Behare Kryeziu, e cila akuzohet se në cilësinë e drejtoreshës së shkollës “Mustafa Bakiu” ka falsifikuar një dokument të kësaj shkolle, të hënën, ka thënë se vërtetimi origjinal është anuluar, ndërsa në dokumentin që posedon akuza nuk është nënshkrimi i saj.
E akuzuara Kryeziu, gjatë mbrojtjes së saj, ka thënë se duke i besuar fjalëve të kërkueses së vërtetimit, se e njëjta ka kryer praktikë në shkollën në fjalë para se ajo të bëhej drejtoreshë dhe duke mos pasur një regjistër të personave që kanë kryer praktikë, në mirëbesim ka lëshuar një vërtetim.
Mirëpo, sipas të akuzuarës, në ditën kur ajo ka lëshuar vërtetimin në fjalë, është ftuar në zyre nga drejtori i Arsimit në Prizren dhe i është tërhequr vërejtja se vërtetimi si i tillë nuk është në rregull, andaj thotë të njëjtin e ka anuluar si të parregullt.
Ajo ka thënë se vërtetimin në fjalë ia ka dhënë sekretarit të shkollës, të cilit, sipas saj, i ka thënë që ta anulojë vërtetimin sepse nuk është në rregull, duke shtuar se vërtetimi që posedon organi i akuzës, është fotokopje dhe se nuk përmban nënshkrimin e saj.
Ajo ka thënë se krejt rasti është ngritur me qëllim të hakmarrjes nga sekretari i shkollës, i cili, sipas saj, nuk është rasti i vetëm që është munduar që përmes policisë të ngritë aktakuza ndaj saj.
Para se e akuzuara të jepte mbrojtjen e saj, trupi gjykues dhe prokurori kanë bërë shikimin direkt të librit të protokollit të shkollës “Mustafa Bakiu” për të parë nëse ka manipulime në të ashtu siç pretendohet nga organi i akuzës.
Pas shikimit të librit të protokollit, mbrojtësi i të akuzuarës, avokati Kujtim Kërveshi, ka deklaruar se megjithëse sipas kodit penal është dashur një shikim i tillë të bëhej nga organi i akuzës para se të ngrihej aktakuza, një shikim i tillë edhe në këtë fazë tregoi se pretendimet e prokurorisë janë të pabaza.
Pas dhënies së mbrojtjes nga e akuzuara Kryeziu, avokati i saj, Kujtim Kërveshi, ka kërkuar nga trupi gjykues, një afat me qëllim të përgatitjes së fjalës përfundimtare, me të cilin propozim u pajtua edhe prokuroi i rastit, Metush Biraj.
Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Skender Çoçaj, ka aprovuar kërkesën e mbrojtësit Kërveshi dhe shqyrtimin e ka shtyrë për 21 maj 2018, duke filluar nga ora 09:00.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, akuzon Behare Kryeziun se në cilësinë e drejtoreshës së shkollës “Mustafa Bakiu” në Prizren, ka përpiluar një vërtetim me të dhëna të rreme, të cilin më pas e ka nënshkruar dhe vulosur, në mënyrë që të përdoret punësim.
Sipas aktakuzës, e akuzuara ka lëshuar vërtetim për Suzana Ajazajn, kinse ajo ka bërë zëvendësimin e një edukatoreje të shkollës në fjalë, në periudhë prej gjashtë muajsh, i cili vërtetim më pas do të përdorej nga Ajazaj për të konkurruar për punësim si edukatore.
Andaj, organi i akuzës, pretendon se e akuzuara Kryeziu, me veprimet e saj ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar, andaj e njëjta rrezikon të dënohet me burgim prej gjashtë muajsh deri në pesë vjet./betimiperdrejtesi/