Kandidati për kryetar të Komunës së Prizrenit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Shaqir Totaj, ka thënë se ai dhe PDK-ja është oferta më e mirë për qytetarët e kësaj komune.
Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, Totaj ka thënë se zhvillimi ekonomik, menaxhimi i mirë, si dhe përkrahja e rinisë dhe fuqizimi i gruas në vendimmarrje do të jenë prioritetet kryesore gjatë mandatit të tij qeverisës.
“Duke u nisur nga përgatitja arsimore dhe përvoja profesionale, oferta ime për qytetarët e Prizrenit në fokus do ta ketë zhvillimin ekonomik, menaxhimin e mirë të administratës publike, krijimin e kushteve për rininë si dhe avancimin e gruas në pozitat vendimmarrëse”, ka deklaruar Totaj.
Ai ka treguar se i ka hyrë garës për kryetar të komunës me një vetëbesim të madh dhe është shprehur i bindur në fitore më 22 tetor.
“Nga takimet me qytetarë, nga takimet me grupet e biznesit si dhe nga vizitat në lagje të ndryshme në qytet dhe në fshatra, jemi në gjendje të mirë dhe ekziston një arsye për të qenë optimist se zgjedhjet do të përfundojnë me sukses për mua dhe për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) në Komunën e Prizrenit. Jam një ish-sportist dhe nuk i frikësohem konkurrencës. Përkundrazi, konkurrenca më motivon që të jem më i suksesshëm dhe më i mirë se ata. Edhe në politikë po shoh këto ditë se ka shumë gjëra për të mësuar nga të mirat e sportit që lidhen me strategjinë, udhëheqjen, inovacionin, disiplinën, shpirtin e ekipit e deri tek përballja me konkurrentët. Madje në sport është një shprehje e bukur që thotë: ‘Përqendrohu gjithmonë tek fitorja e ardhshme, jo tek ajo që ke kaluar’. Unë jam fokusuar në fushatë konkrete me qytetarët që do ta sjell edhe fitoren”, është shprehur Totaj.
Ai ka premtuar krijimin e fondit për punësim prej dy milionë eurosh për përkrahjen e bizneseve të vogla dhe të mesme.
“Kemi premtuar fondin e punësimit prej dy milionë eurosh. Ky premtim do të realizohet gjatë mandatit tim qeverisës. Burimet e këtij fondi do të vijnë nga të hyrat vetjake të komunës dhe ky fond do të shfrytëzohet për përkrahjen dhe zhvillimin e bizneseve të reja, të mesme dhe të vogla, ku përparësi do të kenë rinia dhe gratë me idetë e tyre kreative. Buxheti në kuadër të këtij fondi do të jetë dy milionë euro, kurse sa i përket numrit të personave që do të punësohen, do të varet nga idetë dhe projektet kreative për themelimin e bizneseve të reja”, ka thënë Totaj, duke premtuar se Prizrenin do ta transformojë në një qendër rajonale. “Tani Prizrenit i duhet një ekonomist, një menaxher që e ka gjetur. Unë dhe bashkëpunëtorët e mi jemi forca e ndryshimit dhe Prizrenin do ta transformojmë në një qendër rajonale”, ka theksuar Totaj, transmeton Klan Kosova.