Prizreni po humb kujtesën dhe hijeshinë e vet. Njësoj si një njeri i kapur nga amnesia, qyteti po harron kush ishte, çfarë përfaqësonte, çfarë vlere kishte. Nëse nuk zgjohemi sot, nesër do të kemi një qytet pa shpirt – një skenë bosh ku kujtimet do të mungojnë, dhe në vend të tyre do të ngrihen kubeza të reja, Rubik’s Cubes të neveritshme, dhe kafene e bare brenda Kalasë. Dhe atëherë do ta thërrasim historinë më kot; sepse ajo nuk do të na përgjigjet më.
Fadil Sahiti
Prizreni, kryeqyteti shpirtëror i shqiptarëve, dikur fanar i kulturës dhe historisë, po ngjan me një njeri të kapur nga amnezia. Kujtesa kolektive tretet, hijeshia e dikurshme po shndërrohet në karikaturë, ndërsa qyteti ku shqiptarë, turq, romë, torbeshë, goranë e sllavë bashkëjetuan shekuj me radhë, humbet ngadalë kujdesin për shpirtin dhe trupin e vet.
Sytë e qytetit, Kalaja, po gjymtohen. Kodrat përreth, dikur horizont i hapur, po mbushet me restorante që ngjajnë me kioska provinciale, minare të shpikura pa lidhje me historinë dhe struktura tjera të përçudnuara. Me këtë ritëm, nuk do të jetë aspak çudi që një ditë brenda mureve të Kalasë të hapet një “lounge bar” me karaoke, nën patronazhin bujar të ndonjë kompanie bastesh. Aty ku romakët, bizantinët, osmanët e serbët nuk arritën të ngulin flamurin e tyre, ne po ngulim flamurin e shëmtisë. Shqiptarët, me duart e veta, po shpojnë dhe verbojnë sytë e qytetit.
Pastaj janë hapësirat sportive. Prizreni ka vetëm një qendër sportive, tashmë e gjymtuar. Staza e vrapimit, ndërtuar me fonde të BE-së, ku sportistët dhe qytetarët mësonin të merrnin frymë, është shkatërruar. Në vend të saj ngrihet një objekt pa kuptim, një “Rubik’s Cube” i shpifur, një monument i kotësisë komunale. Edhe sikur aty të ndërtohej një qendër kërkimore e NASA-s apo fabrika më e sofistikuar e Apple-it, nuk do të justifikohej shkatërrimi i stazës. Por ne jemi mjeshtër të absurdit: aty ku dikur mësohej frymëmarrja, tani mësohet vetëm ngufatja, dhe krejt kjo na shitet si zhvillim.
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kryetarët e Prizrenit duket se kanë zbuluar sekretin e përjetësisë politike: ndërrimin e kubezave dhe asfaltit. Kjo është liturgjia e tyre e përditshme. Njëri i ndërroi dje, tjetri i ndërroi sot, pasuesi do t’i ndërrojë nesër – një zinxhir solemn ku qytetari luan vetëm rolin e spektatorit. Në skenë shfaqet drama patetike “gjithçka për qytetarët”, ndërsa pas perdes vallëzojnë tenderomania dhe klientelizmi, duke numëruar faturat. Shkollat mbeten me laboratorë bosh, infrastruktura arsimore ngec, por, si thotë populli, “kush e ka dert këtë punë?” E rëndësishme është që kubezat dhe asfalti, sipas manualit të propagandës, sot janë më të bukura se ato të Londrës – dhe britanikët padyshim mezi po presin të marrin mësime nga Prizreni.
Dhe blloqet e banesave janë bërë moda e re – gjuha e vetme që pushtetarët dinë ta flasin. Pa kriter, pa standard, pa vizion. Përgjatë rrugës për Suharekë dhe në daljen tjetër të qytetit, gjithçka duket e shëmtuar, si një galeri betoni ku mungon edhe hija më e vogël e jetës urbane. Askund nuk shihet një pikë e rezervuar për park apo lulishte. Madje, aty ku dikur premtohej një park, te ish-Benafi, sot është ngritur një kafaz llamarine e xhami për biznes. Shpresa për gjelbërim është zëvendësuar me fitim qeraje. Për një çerek shekulli, qyteti nuk ka fituar asnjë park, asnjë lulishte, asnjë hapësirë ku të marrë frymë. Prizreni nuk po frymon; po mbytet nën beton dhe propagandë.
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
Marashi, dikur oazë simbolike buzë Lumbardhit, sot kundërmon nga pislleku. Hapësira në të dy anët e lumit, nga Andrra deri te restorantet e famshme ku servohen makiato, është shndërruar në pasqyrën më të sinqertë të qytetit – mbeturina dhe ndotje. Ajo që për vizitorët do duhej të ishte pamja më romantike e Prizrenit, është bërë një skenë që të përzien stomakun – një kartolinë e turpit, që nuk do të guxonte të vendosej në asnjë vitrinë suveniresh.
Kryetari i ardhshëm – fushata për të cilin fillon javën tjetër – duhet të kuptojë diçka elementare: Prizreni nuk është çiflig i tij, as i partisë së tij. Ky qytet është pasuri e gjeneratave të shkuara, të sotme dhe e atyre që do të vijnë. Nëse këtë nuk e kupton, do të mbetet thjesht një emër tjetër në listën e gjatë të shkatërruesve. Sepse suksesi i pushtetit në Prizren nuk duhet të matet me metra kub betoni të hedhur, por me mënyrën se si frymon qyteti.
Po, Prizreni ngadalë por sigurt po e humb identitetin e vet. Qytetaria prizrenase, dikur krenare, sot rri si në gjumë, duke vëzhguar degradimin si të shihte një serial turk – limunadë e lodhur e televizionit, e ëmbël, monotone dhe e pafund. Heshtja e saj është më e rrezikshme se tenderat. Dhe nëse kjo heshtje vazhdon, brezat që vijnë nuk do të na falin. Do të na shohin si njerëz që kishin në dorë një kryeqytet shpirtëror dhe e lanë të shkërmoqet në baltën e korrupsionit dhe betoni.
Njësoj si një njeri i kapur nga amnezia, Prizreni po harron kush ishte, çfarë përfaqësonte, çfarë vlere kishte. Nëse këtë nuk e ndalojmë sot, nesër do të kemi një qytet pa shpirt – një skenë bosh ku kujtimet mungojnë, dhe në vend të tyre ngrihen kubeza të reja, Rubik’s Cubes të neveritshme dhe kafene e bare brenda Kalasë. Pastaj mund edhe të thërrasim historinë, por ajo nuk do të na përgjigjet më.
Autori është profesor në fushën e Menaxhmentit dhe Zhvillimit Industrial në RIT Kosova (AUK).
Marketing
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren