18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Shkullaku: Nuk është çudi koalicioni PDK-LDK

ArmandShkullaku-kolumnistOpinionisti nga Shqipëria, Armand Shkullaku, i cili është mjaft aktiv në Kosovë, sidomos në kohë zgjedhjesh, ka thënë se gjatë fushatës elektorale, e cila zyrtarisht fillon sot (e mërkurë), do të ketë ashpërsim të fjalorit politik, sidomos nga LDK-ja në raport me PDK-në.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Shkullaku ka vlerësuar se diskursit politik të LDK-së nuk do t’i kundërpërgjigjen Hashim Thaçi dhe partia e tij. “Kjo parti – LDK-ja – do të jetë më e zëshme dhe do të tentojë të imponojë një lloj diskursi me agresiv në fushatë ndaj Qeverisë. Ndërsa sa i takon PDK-së, mendoj se fushata e PDK-së do të jetë e përqendruar tek oferta ekonomike dhe nuk besoj se do të replikojë ose të bëjë kundërakuza ndaj LDK-së”, ka deklaruar Shkullaku. Në këtë kontekst, Shkullaku ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje!, në krahasim me zgjedhjet e kaluara, është duke bërë fushatë më përmbajtjesore. “E veçanta e kësaj fushate, sipas meje, qëndron tek Vetëvendosja!, e cila, ndryshe nga subjektet e tjera politike, ka një fushatë më të pjekur politikisht, më të maturuar, më të kujdesshme dhe mua më krijohet përshtypja sikur Vetëvendosja! është duke e ndjerë që pesha e saj është duke u rritur dhe në këtë aspekt është duke u treguar më e kujdesshme edhe në fushatën e saj”, ka thënë Shkullaku.

Ndërkaq duke folur për epilogun e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Shkullaku ka se mund të ketë surpriza në këto zgjedhje. Sipas Shkullakut, PDK-ja mund të dalë përsëri forca e parë politike në Kosovë. “Se cila do të jetë partia e parë është vështirë ta them, por nëse do t’u referohesha zgjedhjeve lokale të vitit 2013, ku PDK-ja kishte një avantazh të lehtë ndaj LDK-së në numrin total të votave dhe duke parë fushatën e deritanishme, pa gjykuar se çfarë do të ndodhë në dhjetëditëshin e ardhshëm, PDK-ja mund ta ruajë këtë avantazh të lehtë”, është shprehur Shkullaku.

Pas 8 qershorit Shkullaku nuk e ka përjashtuar një koalicion në mes të PDK-së dhe LDK-së, por ka thënë se AAK-ja ka mundësi të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme qoftë me partinë e Thaçit apo Mustafës. “Nuk e shoh një koalicion të tillë, por nuk e përjashtoj, sepse gjithçka do të varet nga numrat. Ky koalicion në dukje të parë mund të mos jetë i shëndetshëm për demokracinë, por nëse Kosovë ka ardhur koha të ketë një opozitë vërtet të fuqishme, e këtë e shoh te Vetëvendosja!”, ka deklaruar Shkullaku.

“Epoka e re”: Z. Shkullaku, cilat janë pritjet tuaja me rastin e fillimit të fushatës elektorale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë?
Shkullaku: Fushata zgjedhore zyrtarisht fillon sot, sepse normalisht kjo fushatë ka filluar prej kohës. Gjatë gjithë këtyre ditëve kemi qenë në fushatë. Ajo që mund të veçoja në këtë parafushatë është vënë re një shkëputje e ndjeshme e PDK-së dhe kryeministrit Thaçi. Pra, ata kanë qenë në fushatë shumë më herët, madje kanë qenë aktivë dhe energjikë para se të caktohet data e zgjedhjeve. Do ta veçoja edhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, e cila, pas PDK-së, ka qenë partia më energjike në këtë fushatë. Ndërsa LDK-ja vetëm në dy-tre ditët e fundit, si të thuash, e ka shtuar ritmin e fushatës, pasi para disa ditësh të është krijuar përshtypja se nuk ishte në fushatë. Ajo çfarë unë parashikoj, fushata zgjedhore deri më 6 qershor do të vijë duke u ashpërsuar nga ana e LDK-së. Kjo parti do të jetë më e zëshme dhe do të tentojë të imponojë një lloj diskursi më agresiv në fushatë ndaj Qeverisë. Ndërsa sa i takon PDK-së, mendoj se fushata e saj do të jetë e përqendruar tek oferta ekonomike dhe nuk besoj se do të replikojë ose të bëjë kundërakuza ndaj LDK-së.

