15.8 C
Prizren
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

REL: BE përgatit pako sanksionesh ndaj Kosovës

Bashkimi Evropian ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri, mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike.

Sipas këtyre masave, sanksionet do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Takime do të ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe hapave për gjetjen e zgjidhjes.

Sanksioni tjetër pritet të përfshijë punën e përbashkët të grupeve që ekzistojnë mes Kosovës dhe BE-së, e të cilat janë krijuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).

Tashmë është suspenduar takimi i një nën-komisioni, atij për tregti, industri, doganë dhe taksa i cili është dashur të mbahej me 8 qershor, por që nuk është zhvilluar. Takimi i radhës, i cili pritet të suspendohet, është ai i datave 21 dhe 22 qershor, i nën-komisionit për drejtësi, liri dhe siguri.

Do të ketë edhe pasoja financiare për Kosovën. Është planifikuar një pezullim domethënës i financimit nga ana BE-së i disa projekteve për të cilat ka dhënë propozime Kosova në kuadër të Fondit investues për Ballkanin Perëndimor.

BE, si sanksion ndaj Kosovës, ka paraparë që të ulë edhe nivelin e pranisë publike në zhvillimet dhe ngjarjet e përbashkëta ku marrin pjesë anëtarët e Qeverisë së Kosovës. Kjo masë pritet të përfshijë edhe takimet në kuadër të bashkëpunimit financiar.

Burimet diplomatike thonë se angazhimi me autoritetet e Kosovës në të gjitha këto fusha do të kthehej në nivel normal sapo që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa që BE-ja i pret në kuadër të dialogut, e të cilat janë shprehur në disa prononcime publike. Para se gjithash, janë kërkesat për tërheqjen e njësive speciale të policisë nga ndërtesat e komunave në veri dhe shpallja e zgjedhjeve të reja lokale.

 

Ndryshe, tensionet në veri janë rritur që nga 26 maji, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të vendosen në objektet komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet mbetën të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

Këta kryetarë u zgjodhën më 23 prill, votime që u bojkotuan nga partitë dhe popullata lokale serbe.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur Kurtit tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe kthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Por, Kurti ka paraqitur një plan prej pesë pikash.

Megjithatë, BE-ja ka thënë se kryeministri kosovar nuk ka ndërmarrë hapat e duhur për uljen e tensioneve në veri.

Shtetet e Bashkuara po ashtu kanë anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjet ushtarake Defender Europe 23, duke e cilësuar këtë si masën e parë ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të mosplotësimit të kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare.

Më Shumë

Dardanët pësojnë nga Zvicra

Kosova ka pësuar nga Zvicra me rezultat 75:43 (14:12, 22:6, 20:20, 19:5). Takimi u zhvillua në kuadër të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2027. Mikaile...

“Sot dhe Çdo Ditë Tjetër”: Lëshohet në qarkullim pulla postare që lufton dhunën kundër grave

Posta e Kosovës, ka lëshuar sonte në qarkullim postar emisionin e pullave postare “Sot dhe Çdo Ditë Tjetër”, në kuadër të fushatës kundër dhunës...

Lajmet e Fundit