11.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Prizren,për të tetën herë shtyhet rigjykimi për mashtrim me viza pune

Mungesa e ekspertit financiar Vehbi Imeri dhe e të akuzuarit për shpëlarje parash dhe shmangie nga tatimi, Flamur Hoxha, ka bërë që për të tetën herë të dështoj seanca gjyqësore ndaj tij dhe të akuzuarit tjetër, Besim Rexhaj.

Lidhur me mungesën të akuzuarit Hoxha, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Xheladin Osmani tha se i njëjti e ka njoftuar gjykatën se për shkaqe shëndetësore nuk mund të jetë prezent në seancë, ndërsa lidhur me mungesën e ekspertit financiar, gjykatësi Osmani deklaroi se ai është ftuar në seancën e kaluar, por nuk ka prezantuar dhe mungesën nuk e ka arsyetuar.

Po ashtu, gjykatësi Osmani konstatoi mos prezencën e prokurori special Afrim Shefkiu, pasi që paraprakisht të njëjtin e kishte njoftuar me mos mbajtjen e seancës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në mungesë të kushteve ligjore, seanca u shty, ndërsa seancat e radhës janë caktuar më 10 shtator dhe 5 tetor 2021, në ora 10:00.

Me aktgjykim e shpallur nga Gjykata Themelore në Prizren, më 9 janar 2020, ish-drejtori ekzekutiv i shkollës “DBBS” në Prizren, Flamur Hoxha, ishte dënuar me gjashtë vjet burg dhe 21 mijë euro gjobë, pasi ishte shpallur fajtor se ka mashtruar qytetarët për viza pune në Gjermani, ndërsa i akuzuari tjetër, Besim Rexhaj, ishte dënuar me katër vjet burgim dhe me 12 mijë euro gjobë.

Ndaj të akuzuarit Flamur Hoxha ishte shpallur edhe aktgjykim plotësues, konfiskimi i pasurisë, konkretisht një shtëpi, një veturë “BMW X5”, si dhe një “Audi”, kurse të akuzuarit Rexhaj i është konfiskuar një banesë me garazh si dhe një veturë e tipit “Polo”.

Po ashtu, për këtë rast ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht Veprim Rexhepi, i cili akuzohej se me anë të falsifikimit ka nënshkruar rreth 400 kontrata pune për në shtetin e Gjermanisë, pa qenë i autorizuar fare nga personat përgjegjës, në emër të të cilëve janë lëshuar këto kontrata, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Këtë rast, Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim vetëm ndaj Flamur Hoxhës dhe Besim Rexhajt, të cilët kishin parashtruar ankesë ndaj aktgjykimit.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale (PSRK), të ngritur më 20 gusht 2018, me të cilën Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj, akuzohen se në periudhën 2016-2017, megjithëse e kanë ditur se të ardhurat burojnë nga aktivitete kriminale, kanë pranuar para nga qindra persona të dëmtuar, saktësisht 489 persona, me arsyetimin se do t’i punësojnë në Gjermani.

Sipas aktakuzës, Hoxha dhe Rexhaj, nga të dëmtuarit e njëjtë i kanë marrë nga 2500 – 3000 euro, të cilët fare nuk i kanë dërguar në Gjermani, duke fshehur fondet në fjalë e më pas të njëjtat fonde duke i transferuar tek persona tjerë.

Me këto veprime kanë përvetësuar shumën prej 1,220,175.00 euro, nga të cilat kanë bërë shpëlarjen e parave në shumën prej 1,068,775.00 euro.

Për këtë, ata po akuzohen se në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “shpëlarje parash”, nga neni 308 i Kodit Penal të RKS, si dhe neni 32 paragrafi 2. nën paragrafi 2.1 dhe 2.2 i Ligjit mbi Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimin e Terrorizmit, lidhur me nenin 81 dhe 31 të Kodit Penal të RKS-së.

Sipas aktakuzës, të njëjtit akuzohen edhe për veprën penale të mashtrimit, nga neni 335, dhe atë të falsifikimit të dokumenteve nga neni 399, si dhe Shmangie nga Tatimi nga neni 313 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Arrestohet një burrë në Malishevë, rrahu fëmijët e tij të mitur

Në Malishevë, një burrë u arrestua, pasi ka ushtruar dhunë ndaj fëmijëve të tij të mitur. “Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas...

Sonte El Clasico — mund të përcaktohet titulli i kampionit

La Liga, një nga ligat më atraktive në futbollin evropian, vjen sonte me ndeshjen më të madh të këtij sezoni. Dy rivalët e përbetuar, Real...

Lajmet e Fundit