25.8 C
Prizren
E hënë, 20 Maj, 2024

Republika po hiqet për ‘Zajednicën’

Kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri deklaroi sot se Republika po hiqet për t’i bërë vend “Zajednicës”.

“Për t’u bërë “Zajednica” duhet ribërë Kushtetuta, sepse e para është në kundërshtim me të dytën”, deklaroi në Këshillin e Përgjithshëm të kësa lëvizjeje.

Fjalimi i plotë i Ymerit

Në marrëveshjen për energjinë të nënshkruar po ashtu më 25 gusht të këtij, bashkë me 3 marrëveshjet tjera, kryeministri i Republikës së Kosovës e pranon edhe këtë tekst:

“Disclaimer – Mohim, deklaratë e cila ka për qëllim të shmangë keqkuptimin për një çështje ligjore.

Kosova konsideron që, në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjet e Kosovës, dhe ligjit ndërkombëtar, Rezolutës 1244 dhe Rregulloret e UNMIK-ut, prona brenda territorit të Kosovës është në pronësi të Republikës së Kosovës.

Serbia konsideron që, në përputhje me ligjin vendor dhe ndërkombëtar, Rezolutën 1244, prona brenda territorit të Kosovës është në pronësi të Serbisë, nën rregullimin e veçantë krahinor dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën e Serbisë.”

Pra, janë pajtuar që për sa i përket pronës në territorin e Kosovës kemi qëndrime të ndryshme. Dhe se të dyja këto qëndrime kanë legjitimitet të barabartë.

Ky është kontestim i hapur i Republikës së Kosovës. Kontestim ky që nga institucionet e Serbisë po shtrihet edhe në institucionet e Kosovës. Sepse, t’ia pranosh Serbisë legjitimitetin e kontestimit të shtetësisë së Kosovës, është në të vërtetë ta vendosësh në mëdyshje vetë Republikën e Kosovës.

Këta politikanët e negociatave me Serbinë, konkretisht Isa Mustafa, Hashim Thaçi, Edita Tahiri, janë mohuesit kryesorë të Republikës së Kosovës.

Në raport me pronën, raport ky themeltar i shtetësisë, Qeveria e Kosovës ka lëvizur nga fakti, prona e padiskutueshme është e Republikës së Kosovës, në opinion, që thotë se ne mendojmë se prona është e jona. Kjo është rruga drejt negociatave për pronën.

Kjo në të vërtetë ka qenë rruga gjatë tërë negociatave. Që prej se kanë filluar ato në secilën marrëveshje të arritur, a temë të diskutuar, Republika e Kosovës është kontestuar vazhdimisht. Që prej kopjeve të kadastrit e deri te tabelat e veturave; që prej regjistrit civil e deri te vulat doganore, që prej heqjes së Republikës përmes fusnotës e deri te “Zajednica”. Dhe po vazhdon të pranohet dhe legjitimohet ky kontestim, duke e normalizuar, madje deri diku edhe mirëkuptuar, qëndrimin armiqësor të Serbisë karshi Kosovës.

Dhe kur hiqet Republika, atëherë çdo gjë bëhet e lejueshme. Republika po hiqet për t’i bërë vend “Zajednicës”.

Për t’u bërë “Zajednica” duhet ribërë Kushtetuta, sepse e para është në kundërshtim me të dytën.

Kompetencat ekzekutive – emërimi i komandantit rajonal të policisë, menaxhimi i buxhetit të financuar edhe nga paratë publike të Kosovës, pronësia në ndërmarrjet publike, mbikëqyrja e zhvillimit ekonomik, e sistemit të shëndetësisë e arsimit, miratimi i masave për të kthyerit, bartja e kompetencave shtesë nga niveli qendror.

Kompetencat legjislative – propozimi i amandamenteve të ligjeve, adresimi i çështjeve në Gjykatën Kushtetuese.

Kompetencat përfaqësuese – përfaqësimi i “Zajednicës” te organet e pushtetit qendror si një trup të vetëm, përfaqësimi i “Zajednicës” jashtë Kosovës si diçka tjetër prej Republikës së Kosovës.

Të gjitha këto janë në shpërputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Zbatimi i tyre natyrisht që e deformon këtë republikë deri në shformim.

Sepse Republika pa karakterin unitar të shtetit dhe pa parimin bazë të barazisë nuk mund të jetë e tillë. E “Zajednica” i anulon të dyja këtu, i bën të pazbatueshme, duke e bërë kështu Republikën të pazbatueshme.

Dhe e tëra kjo i është lënë në duar trinomit Kryeministri i Kosovës, Kryeministri i Serbisë, Gjykata Kushtetuese. Projektet e tilla antirepublikë nuk e durojnë demokraciën.

Vendimmarrja për to duhet reduktuar në sa më pak institucione dhe sa më pak njerëz. Kuvendi i Republikës karshi “Zajednicës”, që i bie karshi kompetencave të “Zajednicës”, që i bie praktikisht karshi çdo gjëje, nuk do të jetë më Kuvend i Republikës, por njëri prej kuvendeve i barabartë me Kuvendin e “Zajdenicës”. Çdo gjë për “Zajdnicën” do të miratohet nga Kuvendi i saj dhe do të diskutohet në nivelin e lartë të dialogut, pra në mes të kryeministrave, për t’u shqyrtuar pastaj në Gjykatën Kushtetuese.

