Shqipe Adem Jashari është Juriste, bashkëshorte e Xhevdet Krasniqit, avokat. Ajo është nënë e dashur e tre fëmijëve, Aureolës 6 vjeçe, e cila me krenari reciton vargje për gjyshin Adem, dhe dy binjakëve: djali, Vlerori dhe vajza, Epopeja, të dy nga tre vjet.
Fotoja e Komandantit Legjendar, Adem Jashari, që tanimë është e pranishme në qindra e mijëra shtëpi të familjeve liridashëse shqiptare, duket se më së miri zë vendin në ballë të oxhakut të shtëpisë së Shqipe Jasharit. Fotografia e legjendarit qëndronte përballë edhe në zyrën ku punonte Shqipja, raporton Radio Kosova e Lirë.
RKL: Jasharët mbijetuan, falë përkushtimit dhe sakrificës për liri e pavarësi, falë besimit në fitore. Si ndiheni si bijë e Komandantit Legjendar përveç dhembjes së ligjshme dhe krenarisë së natyrshme?
Shqipe Jashari: Kjo është ë vërtetë. Epopeja e familjes sonë nuk ndodhi rastësisht. Për këtë epope, Familja jonë e madhe kishte vite që ishte përgatitur.
Fillimisht ndodhën tri rrethime të familjes: Rrethimi i Parë, më 30 dhjetor, Rrethimi i Dytë, më 22 janar të vitit 1998 dhe Rrethimi i Tretë me 5, 6 dhe 7 mars të po atij viti. Kjo qëndresë me të drejtë u shndërrua në Epopenë më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe vlerësohet edhe si shembull unikat në historinë e njerëzimit, në luftë për liri të një populli. Prandaj kjo ngjarje e lavdishme, kjo epope, jo vetëm mua si bijë e Komandantit Legjendar më bën të ndjehem mirë dhe krenare, por besoj fuqishëm që këtë ndjenjë të krenarisë dhe përkushtimit të luftës për liri e kanë të gjithë shqiptarët.
RKL: Tani jemi në vigjilje të 16-vjetorit të Betejës së Jasharëve në Prekaz kundër regjimit okupator serb. Përvjetorët shkojnë e vinë. Kujtimi për më të dashurit rikthen momente të rënda e të lavdishme të asaj kohe. Si ndiheni ju dhe Jasharët përgjithësisht në manifestimin e përvjetorëve?
Shqipe Jashari: Mendoj se pas çlirimit të vendit, kryevepra të luftës sonë të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare ishin dhe mbetën përvjetorët e lavdishëm të saj, me qëllim për t’i kujtuar të gjithë ata që dhanë më të shtrenjtën, që dhanë gjakun e tyre për lirinë e këtij vendi, edhe pse ende nuk shkuan në vend idealet e tyre. Prandaj kjo gjendje e tanishme sikur e zbeh paksa madhështinë e kësaj ngjarjeje, dhe na bënë të ndiejmë më shumë dhimbjen e më të dashurve tonë, për mos realizimin e amanetit te tyre.
RKL: A mendoni se Qeveria e Shteti i Kosovës ka bërë sa duhet për dëshmorët e në këtë mes edhe për Jasharët, në Prekaz, ku edhe është realizuar një pjesë reprezentuese e Kompleksit Memorial “Adem Jashari”?
Shqipe Jashari: Fatkeqësisht, Shteti i Kosovës ka bërë krejt pak për dëshmorët dhe familjet e tyre. Këtë e them duke ditur se ende ka familje dëshmorësh që nuk kanë kulm mbi kokë, ende ka familje dëshmorësh që fëmijët e tyre mezi e sigurojnë bukën e gojës, ende ka familje dëshmorësh që nuk kanë kushte elementare për jetë në raport me pushtetarët e pasuruar dhe të verbuar nga pasuria dhe mirëqenia gati mbretërore. Ata, u pasuruan mbi kurriz të dëshmorëve dhe familjeve të tyre.
RKL: Ju me kohë keni krijuar familje, keni bashkëshortin dhe tre fëmijë. Jeni edhe në punë, si ia dilni me problemet dhe sfidat e jetës?
Shqipe Jashari: Po, ky është një proces i natyrshëm, një proces jetësor. Një familje e shëndoshë është shtylla bazë e shoqërisë së shëndoshë. Në këtë drejtim pata fatin që të kem një martesë me një bashkëshort që më kupton, i cili më ndihmon në jetë dhe më ka bërë që jetën ta kem më të lehtë dhe më të lumtur. Martesa jonë u kurorëzua me tre fëmijë: vajzën e parë, Aureolën që tani është 6 vjeçe dhe binjakët: Vlerorin dhe Epopenë, të cilët kanë mbushur nga tre vjet. Detyra ime dhe e bashkëshortit është t’i rrisim, t’i edukojmë, t’i arsimojmë e t’i përgatisim për jetë, në mënyrë që ata të bëhen qytetarë të denjë të vendit dhe të japin kontribut në zhvillimin dhe përparimin e Shtetit dhe të kombit tonë.
RKL: Cili është mesazhi Juaj për opinionin liridashës në përvjetorin e 16-të të Epopesë Lavdiplote të Jasharëve dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?
Shqipe Jashari: Mesazhi im është që edhe këtë përvjetor, sikur çdo përvjetor tjetër paraprak ta festojmë ashtu sikur na ka hije dhe ashtu sikur e meritojnë dëshmorët. Sa herë vijnë përvjetorët e dëshmorëve na japin forcë, shpresë, besim në frytet e fitores dhe shtytje për fitore të reja.