18.3 C
Prizren
E martë, 16 Shtator, 2025

Rrëfimi i familjarëve të gruas që qëndroi mbi 5 orë në dhomën ku vdiq

Gjatë ditës së shtunë në orët e para të mëngjesit ka ndërruar jetë në Klinikën e Pulmologjisë së QKUK-së, 74-vjeçarja nga fshatin Loskoparë i komunës së Ferizajt. Ajo ishte e dyshuar për Covid-19, ku pas vdekjes rezultoi pozitive. Por trupi i pajetë i kësaj zonje deri pas orës 10:00 ka qëndruar në dhomën ku ishte e shtrirë, në të cilën kishte pasur edhe pacientë të tjerë.

Familja e saj në një rrëfim për Express ka dhënë detaje të dhimbshme rreth gjithë rastit. Ndërsa, QKUK-ja e jep versionin e saj për këtë çështje.

Një trup i pajetë i mbështjellë me një mbulesë të zezë, kishte qëndruar në një dhomë të repartit C, të Klinikës së Pulmologjisë së QKUK-së, për më shumë se 5 orë.

Bëhet fjalë për trupin e një gruaje të moshës 74-vjeçare e cila kishte ndërruar jetë të shtunën pak pas orës 06:00 të mëngjesit.

Familjarët e së ndjerës, në një deklaratë për Express, po e akuzojnë stafin mjekësor të QKUK-së për neglizhencë ndaj këtij rasti. Ata thonë se në dy testime të bëra në Ferizaj, nëna e tyre doli negativ ndaj COVID=19.

“Nana jem ka dalë negative në dy teste. Në Prishtinë ish krim. Aty ish tmerr. Pakujdesi e mjekëve. Nuk interesohen për pacientin. Jam detyrua që në ora 02:00 të natës me e thirrë policinë. Mjeku nuk u ndalke kur donim ta pyesnim. Kur e thirra policinë dolën krejt mjekët. Dhoma 4 me 3, katër pacientë. Nëna më ka vdek mu në ora 6:30 në mëngjes. Ajo deri pas orës 9 ka qëndrua në dhomë. Me vdekë e me e lanë pacientin ashtu.. unë nuk di se çka të them”, ka deklaruar për Express djali i së ndjerës, Përparim Avdyli.

Ata japin versionin e tyre edhe për çështjen e qëndrimit të trupit të kufomës për orë të tëra në shtratin e Klinikës së Pulmologjisë.

Familja: Në Pulmologji u prish lifti: Trupin e nënës nuk kishim nga ta nxjerrim jashtë

E derisa janë kryer procedurat për lëshimin e trupit të pajetë, në momentin kur familjarët ishin gati për ta marrë turpin e pajetë të 74-vjeçares, në Klinikën e Pulmologjisë nuk punonte lifti.

“Njëherë trupi i nënës ka ndejt aty deri sa i kanë rregullu letrat. Pastaj unë e kam thirë menjëherë atë djalin, një mjeke ma ka gjetë numrin aty. Mandej lifti u prish. U deshtë me pritë ma shumë se një orë për me e tërheq kufomën. Shkallëve poshtë nuk na lenin të zbresim”, deklaron për Express familja e së ndjerës.

Djali i viktimës deklaron se e ka njoftuar edhe policinë rreth këtij rasti.

“Kam thirrë në polici, ata më thanë duhesh me ardhë këtu me e raportua rastin”, deklaron amilja.

Mjekët e QKUK-së: Ne e kemi njoftuar Qendrën Operative, pacientja kishte ardhur në gjendje të rëndë shëndetësore

Për gjithë këtë rast, versionin e vet e ka dhënë edhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës. Mjeku kujdestar, Flamur Marku- pulmolog në Klinikën e Mushkërive.

“Nga ajo që jemi njoftu në mëngjes nga ekipi kujdestar për rastin në fjalë në momentin kur pacienti ka ndërruar jetë është njoftuar Qendra Operative dhe kompania e transportit që merren me rastet e dyshimta apo pozitive me Covid 19. Por tek rasti i pacientes, ajo ka qenë në pritje të rezultatit. Akoma nuk ka qenë e konfirmuar me Covid. Telashja ka ndodhë që nuk është bërë me kohë tërheqja e viktimës”, sqaron Marku.

Mjeku sqaron se pacientja kishte shkuar në klinikë në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Pacientja ka qenë në gjendje të rënde shëndetësore, përkundër terapisë që e ka marrë, ka qenë i pamundur përmirësimi i saj derisa ka ndërruar jetë”, thotë ai duke sqaruar se pacientëve që kanë qenë në dhomë me viktimën u është rekomanduar që ta ndërrojnë dhomën, po ata kanë refuzuar.

“Nuk kemi pasë rast që ka ndodhur kaq shumë të qëndrojnë në një dhomë edhe pacientët e tjerë edhe kufoma e një personi. Ka pas rast kur kufoma ka qëndrua 1 orë ose pak ma shumë, por jo 5 orë”, thotë Flamur Marku.

Kodra: Dikush duhet të japë përgjegjësi për këtë rast

Ndërkaq, Shoqata për të Drejtat e Pacientëve e Kosovës ka reaguar për këtë rast. Besim Kodra nga kjo shoqatë, thotë se kjo nuk është hera e parë që ndodhin raste të tilla.

“Ky nuk është rasti i vetëm i kësaj natyre. Ato kanë ndodhur edhe në të kaluarën. Janë të papranueshme. Kërkojmë nga SHSKUK-ja, MSH-ja që të ndërmarrin masa ndaj personave përgjegjës. Pacienti ka nevojë për dinjitet. E kufoma ka nevojë për një vdekje të dinjitetshme dhe të mos nëpërkëmbet në dhoma e korridore të spitaleve duke mos e kryer një procedurë që do t’i jepte dinjitet”, ka deklaruar Kodra për Express.

Por për gjithë këtë rast kanë hezituar të flasin gjerësisht nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë kosovare. Por ministri Armend Zemaj, në një konferenë për media është pyetur nga gazetarët rreth këtij rasti. Ai ka thënë se Inspektoriati Shëndetësor është i njoftuar për këtë rast.

Trupi i pajetë i viktimës është varrosur të dielën nga familjarët në fshatin Loskoparë të Ferizajt. /Express/

Më Shumë

Pesë vite më parë, mbylli perden përgjithmonë aktori Adem Mikullovci

Më 15 shtator 2020, pikërisht sot para pesë viteve, vdiq aktori Adem Mikullovci. Ai iku për t’u përjetësuar gjithmonë përmes veprave që la pas...

Dalin në shitje biletat e ndeshjes Kosovë – Slloveni

Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se biletat për ndeshjen Kosovë –Slloveni, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, e cila...

Lajmet e Fundit