Astrit Dehari ishte kthyer nga Zvicra me familjen për të jetuar në Kosovë
Dashurinë për atdheun e kishin qysh si fëmijë. I këndonin në çdo festë; njëjtë sikur në këtë video të vitit 1998, ku shihen dy vëllezërit Arbënor dhe Astrit Dehari, duke kremtuar ditën e flamurit në Cyrih të Zvicrës.
E pikërisht ky mall për atdheun, shtyu Avni Deharin të marrë një vendim të rëndësishëm në jetën e tij.
Ai, së bashku me gruan dhe dy djemtë, pas 20 vjet qëndrimi në Zvicër, vendosi të kthehet në Kosovë, raporton T7.
Kështu në vitin 1999, familja Dehari përfundimisht vendos të jetojë në Kosovë.
Pavarësisht që në Zvicër gëzonin kushte të mira jetese, kjo nuk çonte peshë në mendjen e Astrit Deharit.
I ati i Astritit, Avniu, është veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare.
Këto virtyte, duket që i trashëgoi edhe biri i tij, Astrit Dehari.
Pak kohë më pas, Astriti së bashku me vëllain e tij Arbnorin, u bënë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.
Ata së bashku, organizuan dhe morën pjesë në shumë aktivitete të kësaj lëvizje.
Por, në qershorin e 2014, Astritin me familjen e tij, e goditi lajmi tragjik për vdekjen e Arbënor Deharit.
Zyrtarisht iu tha që Arbënori bëri vetëvrasje duke rënë nga kati i gjashtë i ndërtesës ku jetonte.
Familja por as Vetëvendosje, nuk i besoi versionit që konkludonte se aktivisti i LVV u vetëvra.
Në këtë version nuk besonte as Astriti, i cili pas vdekjes së vëllait u aktivizua edhe më shumë në Lëvizje, duke qenë fillimisht pjesë e organizatës studentore; Studim Kritikë Veprim.
Astriti student i Mjekësisë, pos që kundërshtonte mënyrën se si po funksiononte Universiteti i Prishtinës, iu bashkua në çdo moment thirrjes dhe protestave kundër demarkacionit që organizonte LVV.
Kundërshtimi i tij do të vazhdonte edhe më shumë, sikur 26 vjecari të mos arrestohej nga policia e Kosovës, si i dyshuar se ka sulmuar Kuvendin e Kosovës.
Nga 30 ditë gushti i vitit 2016, Astriti nisi ditët e mërzitshme të qëndrimit në paraburgim, duke pritur lajme të mira nga institucionet e drejtësisë për lirimin e tij.
Në fakt i vetmi lajm i mirë që mori sa ishte prapa grilave, ishte ai që i dha bashkëshortja e tij, Arta gjatë një vizite që i bëri në qendrën e paraburgimit në Prizren.
Siç ka shkruar edhe në ditarin e tij, Astriti kishte pritur me shumë gëzim lajmin se do të bëhej baba.
Vajza e tij erdhi në jetë, por Astrit Dehari nuk arriti ta takojë kurrë Arsën.
Dhe në ditën kur u konstatua se Astriti nuk bëri vetëvrasje, bashkëshortja e tij pas dhimbjes për të, ka folur në emër të vajzës që nuk arriti ta njoh babanë e saj. /Gazeta Express