Në rezolutën e PS-së dënohet ashpër sulmi i armatosur që i mori jetën rreshterit Afrim Bunjaku dhe la të plagosur 2 të tjerë, ndërsa i bën thirrje SHBA-së e BE-së dhe aleatëve strategjikë që të ngrenë në nivelin më të lartë alarmin dhe aksionin demokratik për të parandaluar rrezikun që i kanoset sigurisë e paqes në Kosovë, rajon e më gjerë.

Po ashtu, në rezolutën e PS përgëzohet qeveria e Kosovës për masat e marra me qëllim parandalimin e goditjen me mjete kushtetuese e ligjore përpjekjeve për cenimin, sulmimin dhe rrezikun e rendit kushtetues të Kosovës dhe jetës së qytetarëve.

Më tej, i kërkohet Serbisë që të heqë dorë nga qëndrimet dhe veprimet armiqësore ndaj Kosovës dhe hapjen e një hetimi serioz e transparent ndaj organizatorëve e autorëve të sulmit terrorist.

PS përgëzon institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës për maturinë dhe profesionalizmin e tyre si dhe vlerëson forcat e EULEX-it dhe KFOR-it për gatishmërinë, bashkëpunimin dhe angazhimin në aksionin për zmbrapsjen e sulmeve kriminale të njësive terroriste dhe neutralizimin e përpjekjeve për përshkallëzimin e konfliktit në veriun e Kosovës dhe destabilizimin e vendit.

PS vlerëson se prania e shtuar e KFOR-it në veri të Kosovës është një garanci për paprekshmërinë e kufijve të saj si dhe për sigurinë dhe paqen në tërë rajonin.