Vizitorë të shumtë mahniten me bukurinë e Kalasë së Vjetër që mund të shihet pothuajse nga secila pjesë e qytetit. Mirëpo të paktë janë ata vizitorë që e dinë se Prizreni ka edhe një kala tjetër që njihet me emrin Kalaja e Cucës. Ajo gjendet në luginën e Lumbardhit, 3 kilometra në lindje të qytetit, në anën e djathtë të rrugës për në Prevallë.
Supozohet se Kalaja e Cucës është ndërtuar në vitin 1214, ndërkaq sipas një legjende atë e kanë ndërtuar mbretërit e Rrafshit të Dukagjinit, për të strehuar vajza gjatë kohës së luftës.
Historiani Enver Batiu, thotë se për këtë kala sillen dhe fliten shumë legjenda ngase këtu mbretërit e Rrafshit të Dukagjinit, të cilët kanë jetuar në zonën e Prizrenit, gocat e tyre kur kanë shku në luftë i kan siguru aty dhe kanë qenë të sigurta, sepse kjo kala ka bë njërën ndër pikat më strategjike për ruajtjen e qytetit të Prizrenit. Ka qenë e lidhur me rrugë me Kalanë e qytetit, e pastaj me Kalanë e Dervengradit më lartë, ku rruga është ndarë në dy pika, njëra nga Prevalla ka shku për Nish kurse tjetra nga Bjeshkët e Rrasave ka kaluar Bjeshkët e Sharrit dhe ka ra për Tetovë, thotë Batiu për TV Prizrenin.
Për çudi, para disa viteve Kalanë e Cucës nuk mund ta vizitonit lehtë. Për të hyrë në objektin e sajë së pari duhej të merret leja e priftërinjve nga Sërbia dhe KFOR-i që ishin vendosur pas luftës në Manastirin e Kryeengjujve.
Kalaja e Cucës përveq një bukurie të rrallë dhe mureve të trasha i ka bërë një rezistencë pothuajse 2000 mijë vjeçare kohës, thotë historiani Enver Batiu. Kalaja e Cucës shtrihet në një sipërfaqe prej 75m2, muret e ndërtuara prej guri dhe llaqi gëlqeror, në një lartësi mbidetare prej 650 metrash.
Në kohërat e lashta Kalaja e Cucës ka shërbyer si hyrje për në Kalanë e vjetër të qytetit. Kalanë nëpër kohëra e kanë shfrytëzuar romakët dhe bizantinët. /tvprizreni.info/