11.8 C
Prizren
E shtunë, 21 Shtator, 2024

Sa është kriza serioze?

SHKËLZEN MALIQI

Në “krizën” aktuale rreth bllokadës së Kuvendit një gjë është e çuditshme: përderisa opozitës i është lënë hapësira e pakufizuar e veprimeve dhe e radikalizimit të metodave të pengimit të mbajtjes së seancave, nga gjuajtja me vezë deri te përdorimi i gazit lotsjellës, udhëheqësia e Kuvendit me deputetet e pozitës mbajnë qëndrim defanziv, të mos themi edhe krejtësisht pasiv.

Për më shumë, ky pasivitet është i qëllimshëm. Na kujtohet reagimi i parë i Kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, kur pati thënë se nuk do të ndërmarrë veprime kundër opozitës, p.sh., që të ftojë policinë pët ta vendosur rendin dhe mundësuar zhvillimin e seancave.

Veseli i ka kompetencat për këtë, ai mund t’i përdorë forcat e rendit për t’i larguar nga salla deputetët e rebeluar të opozitës. Ky edhe nuk do të ishte precedent ngase ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi ua ka bërë këtë deputetëve të Vetëvendosjes, të legjislacionit të kaluar.

Pse s’po reagon Kadri Veseli?

Përcaktimi i Veselit për mospërdorimin e autoritetit dhe forcës në vendosjen e rendit në Kuvend është interpretuar në mënyra të ndryshme.

Nuk dua të futem në spekulime me çfarë qëllime e ka bërë këtë. Por një gjë më duket e padyshimitë. Veseli nuk e ka bërë këtë as nga mosdija dhe papërvoja politike, ose nga frika se mazhorancës i mungojnë argumentet që përligjin veprimet më të vendosura kundër sfidës së opozitës.

Mendoj se qëndrimi pasiv më parë kushtëzohet nga ndjenja e superioritetit që e ndien mazhoranca, sepse e ka shumicën superiore – mbi dy të tretat e mandateve në Kuvend.

Nga një pikëvështrim i këtillë, aksionet e opozitës janë konsideruar si manovrime të pashpresa dhe, në afate më të gjata, të padëmshme ndaj raportit real të forcave.

Kështu, opozitës i lejohet që ta zbraz dufin, ashtu sikur që i lejohet fëmijëve të lazdruar që të bëjnë disa sherre, për t’i mësuar pastaj se axhamillëku i tyre ka kufi dhe se duhet të zmbrapsen kur të kuptojnë realitetin duke u ndeshur me rregullat dhe murin e superioritetit të mazhorancës.

Për shkak të këtij rreshtimi të çuditshëm dhe tolerancës ndaj dhunës simbolike, dhe atë kërcënuese të opozitës, shumë opinionistë dhe politikanë kanë konkluduar dhe trumpetuar se Kosova qenka futur në një krizë të madhe që, madje, nuk do të mund të kapërcehet me mjete të disponueshme ligjore, por vetëm me masa ndërhyrëse.

Si më e preferuara dëgjohej ideja e instalimit të një tryeze të partive, e cila do të duhej ta pjellte një qeveri tjetër, të koncentruar, ose teknike e kalimtare, që do të duhej t’i përgatiste zgjedhjet e jashtëzakonshme. Por këto ide përmbysëse sikur e huqin tërë një subjekt shumë të rëndësishëm të çështjes, që s’mund të anashkalohet si faktor.

Falimentimi i pozitës

Në këtë zhurmë idesh shpërtimtare nuk hetohet se mazhoranca vërtet është duke ndejtur e qetë, nuk reagon, i duron pa luajtur qerpikët gjuajtet me vezë, zhurmën e bilbilave dhe gazin lotësjellës.

Por, kjo nuk do të thotë se me këtë dëshmohet se ajo tashmë qenka një forcë e falimentuar, e cila do të duhej që, pothuajse pa rezistencë, t’i dorëzohet fatalitetit, duke bërë kompromise gati të detyrueshme me opozitën.

Krizë do të kishim nëse mazhoranca dhe pushteti i saj nuk do të kishin më asnjë instrument veprimi të ligjshëm dhe efiçient.

Për krizë më serioze do të mund të flsinim nëse grupi më radikal i deputetëve të opozitës (mbase në bllokun opozitar nuk është vetëm Ilir Deda që thërret për veprime më të arsyeshme dhe pa dhunë!), me gjithë përkrahësit militantë që tregohen të gatshëm që të mobilizohen për beteja të hapura me pushtetin dhe policinë, siç ndodhi natën kur u ndalua dhe u mor në pyetje nga policia Albin Kurti, do të kishin potencialin e një kërcënimi përmbysës, të një revolte të gjërë popullore. Ky edhe është skenari me të cilin po e kërcënojnë pushtetin liderët e opozitës.

Por, a e ka opozita përkrah vetes masën kritike që i jep shpresë se mund të konfrontohet me pushtetin dhe ta përmbys atë?

