kohë besimi i qytetarëve në institucione rritet”, ka deklaruar ai.

Haskuka ka shprehur besimin se propozim rregullorja për taksa e tarifa do ta merr besimin e këshilltarëve të Kuvendit të Komunës në seancat e radhës sikurse edhe aprovimin nga niveli qendror.

“Me këtë rregullore finalizohet puna trevjeçare në reformën administrative dhe në taksat e tarifat komunale”, ka shtuar ai.

Ndërsa drejtori i Administratës, Osman Hajdari ka theksuar se me këtë politikë publike do të kthehet rregullsia, si dhe procedurat do të thjeshtohen.

Hajdari ka vlerësuar se pikë e fortë e këtij dokumenti është heqja e të gjitha taksave për veprimtaritë e bizneseve. Sipas tij, hap tjetër i rëndësishëm në këtë propozim rregullore është heqja e procedurave që rrezikojnë autoritetin e Komunës. Ai ka shprehur qëndrimin se shumë procedura kanë qenë pa bazë ligjore apo me bazë të dyshimtë ligjore, derisa janë ndërprerë edhe disa shërbime që tanimë ofrohen nga organet tjera. Hajdari ka përmendur edhe shembuj të procedurave që janë pjesë e përshkrimit të punës së organeve komunale e që nuk duhet të tarifohen për palët, sikurse dhe uljen e taksave në shumë shërbime.

“Ky është akti i fundit në kompletimin e krejt reformës administrative thuajse tre vjeçare të qeverisjes tonë”, ka deklaruar ai.

https://www.koha.net/kosove/260784/prizreni-hap-shqyrtimin-publik-per-propozim-rregulloren-per-taksa-e-tarifa-komunale/

Më Shumë

SBAShK paralajmëron protestë më 1 maj

  Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) ka bërë të ditur se me 1 maj do të ketë protestë të punëtorëve të arsimit. Në njoftimin...

Katër vite pa aktorin Rikard Ljarja

Aktori Rikard Ljarja lindi më 1 prill 1943 në Shkodër. Në vitin 1960 mbaroi maturën dhe në vitin 1965 u diplomua në Shkollën e...

Lajmet e Fundit