5.7 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Shehu për kallëzimin penal të Nismës: E kanë gabuar adresën

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit, Visar Shehu, ka komentuar dorëzimin e kallëzimit penal të Nismës Socialdemokrate, për kontratën e furnizimit me material shpenzues sanitar për nevojat e shërbimeve shëndetësore për mbrojtje nga koronavirusi.

Ai tha se në këtë rast ky dikaster ka qenë vetëm njësi kërkuese, derisa kontrata në fjalë është lidhur nga Zyra e Prokurimit.

“Ne si njësi kërkuese vetëm e kemi bërë kërkesën në bazë të specifikacioneve që kemi pasur nevojë për materiale të caktuara, ndërkohë që puna tjetër ka qenë e Zyrës së Prokurimit”, ka thënë Shehu.

Sipas tij, është e drejtë e secilit që të paraqesë kallëzim penal për çdo dyshim të mundshëm dhe ka shtuar se është në dispozicion të plotë të organeve të drejtësisë. Megjithëkëtë, ka shprehur qëndrimin se ushtruesit e kallëzimin penal në këtë rast e kanë adresën e gabuar.

“Ata të cilët e kanë bërë kallëzimin penal kanë qenë në pushtet deri më tani dhe është dashur ta dinë se ku duhet adresohen. Nëse s’e kanë ditur, është fatkeqësi se me çfarë njerëz kemi të bëjmë”, ka deklaruar Shehu.

Dega e Nismës Socialdemokrate në Prizren të hënën ka paraqitur kallëzim penal ndaj tre zyrtarëve komunalë për kontratën e furnizimit me material shpenzues sanitar për nevojat e shërbimeve shëndetësore për mbrojtje nga koronavirusi. Partia opozitare me këtë rast ka shprehur qëndrimin se ka dyshime që në këtë lëndë bëhet fjalë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik.

Në kallëzimin penal që është dërguar me postë në Prokurori për shkak të zbatimit të masave kundër përhapjes së koronavirusit, shkruan se kryetari Mytaher Haskuka, drejtori i Shëndetësisë, Visar Shehu dhe shefi i Zyrës së Prokurimit, Isa Osmankaj dyshohen për shkelje të dispozitave të kodit penal.

Kryetari i degës së Nismës në Prizren, Zafir Berisha, ka theksuar se keqpërdorimet në situatë të pandemisë janë të papranueshme. Sipas tij, ekzistojnë dyshime të bazuara se tre zyrtarët komunalë kanë nënshkruar kontratë për furnizim me material mbrojtës me çmime që nuk janë në përputhje me ato të tregut, si dhe me një operator që në aktivitetet e saja nuk merret me produkte medicinale.

“Tenderi i fundit që ne sot kemi bërë kallëzim penal për tre zyrtarët komunalë ka qenë shokues, sepse duke i marrë parasysh çmimet e tregut dhe çmimet e negociuara të një firme të dyshimtë, dyshojmë se keqpërdorimi mund të shkojë rreth 70 mijë euro”, ka thënë Berisha, duke shprehur bindjen se kallëzimi penal do të trajtohet nga organet e drejtësisë sipas ligjit. Në të njëjtën kohë, ka theksuar se synimi i Nismës në këtë rast është që të tregohet se kundruall ligjit askush nuk është i paprekshëm.

“Ne dyshojmë shumë për shkak se në një komunë fqinje për të njëjtat gjëra çmimet kanë qenë goxha të ulëta dhe Komuna e Prizrenit më shumë se 100 për qind me taksa të qytetarëve ka paguar të njëjtin produkt. Kjo vërtet është e papranueshme dhe e kemi parë të arsyeshme të bëjmë këtë kallëzim penal”, ka deklaruar Berisha.

Gazeta ka raportuar për dyshimet e ngritura lidhur me këtë kontratë, ku çmimi total i furnizimeve është 102 mijë euro. Çmimet e produkteve që figurojnë në të nga opozitarët janë cilësuar si skandaloze, meqë sipas tyre, janë blerë maska e pajisje tjera me çmime më të larta sesa ato të tregut.

Në anën tjetër kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ditë më parë, gjatë një paraqitjeje në mediat lokale pati bërë të ditur se çrregullimi i tregut në kohë pandemie ka ndikuar në lëvizjen e çmimeve të produkteve që janë pjesë e këtij aktiviteti të prokurimit.
Sipas tij, edhe paramasat janë bërë me standarde më të larta, me qëllim që të mbrohet stafi mjekësor./KOHA/

Më Shumë

Arrestohet kampioni i boksit Florian Marku

Kampioni shqiptar i boksit, Florian Marku është arrestuar në Gjermani. Mësohet se ai ishte në kërkim nga autoritete greke, si i dënuar me 7...

Parashqevi Simaku me këngë për Krishtlindje

Artistja shqiptare, Parashqevi Simaku së shpejti do të vijë me një këngë. Kështu ka bërë të ditur bznesmeni Elton Ilirjani për Top Story, duke theksuar...

Lajmet e Fundit