Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është duke kërkuar zgjedhje të menjëhershme, për shkak të krizës institucionale, e cila po thellohet edhe më shumë, pas paralajmërimit për një parti të re nga disa deputetë të PDK’së.
Ndonëse nuk i përmend me emra, fjalën e ka për Fatmir Limajn dhe Jakup Krasniqin.
Kështu konstaton Sekretari i Përgjithshëm i AAK’së, Burim Ramadani, i cili zgjidhjen e vetme e sheh tek mbajtja e zgjedhjeve parlamentare sa më shpejt që është e mundur.
Por, kërkesës së liderit të AAK’së Ramush Haradinaj për përshpejtimin e zgjedhjeve parlamentare, Presidentja Jahjaga i është referuar Kushtetutës së Kosovës.
Ajo ka thënë se mbajtja e Zgjedhjeve të Përgjithshme apo të parakohshme është e rregulluar me Kushtetutë dhe ligje të Republikës së Kosovës.
Si kundërpërgjigje, Burim Ramadani, në një bisedë për lajmi.net, thotë se partia e tij nuk e përjashton opsionin për mocion të votëbesimit ndaj Qeverisë së Hashim Thaçit.
“AAK vlerëson se jeta institucionale është duke shkuar drejt paralizimit të plotë dhe ky ngërç mund të tejkalohet përmes një konsensusi, që nënkupton zgjedhje parlamentare sa më shpejt që është e mundur”.
“Sa i përket Presidentes Jahjaga, ne e kuptojmë ndjeshmërinë e kësaj situate dhe ndjeshmërinë funksionit të Presidentes. Por, në bindjen tonë, do të ishte e rrugës që ajo të ftojë një takim të përbashkët politik për të gjetur zgjidhjen, në mënyrë që të dalim nga kjo situatë e rëndë”.
“Ne nuk e përjashtojmë mundësinë e mocionit të mosbesimit për Qeverinë, në mënyrë që të shkojmë sa më shpejt në zgjedhje. Aleanca është duke u konsultuar edhe me partitë tjera, në mënyrë që të ketë një formë të koordinuar”.
“Kriza e tashme institucionale është shumë më e thellë, sidomos pas paralajmërimit për themelimin e një partie të re nga disa deputetë të PDK’së”.
Megjithatë, gjasat janë shumë të vogla që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme me reformë të plotë gjedhore. Komisioni për Legjislacion ka ndezur motorët, me çka brenda javës së ardhshme pritet që Ligji të jetë i gatshëm për lexim të parë në Kuvend.
Pavarësisht kësaj, Burim Ramadani mendon se nuk do të ketë reformë zgjedhore.
“Reformën e plotë jemi duke e kërkuar që sa kohë, por po shihet që nuk ka reformë zgjedhore”.
“Ne kemi bërë gjithçka që është e mundur që të tejkalojmë krizat e theksuara përmes vazhdimit të jetës institucionale, por krizat tashmë janë të pakalueshme”.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka qenë kundër mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, duke insistuar në zgjedhje të rregullta dhe me reformë zgjedhore.
Mirëpo, ngërçi institucional që e ka përfshirë legjislativin ka shtyrë Ramush Haradinajn që përmes një letre t’i kërkojë Presidentes Jahjaga shpalljen e zgjedhjeve të menjëhershme.