8.6 C
Prizren
E shtunë, 17 Maj, 2025

Sali Asllanaj kundërshton aktakuzën

Ish-kryetari i Komunës së Suharekës, Sali Asllanaj dhe dy të akuzuarit e tjerë në këtë rast, ish-drejtori i Arsimit në këtë komunë, Sherif Berisha, si dhe drejtori i shkollës “Bajram Curri”, Milazim Hajdari, kanë kundërshtuar aktakuzën ndaj tyre, duke e konsideruar atë si të pabazë.

Kundërshtimet e tyre, ata i kanë dhënë nëpërmjet mbrojtësve të tyre, avokatëve Sehad Haliti, Brahim Sopa dhe Blerim Bajrami, të cilët mohimet e tyre rreth akuzës i kanë paraqitur në formë të shkruar, në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore të Prizrenit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i të akuzuarit Sali Asllanaj, avokati Haliti, tha se qëndron në tërësi në pretendimet e tij, me të cilat e kundërshton aktakuzën, si dhe siç tha ai, sipas një ekspertize financiare të nxjerr nga mbrojtja, i mbrojturi i tij Asllanaj, nuk rezulton se i ka shkaktuar dëme financiare buxhetit të shtetit.

“Sa i përket pjesës së aktakuzës se i mbrojturi im ka shkaktuar dëm në vlerë prej 10.500.50 euro, ne kemi bërë një ekspertizë financiare nga eksperti financiar, nga e cila rezulton se në rastin konkret nuk ka dëm të shkaktuar”, tha avokati Haliti.

Ai tha se gjykata duhet ta merr dhe ta vlerësojë këtë provë si të bazuar.

Kurse, prokurori Mehdi Sefa, ka kërkuar që të refuzohen kundërshtimet e mbrojtjes, duke shtuar se aktakuza ka prova të mjaftueshme, të cilat sipas tij, në vazhdim të procedurës do të vërtetohet fajësia e të akuzuarve, si dhe arsyeshmëria ligjore e aktit të akuzës.

Ndërsa, sa i përket ekspertizës së nxjerr nga mbrojtja e të akuzuarit Asllanaj, prokurori Sefa, tha se e njëjta është në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, pasi që organi i akuzës nuk ka qenë në dijeni për këtë fakt.

“Ekspertiza është në kundërshtim me nenin 141 parag 1 të Kodit të Procedurës Penale, pasi që mbrojtja nuk ka paraqitur një kërkesë me shkrim për këtë ekspertizë në prokurori dhe nuk ka një refuzim nga ana e prokurorit, nuk është respektuar afati prej 14 ditësh pas nxjerrjes së kësaj ekspertizë, me të cilën duhet të njoftohet prokurori i çështjes, ekspertiza është kryer më 30 nëntor të këtij viti, ndërsa prokurorit i dorëzohet sot gjatë shqyrtimit të dytë”, tha prokurori Sefa.

Më pas, mbrojtësi i të akuzuarit Milazim Hajdari, avokati Blerim Bajrami, tha se në kërkesën e paraqitur me shkrim për kundërshtimin e provave, gjykatës ia ka dorëzuar edhe disa prova të tjera materiale, e gjatë seancës të së premtes, një kopje të tillë ia ka dorëzuar edhe prokurorit Mehdi Sefa.

Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, tha se në afatin e paraparë ligjor do të vendosë lidhur me pretendimet e mbrojtjes, e më pas do të caktohet seanca e radhës për këtë çështje penale.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur më 22 tetor 2018, i pandehuri Sali Asllanaj dyshohet se prej 1 shtator 2014 deri më 27 nëntor 2014, në cilësi të personit zyrtar, kryetar i Komunës së Suharekës, se duke e shfrytëzuar pozitën zyrtare, i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër, njëkohësisht duke i shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, Asllanaj, si kryetar i Komunës së Suharekës, pa procedurë të tenderimit, nënshkruan marrëveshjen për mirëkuptim dhe bashkëfinancim ndërmjet Komunës së Suharekës dhe OJQ-së “Kosovo Hope” për projektin “Transporti i nxënësve”, duke shkelur Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren financiare, me ç’rast i shkakton dëm buxhetit të Kosovës në shumën totale prej 10.556.00 euro.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kurse, Sherif Berisha, akuzohet se prej 16 shtator 2014 deri më 27 nëntor 2014, në cilësi të personit zyrtar-drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Suharekë, duke keqpërdorur detyrat e tij zyrtare, lejon që drejtori i shkollës fillore “Bajram Curri” në fshatin Nishor të Suharekës, Milazim Hajdari, të lëshojë raporte për bartjen e nxënësve në periudhën nga 16 shtator deri më 27 nëntor, operatorit ekonomik “Saba Tours”, gjoja se ky operator ka kryer shërbimin e transportit të nxënësve.

Në aktakuzë, thuhet se i njëjti në periudhën e njëjtë kohore, ka lëshuar edhe tri raporte operatorit “Shqiproni Tours”, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerën e 6572 euro, ngase kjo shumë i ishte paguar operatorit “Saba Group” për shërbimin që nuk e kishte kryer.

Po ashtu, sipas aktakuzës, Berisha, i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit rreth 4000 euro, ngase si përgjegjës për menaxhimin e projektit, nuk i kishte kërkuar mjetet të cilat nuk ishin shpenzuar nga pjesa e investimeve të përgjithshme marrëveshjen për mirëkuptim dhe bashkëfinancim ndërmjet Komunës së Suharekës dhe OJQ-së “Kosovo Hope”.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, i akuzuari, Milazim Hajdari, në cilësi të drejtorit të shkollës fillore “Bajram Curri” në fshatin Nishor të Komunës së Suharekës, akuzohet se i tejkalon kompetencat e tija me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit, si dhe duke përpiluar raporte për bartjen e nxënësve operatorëve të ndryshëm, me anë të së cilës shkel ligjin mbi detyrat e tij.

Sipas organit të akuzës, dëmin që ia shkakton buxhetit të Republikës së Kosovës, kap vlerën e 6572 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Më Shumë

Ndërron jetë mësimdhënësi nga Prizreni,Fatih Lubiçeva

Ka ndërruar jetë mësimdhënësi i njohur nga Prizreni, Fatih Lubiçeva. Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar Drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit në...

Rasti i vdekjes së 24-vjeçarit, arrestohen tre persona në Prizren

Tre persona kanë përfunduar në prangat e Policisë pas rastit të vdekjes së dyshimtë, mbrëmë në Prizren, ku humbi jetën një 24-vjeçar. Kliko videon:https://www.facebook.com/PrizrenPress/videos/694715393046470 Klankosova.tv merr...

Magjia e dritës

Lajmet e Fundit