13.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Rabini i bashkohet ushtrisë gjermane, 90 vite pasi Hitleri përjashtoi ushtarët hebrenj

Në periudhën kur Gjermania ishte në izolim total për shkak të koronavirusit, rabini Zsolt Balla fitoi reputacion për shërbimet fetare të cilat i transmetonte drejtpërdrejt në Facebook.

Tani ai ka pranuar të bëjë një punë, që dikur ishte e paimagjinueshme. Balla është emëruar shefi i rabinëve të ushtrisë gjermane, i pari që merr këtë post pas 90 vitesh, që kur Adolf Hitler përjashtoi hebrenjtë nga forcat e armatosura gjermane në vitet 1930.

Deri në moshën 9-vjeçare, Balla as që e dinte që ishte hebre dhe madje i biri i një të mbijetuari nga Holokausti. Por ky është një moment tepër simbolik për komunitetin hebre në Gjermani dhe jo vetëm.

Balla bëri betimin në një sinagogë në Lajpcig të hënën. Autoritetet gjermane shpresojnë që ky vendim të tërheqë vëmendjen për ndryshimet që po pëson ushtrua moderne e Gjermanisë, e cila gjithsesi kohët e fundit ka qenë protagoniste e disa skandaleve ku janë përfshirë personazhe të lidhur me ekstremin e djathtë.

Vitin e kaluar, njësia elitë komando, e njohur si KSK, u pezullua pjesërisht pasi u zbulua që brenda radhëve të saj kishte persona ekstremistë të djathtë. Javën e kaluar, një njësi elitare e forcave policore, e quajtur SEK, u shkri plotësisht për shkak se u zbulua që drejtues të saj kanë glorifikuar nazistët në disa grupe online.

“Rabinët në ushtri nuk do të mund të zgjidhin këtë problem brenda javës”, tha Balla për CNN. “Por duhet të punojmë me një vizion për të ardhmen, duke menduar si duam që të duket ushtria dhe shoqëria gjermane pas një dekade”.

42-vjeçari do të jetë kreu i një grupi me 10 rabinë që do të ofrojnë shërbime fetare për ushtarët hebrenj që shërbejnë në Bundeswehr, shifër që besohet se varion te 80-300 anëtarë.

Herën e fundit që ky pozicion ka ekzistuar, Gjermania merrte pjesë në Luftën I Botërore, ku rreth 100 mijë ushtarë hebrenj ishin pjesë e saj. Pasi Hitleri mori pushtetin në vitin 1933, hebrenjtë u përjashtuan nga ushtria, e më vonë nga një pjesë e mirë e jetës publike.

Anthony Kauders, profesor historie në Universitetin “Keele”, thotë se pas krimeve të tmerrshme të nazistëve, askush nuk mund ta imagjinonte që hebrenjtë do të riktheheshin në radhët e ushtrisë gjermane. Në vitet e para të pasluftës, gjermanët zgjodhën të heshtnin për makabritetet, por në vitet e fundit ka një tendencë për kujtesën e ngjarjeve.

Balla thotë se Gjermania ka bërë më shumë se çdo shtet tjetër në Europë për t’u përballur me të shkuarën dhe kjo duhet vlerësuar. Megjithatë, ai thekson se antisemitizmi mbetet ende një problem.

Më Shumë

Lajmet e Fundit