15.4 C
Prizren
E shtunë, 20 Shtator, 2025

Raporti i Progresit i sheh dy qeveri në Kosovë

Atë që kaherë e kanë thënë njohës të raporteve politike në Kosovë dhe analistë politikë, në një mënyrë e ka konfirmuar edhe Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2015 se në këtë mandat Kosova po qeverisët praktikisht nga dy qeveri, njëra e përbërë nga ministrat e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në krye me Isa Mustafën – kryeministër dhe tjetra nga ata të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në krye me Hashim Thaçin – zëvendëskryeministër.

Raporti i Progresit për vitin 2015, i cili nxjerrë në pah mungesën e bashkëpunimit të ministrave nga PDK-ja dhe LDK-ja, tregon se Kosova po qeveriset nga dy kryeministra në aspektin e interesave personale, madje vërehet që në shumë raste Kosova gati që udhëhiqet nga dy qeveri, njëra e përbërë nga ministrat e LDK dhe tjetra nga ata të PDK-së.

“Bashkëpunimi i kufizuar nga ministritë e udhëhequra nga PDK edhe ato nga LDK në shumë raste ka penguar efikasitetin në arritjen e përparimit në pikat kryesore të qeverisjes. Qeveria duhet të mbërrij afatet kohore të vendosura për strategjitë dhe planet e ndryshme të punës, me një koordinim më të mirë dhe përmirësim të komunikimit mes partnerëve të koalicionit”, rekomandon Raporti i Progresit i Komisionit Evropian, i cili është bërë publik të martën.

Sipas njohësve të çështjeve politike në vend, Raporti i Progresit i KE për Kosovën tregon të vërtetën e koalicionit të brishtë bashkëqeverisës në mes të LDK-së dhe PDK-së, siç do ta cilësonte populli një “marrëdhënie martesore” me sjellje dhe veprime “secili shah në vete”.

Politikologu Albinot Maloku tha për KosovaLive se Raporti i Progresit lidhur me këtë bashkëpunim të limituar të ministrive të LDK-së dhe PDK-së, nuk nxjerr asgjë të re me këtë vlerësim.

“Bashkimi në një koalicion qeveritar mes LDK-së e PDK-së asnjë herë nuk ka qenë natyrshëm mbi bazën e afërsisë së tyre ideore, programore e edhe historike. Në koalicionin aktual, LDK-ja nuk e ka filluar bashkëpunimin për ta ecur përpara vendin bashkë me PDK-në, por kryekëput për të mos ngelur opozitë e jashtë pushtetit. PDK-së i ka konvenuar ky lloj i koalicionit në të gjitha rrafshet, kurse LDK-së do t’i kushtojë rëndë”, vlerëson Maloku.

Sipas tij, LDK-ja shpreson që në zgjedhje ta “blej” votën nga të rehatuarit e LDK-së nëpër institucionet e ndryshme shtetërore të Kosovës.

“Për dallim nga LDK-ja që gjithmonë ka ‘ulërit’ jo koalicionit me PDK-në dhe për shkak të pushtetit iu është ngjitë asaj në çdo rast, PDK-ja, jo vetëm për LDK-në, por për asnjë subjekt politik nuk ka pas vija të kuqe bashkëpunimi për ta drejtuar vendin e për të qenë në pozitë”, theksoi Maloku.

Mosbashkëpunimi në nivele të ministrive, sipas tij, edhe nëse ata nuk e durojnë njëri-tjetrin, është i dëmshëm.

“Fatkeqësisht, ministritë e drejtuara qoftë nga PDK-ja ose LDK-ja janë bërë ‘klube’ të të rehatuarve të këtyre subjekteve politike, duke e shkel çdo kuadër profesional që mund ta ketë vendi e që nuk janë pjesë e këtyre ‘klubeve’ në ndonjë formë”, potencoi Maloku.

Duke vlerësuar Raportin e Progresit, analisti Haki Abazi ka thënë se me rezultatet e publikuara të martën “mbetesh në klasë dhe ta ndërrojnë shkollën”.

“Përveç polarizimit të skajshëm deri në fyerje, injorancë e armiqësi ndaj opozitës, raporti gjithashtu tregon të vërtetën për marrëdhënien martesore LDK-PDK. ‘Secili shah në veti’ do të thoshte ajo halla e Reçakut. Nuk ju ka mbet tjetër veç me fut fotografinë me Dacic-in në kornizë të arit”, ka thënë Abazi.

Edhe analisti Blerim Burjani tha për KosovaLive se ky koalicion të gjitha interesat i ka të ndara në dysh.

“Sa i përket ministrive ato funksionojnë si ‘principata’, secila me interesa të veta partiake. Ka bashkëpunim sidomos kur duhet dërguar ambasadorë, apo njerëz nëpër borde”, tha Burjani.

Sipas tij, PDK dominon në vendimmarrje në Qeverinë e Kosovës dhe ka rol edhe në dialog.

“Kjo shihet edhe në herën e fundit në UNESCO, ku ishin tërësisht ministrat si dhe lideri i PDK-së”, tha Burjani.

Ai vlerëson se ekziston një komunikim i mirë për interesat personale të njerëzve të këtyre dy subjekteve, madje edhe në nivelin komunal./kosovalive/

Më Shumë

Rubin: Ne e inkurajonim Thaçin ta shihte Rambujenë si mundësi të arritjes së paqes

James Rubin deklaroi në Hagë se kur kanë shkuar për t’u takuar në Konferencën e Rambujesë, Hashim Thaçin nuk e ka njohur, por që...

Arrestohet i dyshuari për disa vjedhje në Prizren

Policia e Kosovës ka identifikuar dhe arrestuar sot një përson të dyshuar për disa raste të veprave penale të vjedhjes. Sipas njoftimit të Policisë në...

Lajmet e Fundit