Këto aranzhime e përjetësojnë dialogun Kosovë – Serbi, duke krijuar penjë të shumtë të marrëdhënies së veçantë mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk ka kjo asgjë të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve. Këtu po normalizohet vetëm kjo marrëdhënie e veçantë, gjithësesi abnormale, sepse asimetrike, e padrejtë dhe shtetrrënuese. Jo vetëm kaq: garanca e themelimit të “Zajednicës” nga Serbia, financimi i drejtpërdrejtë i saj për buxhetin e “Zajednicës”, domosdoja e dakorduar e miratimit të secilit aspekt të “Zajednicës” nga kryeministri i Serbisë, e veshë Serbinë me ingerenca të plota politike në institucionet e Kosovës.

Në Kosovë nuk mund të fitojnë edhe Republika edhe Serbia. Pozicioni i ndërmjetësit në këtë dialog që kërkon të fitojnë të dyja palët është i pamundshëm. Fitorja e njërës palë e përjashton palën tjetër. Ky pozicion ka shërbyer si kamuflim për humbjet e vazhdueshme të Kosovës. Fitorja e vetme që po e proklamojnë apologjetët e dialogut dhe marrëveshjeve është se dokumentet paskan qenë shumë më të këqija, dhe se këta falë aftësive të tyre, paskan arritur ta zbusin sadopak të keqen.

Se si mund të jetë ndarja e Kosovës, formalizimi i kontrollit të Serbisë mbi një pjesë të territorit, ndarja e parasë publike, ndarja e pasurisë publike, në të mirën e vendit tonë? Kjo na e pamundëson edhe shtetndërtimin edhe zhvillimin.

Nuk ka zhvillim të Kosovës pa një Trepçë të zhvilluar. E kemi parë për 16 vite se si kur nuk punon Trepça nuk mund të punojë Kosova. Se si kur mbetet e ndarë Kosova mbetet e ndarë edhe Trepça.

Nuk ka industrializim të vendit, as energji e as bujqësi, pa Liqenin e Ujmanit.

Nuk ka investime pa pasur treg të sigurt. Me “Zajednicën” po i ndajmë resurset, infrastrukturën, energjinë, telekomunikacionin, por edhe tregun. Valës, me marrëveshje, ia zvogëluan tregun, ashtu edhe shpërndarjes dhe funrnizimit me energji elektrike. Dhe kjo do të vazhdojë duke u thelluar. Ky uzurpim i formalizuar i resurseve dhe ky fragmentarizim tregu na pamundëson zhvillimin.

Kjo qeveri është dorëzuar. Duke arsyetuar nënshkrimin e marrëveshjeve me moskontrollin në veri që prej pas luftës, Mustafa po tregon se do të heq dorë nga secili aspekt i shtetndërtimit që ka ngecur deri tash. Pra, me të njëjtën logjikë, ai heq dorë edhe nga funksionalizimi i gjyqësorit për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, sepse edhe në këto Kosova nuk është se ka pasur ndonjë sukses. Pastaj, le të heqim dorë edhe nga zhvullimi ekonomik dhe mirëqenia e qytetarëve, sepse deri tash nuk arritëm të bëjmë dot. E kështu me radhë. Vazhdon Mustafa në dorëheqjen e tij nga shtetbërja, vetëm e vetëm për të mos hequr dorë nga posti i kryeministrit. Dhe për ta përdorur këtë post politik për kanalizimin e parasë publike kah bizneset e djemve, për ta rritur dhe zhvilluar Rançin e tij në Prapashticë, për t’i heshtur hetimet për 70 dosjet e dorëzuar në prokurori nga qeverisja e VETËVENDOSJE!-s në Prishtinë.

Dhe vazhdon të kërcënojë, të shajë e të tentojë t’i frikësojë të gjithë ata që nuk pajtohen me të.

Isa Mustafa i ka dhe i përdor policët, por akuzon Lëvizjen VETËVENDOSJE! për logjikë policore. Ai e ka dhe e mirëmban krimin, por akuzon Lëvizjen VETËVENDOSJE! për shërbime kriminale. Mustafa bashkëpunon dhe i shërben SHIK-ut, por e akuzon Lëvizjen VETËVENDOSJE! për SHIK. Të gjitha këto ai i bën për një arsye të vetme, që të zhvendosë vëmendjen nga mllefi popullor kundër “Zajednicës” së tij, kundër varfërimit dhe shtrenjtimit të jetës, kundër korrupsionit dhe dobësimit të shtetit që e ka sjellë ai. Ai dëshiron t’i tremb aktivistët dhe qytetarët, duke ndërsyer kundër nesh njerëzit e vet.

Por nuk do t’ia dal. Ashtu siç nuk ia doli ta mbrojë dhe mbajë Jabllanoviqin në janar.

Ndryshimet thelbësore vijnë nga masat, qytetarët e organizuar e të vendosur.

Më Shumë

Vazhdojnë punimet në oborrin e SHMU “Gani Saramati” në Prizren

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se po vazhdojnë punimet në oborrin e SHMU "Gani Saramati" në Prizren. Gjatë këtyre punimeve, janë ndërtuar parkingje të reja,...

Specialja ia ndërpret paraburgimin Isni Kilajt, obligohet t’i japë 30 mijë euro dorëzani

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim që t’i ndërpritet paraburgimi Isni Kilajt, ndonëse sipas tyre ende ekziston dyshimi...

Lajmet e Fundit