Kjo është vërtet një pyetje e hapur, por ama jo edhe aq kërcënuese siç e shohin opinionistët zhurmues që keqkuptojnë edhe heshtjen e opozitës por edhe, çka është më e rëndësishme – heshtjen dhe qëndrimin e rezervuar të shumicës së popullsisë – që megjithatë janë votues të partive në pushtet. Nuk janë grupimet militante të përkrahësve të opozitës ata që paraqesin rrezikun real për një përmbysje të pushtetit.

Tani që edhe pozita ka lëvizur deklarativisht, duke thënë se nuk do të lejohet më bllokimi i punës së Kuvendit, do të shohim se si qëndron puna me raportin real të forcave.

Nëse p.sh., mazhoranca vendos që t’i mbajë seancat e Kuvendit duke i imobilizuar ose përjashtuar deputetët trazovaçë të opozitës – çka është e pritshme – vërtet mund ta presim kushtrimin e opozitës për protesta masive popullore.

Por sa do të janë ato masive? Kjo është një pyetje që duhet ta mendojnë mirë krerët e opozitës. Agjenda e opozitës për anulimin e dy marrëveshjeve nuk më duket se e ka atë masë kritike të mllefit popullor që premton kryengritje të suksesshme.

(Mos)mbështetja popullore për opozitën

Në të vërtetë, të dyja marrëveshjet e kontestuara ultimativisht, edhe ajo e Aociacionit të komunave serbe, edhe e Demarkacionit me Malin e Zi, nuk perceptohen në opinion ashtu siç i sheh opozita.

Përkundër faktit se Qeveria nuk ka bërë shumë që marrëveshjet të arsyetohen mirë dhe në detaje, ato nuk shihen si diçka që është vendim arbitrar ose gafë e Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, sepse prej kohësh dihet se bëjnë pjesë në dialogun me Serbinë, dhe rregullimin e raporteve me Malin e Zi, si shtet fqinj.

Për më shumë janë marrëveshje që gëzojnë mbështetje të parezervë të SHBA-ve dhe të BE-së, gjë që krijon një kundërpeshë dhe digë të madhe për ambicien e opozitës që t’i paraqet si të dëmshme për Kosovën.

Qytetarët e Kosovës, pjesa dërmuese e tyre, edhe kur heshtin dhe i “këqyrin punët e veta”, e ata po e bëjnë këtë në këtë “krizë të madhe”, vështirë se mund të mobilizoheshin për projekte politike të dyshimta të opozitës.

Ata e ndiejnë se ato objektivisht çojnë drejt një konfrontimi jo të mirëpritur dhe jo pa pasoja të vendit tonë me fuqitë aleate që e kanë mundësuar pavarësimin e Kosovës dhe po angazhohen në afirmimin e plotë të shtetësisë së Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, çka edhe eshtë qëllimi i dialogut me Serbinë.

Kundër marrëveshjeve, kundër Amerikës

Përderisa Kosova e ka një mazhorancë stabile në pushtet, e cila mund të sulmohet dhe të delegjitimohet shumë më fuqishëm në aspektet tjera të të metave që i shfaq gjatë qeverisjes, por jo për marrëveshjet që janë arritur si të bashkërenditura dhe me mbështetje të fuqive aleate.

Shumica e popullsisë në Kosovë më parë i beson Amerikës se klithmave opozitare për “tradhti kombëtare”, nuk mund të flitet për ndonjë “krizë pa rrugëdalje”.

Rrugëdalja më racionale dhe më e shpejt është zbutja dhe zmbrapsja e opozitës që ka marrë një kurs të paudhë dhe avanturier.

Reflektimi im i aspekteve esenciale të situatës më çon te përfundimi se në Kosovë nuk ka krizë serioze.

Ka vetëm krizë të krijuar artificialisht, e shkaktuar nga dhuna interpretative e opozitës pakicë, e cila pretendon se flet në emër të popullit duke marrë njëkohësisht edhe rolin e prokurorit, edhe atë të gjykatësit, e pastaj edhe të ekzekutuesit ose xhelatit të “drejtësisë”.

Realisht, ky është një teatër ku po luhet farsa e mendësisë totalitare. Ajo nuk duhet dhe nuk mund të bëhet fuqi kërcënuese për ardhmërinë e Kosovës.

Opozita godet gabueshëm jo atje ku Qeveria nuk përmbushë interesat e përgjithshme, por në dy çështjet që janë projekte jetike për shtetndërtimin dhe proceset e integrimeve euro-atlantike të Kosovës.

Kjo kolumne është shkruar ekskluzivisht për Klan Kosovën (www.klankosova.tv)

Më Shumë

Në Rahovec shënohet Dita Ndërkombëtare e Paqes

Në Rahovec u shënua Dita Ndërkombëtare e Paqes me një aktivitet të organizuar nga Shoqata e Pavarur e Gruas “Hareja” në bashkëpunim me Drejtorinë...

Rusta: Jam lodhur duke u konsideruar ‘gjyqtare seksi’

Gjyqtarja shqiptare Emanuela Rusta ka zbuluar se është lodhur duke u konsideruar si “gjyqtare seksi” pas gjykimit në Ligën e Kampionëve për femra. 30-vjeçarja u...

Lajmet e Fundit