16.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Puthja e djallit

Arben Fetoshi

Diskursi politik i degraduar sidomos muajve të fundit, duket një projekt i kalkuluar mirë. Ashpërsimi i gjuhës ndërmjet Presidentit Thaçi e Kryeministrit në detyrë Kurti, përveç se i papranueshëm për komunikimin e institucioneve më të larta të shtetit, reflekton pashmangshëm në shoqëri duke thelluar përçarjen qytetare.

Kualifikimet dhe akuzat e rënda të Thaçit për Kurtin, nëse vetëm ndonjë qëndron, mjafton sa për të kuptuar se na paska marrë lumi. E nëse kështu është vërtet, ku janë strukur të tjerët, sidomos organet e sigurisë? Përse çështje të tilla duhet t’i lihen presidentit për deklarime publike e intervista televizive?

Nga ana tjetër, as Kurti nuk ia ka lënë mangut (në mos më shumë) duke e portretuar Thaçin prej vitesh si boss-in e krimit në Kosovë. E sërish organet e sigurisë në gjumë!
Komunikimi i padenjë ndërkohë shoqërohet edhe me plane aksioni politik. Një mbledhje e qeverisë në mes të natës heq “ndalesën” për provën e protestës që partia e kryeministrit ka paralajmëruar për nesër. Puthje e djallit apo lojë e djallit me ndjenjat e qytetarëve?
Nuk më ka rastisur të lexoj diçka kaq absurde në historinë politike të asnjë vendi. Të drejtosh shtetin dhe të organizosh protesta, kjo ndodh vetëm në Kosovën 2020.

Të kujdesesh kaq mirë për “të drejtën” e protestimit në kohë pandemie (vendimi i qeverisë lidhur me heqjen e ndalesës për tubimet në vendet publike), nuk është thjesht presion ndaj Gjykatës Kushtetuese. Duket si një plan për të provokuar trazira, ndonëse i kamufluar me “liritë dhe të drejtat demokratike” të qytetarëve për të protestuar.

Nëse Thaçi po gabon duke e tepruar në luftën politike kundër Kurtit, përse Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij duhet të përgjigjen njësoj, madje edhe me veprime konkrete si këto organizimet “në emër të popullit”?

Po mediet përse duhet të hapen 24 orë si pista defilimi të politikanëve dhe pothuajse ekskluzivisht për ta?

Ato, në vend se t’i përmbahen përgjegjësisë shoqërore për sa më shumë përmbajtje sqaruese, i kanë ndezur të gjithë motorët e gazetarisë senzacionale duke nxehur gjakërat te publiku.

Një qasje e tillë e “debateve muskuloze” (sa më zhurmaxhi e fiton debatin) jo vetëm që nuk i duhet shoqërisë sot, por potencialisht edhe e rrezikon atë. Një diskurs i tillë i rënduar jo vetëm që është ofendues për nivelin politik, por na çon drejt konfliktit shoqëror, që do të ishte fatal për të ardhmen.

E nëse krejt kjo është planifikuar si skenar për “dialogun Kosovë – Serbi”, do të ishte marifeti më i turpshëm politik, i cili s’duhet të kalojë.

Më Shumë

Vdes një infermierie në Malishevë

Ka ndërruar jetë, Sadije Thaçi, e cila për vitë të tëra shërbeu si infermiere në QKMF-Malishevë. E ndjera, para disa kohe kishte dal në pension. Sadije...

Arrestohen dy femra, sulmuan një të mitur dhe dy zyrtarë policorë në Prizren

Dy femra janë arrestuar të martën në Prizren, pasi që kishin sulmuar fizikisht një të mitur dhe më pas kishin penguar dhe sulmuar fizikisht...

Lajmet e Fundit