Në kuadër të projektit të monitorimit të transparencës së ekzekutivit komunal të Prizrenit, “EC Ma Ndryshe” gjatë muajit shkurt ka shqyrtuar efikasitetin e administratës komunale në lejimin e qasjes në Dokumente Publike gjatë vitit të kaluar në përputhje me Ligjin përkatës.
Monitoruesja Elmedina Baxhaku tha se bBazuar në raportin vjetor të Komunës së Prizrenit lidhur me kërkesat për qasje në dokumente publike, administrata komunale ka pranuar 27 kërkesa dhe ka lejuar qasjen në të 27 rastet, derisa vetëm në një rast janë kërkuar sqarime shtesë.
“Ka raste kur me një kërkesë janë kërkuar dy e më shumë dokumente. Sipas raportit 6 përgjigje janë dorëzuar në mënyrë elektronike dhe 21 të tjera në kopjet në letër. Për buxhet e shpenzime janë parashtruar 10 kërkesa, për vendime 4, për statistika 4, për kontrata 5, për projekte 2, për konkurs 1 dhe 1 kërkesë tjetër për raportin e punës së kryetarit. Përgjigjet e dërguara sipas raportit të Komunës në të 27 rastet janë në afat sipas ligjit”.
“Përvoja e monitoruesve të EC Ma Ndryshe lidhur me qasjen në dokumentet publike të Komunës së Prizrenit gjatë vitit 2013 nxjerrë një pasqyrë që dallon nga ajo që është paraqitur në raportin e lartpërmendur”.
Gjatë vitit të kaluar “EC Ma Ndryshe” vetëm në kuadër të projektit të monitorimit të transparencës online ka protokolluar 35 kërkesa për qasje në dokumente publike, dhe në 17 raste ka evidentuar vonesa që kanë shkuar deri në 40 ditë në ofrimin e përgjigjes. (Rastet konkrete të përgjigjeve me vonesë në kërkesat për qasje në dokumente publike mund t’i gjeni në dokumentin e bashkëngjitur me këtë komunikatë). Ndërkohë në tërësi EC Ma Ndryshe ka dorëzuar 56 kërkesa për qasje në dokumente publike derisa në raportin e Komunës së Prizrenit figurojnë vetëm 11 kërkesa të parashtruara nga kjo organizatë.
“Këto të gjetura tregojnë se përpjekjet e Komunës së Prizrenit për të siguruar qasje në dokumentet publike në përputhje me dispozitat e Ligjit përkatës janë të pamjaftueshme dhe se nevojitet një mobilizim i shtuar për të garantuar këtë të drejtë për kërkuesit e dokumenteve publike”.
“Po ashtu këto të gjetura janë dëshmi se Komuna e Prizrenit ka hapësirë që të përmirësoj transparencën e saj karshi qytetarëve. Në të njëjtën janë konfirmim i një konstatimi të mëparshëm të EC Ma Ndryshe mbi rrjedhën e ngadaltë të informatave dhe dokumenteve nga të gjitha drejtoritë te Zyra për Informim dhe Komunikim, gjë që sjell deri te mos publikimi i vendimeve në kohë reale dhe mos informimi i duhur i publikut për çështje të ndryshme relevante, por edhe defekte në zbatimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike”
Për këto arsye” EC Ma Ndryshe” rekomandon Komunën e Prizrenit që të zbatojë në përpikëri dispozitat e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike;
“Të rris transparencën, duke i publikuar të gjitha dokumentet publike në ueb faqen e komunës”
– Të eliminoj vonesat në ofrimin e përgjigjeve lidhur me kërkesat për qasje në dokumente publike; dhe
“Të informoj zyrtarët dhe shërbyesit civil mbi rëndësinë e zbatimit të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike”/PrizrenPress.com/