3.8 C
Prizren
E shtunë, 26 Nëntor, 2022

Refuzohet padia me të cilën është kërkuar anulimi i vendimit të Senatit të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren

Gjykata Themelore e Prizrenit ka refuzuar si të pabazuar padinë e paditësit Gani Gjini me të cilën ka kërkuar që të anulohet vendimi i Senatit të Universitetit të Prizrenit të mbledhjes së datës 20 qershor 2016 me të cilin vendim të njëjtit i ishte refuzuar zgjedhja “Profesor i Asocuar” për lëndët Makroekonomi dhe Financat Ndërkombëtare.

Paditësi Gani Gjini në gusht 2016 kishte paraqitur padi pranë Gjykatë Themelore në Prizren kundër të paditurës Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti”, me të cilën ka kërkuar anulimin e vendimit të Senatit të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti” të datës 20.06.2016 pasi që me rastin e përzgjedhjes nuk është përzgjedhur “Profesor i Asocuar” për lëndët Makroekonomi dhe Financat Ndërkombëtare edhe pse një gjë e tillë është rekomanduar nga një komision prej 3 anëtarësh një avancim të tillë.

Lidhur me këtë rast, fillimisht Gjykata Themelore në Prizren më 24 janar 2017 me aktgjykim kishte refuzuar padinë e paditësit Gani Gjini si të pabazuar nga arsyet se të gjitha avancimet shkencore, emërimet shkencore, vlerësimin e punimeve shkencore nuk janë në kompetencë të organeve shtetërore por janë kompetencë ekzlusivisht e Universitetit pasi që të gjitha perfomancat i shqyrton organi kompetent në Universitet.

I pakënaqur me këtë vendim, paditësi Gani Gjini ka bërë ankesë në Gjykatën e Apelit, e që kjo e fundit sipas vendimit të datës 09.03.2021 ka aprovuar si të bazuar ankesën e paditësit dhe ka prishur Aktgjykimin C.nr.790/16 të dt.24.01.2017 të Gjykatës Themelore në Prizren dhe ka kthyer lëndën në rivendosje me udhëzimet që fillimisht ta vlerësoj rregullësinë e padisë së paditësit e që pas kësaj të vlerësoj gjendjen faktike duke i vlerësuar të gjitha pretendimet e palëve e në bazë të këtyre pretendimeve të vendos për kërkespadinë.

Gjykata Themelore në Prizren në rigjykim përsëri me aktgjykim të datës 03.12.2021 ka refuzuar si të pabazuar padinë e paditësit Gani Gjini për anulimin e vendimit e lartcekur të Senatit e që përmes këtij vendimi i njëjti nuk është avancuar në titullin “Profesor i Asocuar” në lëndët përkatëse.

Në rigjykim, Gjykata Themelore në Prizren fillimisht kishte kërkuar nga paditësi Gani Gjini që të përmisoj padinë duke kërkuar që të sqaroj se cili vendim është kërkuar të anulohet, cili është numri dhe data e vendimit, por që i njëjti nuk kishte bërë këtë duke kërkuar nga Gjykata që ta kërkoj nga Universiteti i Prizrenit që të dorëzoj vendimin e mbledhjes së datës 20.06.2016 e që kjo e fundit ka dorëzuar një mori kopjesh, në mesin e tyre edhe një procesverbal të datës 20.06.2016, mirëpo nuk ka figuruar vendimi në kopje fizike për të cilin ka pretenduar paditësi.

Gjykata Themelore në Prizren në arsyetimin e saj ka konstatuar se nuk është arritur që të vërtetohet se është marr vendim i posaçëm lidhur me avancimin e paditësit, e që kjo nuk është arritur që të vërtetohet edhe përmes dëshmisë së dëshmitarëve Hamdi Hoti dhe Halil Kukaj të cilët deklaruan se nuk është marrë vendim konkret dhe specifik lidhur me refuzimin e avancimit të të paditurit Gani Gjini.

Po ashtu sipas Gjykatës Themelore në Prizren edhe nga procesverbali i datës 20.06.2016 nuk është provuar fakti se Senati i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti” ka marr vendim me të cilin ka refuzuar kërkesën për avancim të paditësit në titullin akademik “Profesor i Asocuar”.

Tutje Gjykata Themelore në Prizren konstatoi se përderisa nuk ka vendim për të cilën është kërkuar që të anulohet dhe se paditësi nuk ka ofruar prova materiale përmes të cilave drejt do të argumentohej e drejta e tij për kompensim dëmi, e njëjta padi refuzohet si e pabazuar.

Ndryshe, paditësi Gani Gjini në gusht 2016 kishte paraqitur padi pranë Gjykatës Themelore në Prizren me të cilën padi ka kërkuar që të anulohet vendimi i Senatit nga mbledhja e mbajtur të dt.20.06.2016 në të cilën është refuzuar kërkesa e tij për zgjedhje në titullin akademik “Profesor i Asocuar” në lëndët Makroekonomi dhe Financat Ndërkombëtare.

Në padi thuhet se me konkursin e të paditurit nr. 01-289 dt. 31.07.2015, për zgjedhjen e personelit akademik, përpos tjerash është shpallur i lirë edhe vendi i punës së mësimdhënësit të lëndës Financat ndërkombëtare dhe Makroekonomi. Në konkurs është paraqitur për këtë vend pune paditësi, me kërkesë avancimi nga titulli “profesor asistent” në thirrje “Profesor i asocuar”.

