3 C
Prizren
E premte, 27 Dhjetor, 2024

Profetët po gabohen

Fiton Dibrani

Në librin e tij të titulluar “The Big Short”, i përshtatur pastaj edhe për ekran, financieri Michael Burry tregon si e profetizoi krizën financiare të vitit 2008. Një tregim i detajtë, por jo gjithaq i vërtetë. Ai as s’ishte i pari, as i vetmi që e bëri këtë parashikim fatzi. Por, është bërë më i njohuri, padyshim. Dhe goxha i pasur.

Që atëherë profetët e rinj që “parashikojnë” një tjetër krizë janë shtuar përditë. Të nxitur nga paratë, nga fama, nga të të dyja së bashku, ose thjesht nga dëshira për të shkuar kundër rrjedhës. Pasi kanë huqur cakun disa herë, tani kanë gjetur një tabelë qitje të re: Kriptovalutat.

*

Pardje, një mik i imi më pyeti nëse do t’ia rekomandoja investimin në Bitcoin. Si shumica e atyre që janë të painformuar për këtë botë të re, as ai nuk e kishte të qartë konceptin e kriptografisë dhe faktin se Bitcoin është veç një nga mijëra kriptovalutat në treg. Nuk ta them dot këtë gjë, së paku jo kështu, troç – ishte përgjigja që i dhashë. Ishte i pakënaqur me atë që i thashë, qartazi. Kështu bëhen të gjithë, padallim, kur ua jap këtë përgjigje, pasi që të gjithë kanë po këtë pyetje. Dhe s’u vë faj pse bëhen të tillë.

Njerëzit kërkojnë të narracione të thjeshta, të atilla që kur i pranojnë çfitëzohen lehtë me besimet dhe pritjet e tyre. Sidomos kur bëhet fjalë për t’u pasuruar. Veçanërisht për t’u pasuruar lehtë.

Në esencë, kjo pyetje është e gabuar. Pyetja e drejtë do të ishte: a është kjo skemë piramidale, apo flluska financiare e radhës?

As njëra, as tjetra.

Janë të mangëta krahasimet që profesori Paul Krugman bën me Tulipmaninë e shekullit të XVI-të në Holandë, Jorge Stolfi me peni stoqet, apo Nouriel Roubini me krizën e fundit ekonomike, atë të vitit 2008.

Sasia e Bitcoin është e kufizuar dhe për të vlen ligji i thjeshtë i ofertës dhe kërkesës, si përcaktues çmimi. Nuk krahasohet me Tulipmaninë, flluskë që shpërtheu për shkak të rritjes së papritur të ofertës ndaj kërkesës. Ky rrezik bëhet i mosqenë kur kihet parasysh numri i fundmë i Bitcoin-ëve. Nga ana tjetër, oferta për të nuk mund të jetë vertikale, për shkak të procesit të quajtur mining, që do të thotë se krijohen monedha të reja vazhdimisht – deri në 21 milionë.

Për më shumë, ato kanë vlerë në vetvete. Përdoren për transaksione, të cilat kontrollohen nga një sistem i jashtëzakonshëm, i njohur si Blockchain. Në ditët më të këqija të tregut, ky sistem kryen transaksione në vlerë prej rreth 40 miliardë dollarë. Pa sekserë. Me një tarifë minimale.

Goditje nën brez Bitcoin merr edhe për shpejtësinë me të cilën i kryen transaksionet. Por, kjo nuk e bën të pavlerë. Përkundrazi. Kjo do të thotë se njerëzit janë aq të interesuar sa që sistemi e ka të zorshme ta përballojë gjithë atë kërkesë proporcionalisht në kohë. Kjo i bie si të ankoheshe në vitet e 90-ta pse interneti nuk ofronte uebfaqe tredimensionale apo pamje në kohë reale.

Poqë se nuk e keni lexuar ravijëzimin e idesë së Satoshi Nakamoto, të publikuar në fund të vitit 2008, bëjeni. I shkruar në tetë faqe, është goxha teknik, por jo i pakapshëm. Aty shpjegohet se në Bitcoin nuk ekziston kthimi nga investimi. Madje, edhe vetë çmimi. Është thjesht zgjidhje e një problemi që në vetvete krijon vlerë. Krejtësisht e hapur, për të gjithë, kurdoherë. Gjashtë fjalitë e fundit përjashtojnë Skemën Ponzi.

Në teori, një skemë e tillë (e ngjashme me Skemat Piramidale) paraqet konstrukt përmes të cilit investitorët mashtrohen se do të marrin kthime të larta nga investimet e tyre, duke paguar investitorët e hershëm me norma të larta kthimi. Në këto skema, ora ndalon tik-takët kur investitorët e vjetër marrin paratë dhe ia mbathin. Bitcoin-it s’i bie aspak ky kallëp, pasi atyre nuk u paguhen dividendë, nuk ka institucion që drejton paratë, vlera dhe përdorimi i tij nuk humbasin, edhe nëse nuk ka investitorë të rinj, ndërsa babaxhanët e vjetër nuk duket se e kanë ndërmend të heqin dorë nga monedhat e tyre të çmuara.