“Epoka e re”: Sipas jush, do të ketë ashpërsim të fjalorit politik vetëm nga ana e LDK-së?
Shkullaku: LDK-ja mund të përdorë një diskurs të ashpër politik, sepse ndoshta dëshiron t’i japë më shumë nerv fushatës së saj elektorale, sepse deri tani i ka munguar nervi. Ndërkohë që, PDK-ja nuk besoj se do ta ashpërsojë fjalorin e saj apo do të reagojë ndaj fushatës së LDK-së. Hashim Thaçi ka zgjedhur të përqendrohet vetëm tek oferta ekonomike dhe vështirë se do të devijojë deri më 6 qershor. Pra, ai do ta luajë rolin e askujt, por do të merret vetëm me ofertën e tij. Ky është një parashikim i imi, megjithatë nuk i dihet. E veçanta e kësaj fushate, sipas meje, qëndron tek Vetëvendosje!, e cila, ndryshe nga subjektet e tjera politike, ka një fushatë më të pjekur politikisht, më të maturuar, më të kujdesshme dhe mua më krijohet përshtypja sikur Vetëvendosje! është duke e ndjerë që pesha e saj është duke u rritur dhe në këtë aspekt është duke u treguar më e kujdesshme edhe në fushatën e saj. Në qoftë se në fushatat e kaluara Vetëvendosje! ka qenë më agresive dhe më e lëvizshme, kësaj radhe vërehet maturia e saj politike që ia ka rritur peshën e saj.

“Epoka e re”: Vlerësoni se është më përmbajtjesore kjo fushatë elektorale në krahasim me fushatat e tjera?
Shkullaku: Është vështirë të them se kjo fushatë është më përmbajtjesore. Kjo fushatë duket më e fokusuar në çështjet që kanë të bëjnë me jetën e qytetarit, por përmbajtja mungon përsëri. Në këtë drejtim kemi përqendrim të diskursit politik në çështje ekonomike, por përmbajtje konkrete ekonomike vështirë se mund të veçosh, pra kemi premtime, por jo angazhime konkrete.

“Epoka e re”: Z. Shkullaku, nga perspektiva juaj, cila parti do të jetë fituese e zgjedhjeve parlamentare? Cila parti do të jetë e para, cila e dyta e cila e treta?
Shkullaku: Është shumë e vështirë të japësh parashikime. Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, mendoj se këto zgjedhje janë më vështirë për t’u parashikuar edhe në qoftë se do të kishim një bastore, pra do të ishte vështirë të parashikohet se a do të fitojë Real Madridi apo Barcelona. Zgjedhjet në Kosovë janë bërë si liga spanjolle në futboll, pra ka konkurrentë të fortë. Mendoj se mund të ketë surpriza të ndonjë partie që nuk pritet. Në këtë aspekt mendoj se mund të jetë Lëvizja Vetëvendosje!, ndoshta do të ketë një rritje. Ndërsa se cila do të jetë partia e parë është vështirë ta them, por nëse do t’u referohesha zgjedhjeve lokale të vitit 2013, ku PDK-ja kishte një avantazh të lehtë ndaj LDK-së në numrin total të votave dhe duke parë fushatën e deritanishme, pa gjykuar se çfarë do të ndodhë në dhjetëditëshin e ardhshëm, PDK-ja mund ta ruajë këtë avantazh të lehtë.

“Epoka e re”: Pas 8 qershorit, kush me kënd mund të bëjë koalicion për ta drejtuar Qeverinë e re të Kosovës?
Shkullaku: Edhe kjo pyetje është për “një milionë dollarë”. Koalicioni pas zgjedhjeve do të varet shumë nga fituesi. Nëse PDK-ja do ta ruajë avantazhin si partia e parë, pavarësisht diferencës në përqindje ose në vota, mendoj se nuk do të jetë e pamundur të krijojë një koalicion me AAK-në dhe forcat e tjera. Personalisht AAK-në e shoh si një mundësi për koalicion qoftë me PDK-në, qoftë me LDK-në.

“Epoka e re”: Do të ishte i pamundur koalicioni PDK-LDK?
Shkullaku: Nuk e shoh një koalicion të tillë, por nuk e përjashtoj, sepse gjithçka do të varet nga numrat. Ky koalicion në dukje të parë mund të mos jetë i shëndetshëm për demokracinë, por nëse në Kosovë ka ardhur koha të ketë një opozitë vërtet të fuqishme, këtë e shoh te Vetëvendosja! Nuk është çudi të shohim një koalicion PDK – LDK. Në këtë drejtim do të kishim një forcim të rolit opozitar të Vetëvendosje!-s, të cilën pas katër vjetëve e shoh forcën kryesore politike në Kosovë.

Më Shumë

Rahovec: Arrestohet një person pas konfliktit fizik me bashkëshorten

Një person në Rahovec është arrestuar pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Incidenti nuk ka shkaktuar lëndime fizike, por policia  ka vendosur...

UEFA dënon Shqipërinë një muaj pas Europianit

Një muaj pas ndeshjes së fundit të Shqipërisë në Europianin e Gjermanisë, UEFA ka mbyllur hetimet për kuqezinjtë, duke dënuar Federatën me gjobë dhe...

Lajmet e Fundit