Tuje në padi thuhet se siç veprohet në bazë të Statutit të Universitetit për aplikantët e paraqitur, mendimin e ka dhënë komisioni recensues në përbërje Prof. Dr. Musa Limani, kryetar, Prof. Dr. Mujë Gjonbalaj, anëtar dhe Prof. Dr. Rrustem Asllanaj, anëtar. Komisioni në fjalë duke i ka propozuar Senatit të Universitetit “Ukshin Hoti”, në Prizren që Prof. Dr. Gani Gjinin ta avancoj në thirrjen PROFESOR I ASOCUAR në lëndët Financat Ndërkombëtare dhe Makroekonomi.

Mirëpo përkundër mendim të sipërshënuar të komisionit recensues nga Senati i Universitetit të paditurit, në mbledhjen e mbajtur më 15.12.2015, këtu paditësi rizgjidhet Profesor Asistent për lëndët Makroekonomi dhe Financa Ndërkombëtare në Fakultetin Ekonomik e që Komisioni i Studimeve konsideroi se  Komisioni recensues nuk ka vlerësuar drejtë, duke supozuar se paditësi nuk i ka plotësuar kushtet e parashikuara në nenin 72 të Statutit të UPZ për avancim në thirrje Profesor i avancuar, nga e cila arsye edhe është rizgjedhur Profesor Asistent

Tutje në padi, thuhet se edhe komisioni i ankesave i formuar në mbledhjen e Senatit të mbajtur më 19.01.2016 me rekomandimin nr. 01-112 dt. 22.03.2016 mendon se vendimi i Senatit përkitazi me paditësin është në përputhje me nenin 172 të Statutit.

Në padi po ashtu thuhet se paditësi njoftohet se rekomandimi i këtillë është dhënë nga se ati i mungojnë botimet e nevojshme për avancim. Me të kuptuar për këtë paditësi angazhohet dhe kupton se një pjesë e dokumentacionit të bashkangjitur kërkesës për avancim, me qëllim që paditësit t’i pamundësohet avancimi, është fshehur.

Duke pasur parasysh faktin se paditësit qëllimisht i është fshehur dokumentacioni i paraqitur i nevojshëm për avancim, në mbledhjen e Senatit të mbajtur më 29.04.2016 është vendosur që nga Komisioni i ankesave edhe një herë të shqyrtohet dosja e paditësit dhe në mbledhjen tjetër të senatit komisioni të paraqet raport.

Komisioni për ankesa, pas gjetjes së dokumentacionit, i cili paraprakisht ishte fshehur apo qëllimisht humbur, me rekomandimin dt. 24.05.2016 konstaton gjendjen sipas dokumentacionit të bashkangjitur dhe rekomandon Senatin të vendos në përputhje me nenin 172 të Statutit të UPz.

Pavarësisht nga ky rekomandim, për një kohë Senati i Universitetit as që e ve në rend dite këtë çështje. Në mbledhjen e mbajtur më 20.06.2016 edhe pse çështja e paditësit lidhur me avancimin nuk ka qenë në rend dite, në pikën e rendit të ditës të ndryshme, Kryesuesi i senatit konstaton të pavërteta si: libri nuk merret për avancim por publikimet, komisioni i ankesave nuk ka dhënë asgjë relevante që i jep të drejt profesorit për avancim dhe konstaton: Senati vendos qe nuk ka material të mjaftueshëm që profesori me u avancu, mbetet vendimi i senatit që e ka dhënë nga komision i studimeve“.

Pas kësaj mbledhje për një kohë paditësi ka pritur t’i dorëzohet vendimi me shkrim lidhur me kërkesën e tij për avancim, pas rishqyrtimit të dokumentacionit. Pasi vendimi nuk i është dorëzuar, paditësi rregullisht ka kërkuar t’i dorëzohet vendimi me shkrim. Gjithnjë i është premtuar por deri më tash nuk ka ndodhur kjo.  Për të mos humbur afatet ligjore, paditësi ka qenë i detyruar të paraqet këtë.

Prandaj në padi, paditësi i ka propozuar gjykatës që të merr aktgjykim me të cilin  aprovohet kërkesëpadia e tij dhe të anulohet vendimi i Senatit të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, nga mbledhja e mbajtur më 20.06.2016 me të cilin është refuzuar kërkesa e paditësit Prof. Dr. Gani Gjini, nga Prizreni për zgjedhjen në thirrjen akademike Profesor i asocuar për lëndët Makroekonomi dhe Financa Ndërkombëtare në Fakultetin Ekonomik. dhe që të obligohet i padituri Universiteti “Ukshin Hoti”, në Prizren, nëpërmjet të Senatit të Universitetit, në mbledhjen e parë pas pranimit të këtij aktgjykimi, të rishqyrton kërkesën e paditësit Prof. Dr. Gani Gjini, në bazë të dokumentacionit qe i janë bashkangjitur kërkesës, për thirrjen akademike Profesor i asocuar për lëndët Makroekonomi dhe Financa Ndërkombëtare./BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Lajmet e Fundit