Krahasimi me peni stoqet është akoma më qesharak. Bitcoin-i nuk është as peni, as stok. As i tregtueshëm nën 10 dollarë, as aksion – ngaqë nuk paraqet kompani. Likuiditeti i tij është shumë më i lartë se i peni stoqeve. Dhe për dallim nga shumica e tyre që veprojnë në hije, pa kurrfarë transparence, me Bitcoin secili dhe në çdo kohë mund t’i shohë të gjitha rrjedhjet nga një kuletë në kuletën tjetër, prej të parës, deri tek e fundit.

Por profetët nuk heqin dorë lehtë. Sipas tyre, spekulimi për çmimin e pritur është në themel të ngritjes së çmimit të Bitcoin-it, ndërsa shitja me çmim më të lartë se blerja e vetmja mënyrë përfitimi.

Të dyja këto aksioma ekonomike.

Ndërmarrësit sot nisin biznese duke spekuluar për përfitimet e mundshme, investitorët blejnë aksione, letra me vlerë dhe komoditete duke u nisur nga po kjo gjë. Çmimi i gjithçkaje në treg varet nga blerësit dhe shitësit. Ndërsa vetmja mënyrë për të përfituar nga çkado është që ta shesësh me çmim më të shtrenjtë nga sa e ke blerë. Profiti në thelb nuk është gjë tjetër veç një e ardhur që rrjedh nga dallimi mes të çmimit të shitjes dhe atij të blerjes.

Nëse patriotizmi është streha e fundit e horrave, streha e fundit e profetëve është standardi i arit. Ose emetimi i valutës varësisht nga këto rezerva. Thonë se “Bitcoin-i do të dështojë, sepse nuk ka kurrfarë baze, për dallim nga dollari që e ka arin”, por kjo është e pavërtetë që nga viti 1973.

Ka një moskuptim të burimshëm që shtrihet mes profetëve dhe pjesës tjetër, që gjenezën mund ta ketë në njëanshmërinë e shtysave. Disa prej tyre lidhen me përfitimin, të tjerat me injorancën, ndërsa një grup tjetër me meskinitetin njerëzor.

Në grupin e fundit hyjnë kryesisht ekonomistë të lënë në harresë, që ngjarjet e fundit i kanë nxjerrë në sipërfaqe, për të mos thënë i kanë kthyer në jetë. Dhe zhyten në ca sqarime koti dhe pa bazë. S’ia kanë fare idenë teknologjisë së re, as tregut që ajo ka krijuar, por kjo s’i ndalon të japin këshilla, të nxjerrin përfundime, madje edhe të bëjnë parashikime.

Një lëmsh i vërtetë.

Të shqetësuar janë veçanërisht ndërmjetësit financiarë. Tani bankat janë të zëvendësueshme. Jo më nga një bankë tjetër. Por nga një sistem që është i të gjithëve dhe i asnjërit njëkohësisht. Zgjidhjen e ofrojnë nyjat kompjuterike, jo më njerëzit – sikurse edhe sigurinë. Të gjithë i shohin të gjitha, por asnjëri nuk ndërhyn dot tek tjetri. Kompleksiteti i zgjidhjes dhe thjeshtësia e përdorimit janë dy dimensione komplementare në këtë rast, që nuk është veç i tillë. Është kapërcimi më i madh në katërqind vjetët e fundit, pra që nga themelimi i bankës së parë.

Pasqyrë të qartë mund të nxjerrim nga shifrat, meqë ato janë përherë kokëforta.

Që nga korrigjimi i fundit që e tkurri fort tregun, ato tregojnë pothuaj dyfishim të kapitalizimit të tij. Treguesit fundamentalë dhe ata teknikë shenjojnë trend pozitiv, drejt një trilion dollarëshit.

Tregjet klasike financiare po tranden. Frika nga borxhi i akumuluar prej 187 trilionë dollarësh nuk po i lë të qetë investitorët.

Jemi para një kapërcimi jashtëzakonisht të madh. 86 miliardat e investuara në kriptovaluta, kur tregu preku pikën më të ulët këtë vit, e tregojnë këtë më së miri.

Kështu do t’i përgjigjesha mikut tim të vjetër dhe të gjithë të tjerëve, po ta kishin vëmendjen më të gjatë se pyetjen.

Më Shumë

Totaj raporton për punën njëvjeçare, veçon gjithëpërfshirjen dhe përmbushjen e kritereve për Grantin e Performancës

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj të hënën ka mbajtur takimin e dytë publik me qytetarët, me ç’rast para të pranishmëve ka raportuar...

Gjiganti evropian aktivizon klauzolën e Nico Williams

Nico Williams duket se do të largohet nga Athletic Bilbao gjatë afatit kalimtar të janarit. Sulmuesi spanjoll ishte ndër futbollistët më të kërkuar në verë,...

Me zemër

Lajmet e Fundit