11.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Shtatë dëshmi për rastin e Ramadan Mujës

Në rigjykimin ndaj ish-kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja dhe katër zyrtarëve të tjerë të kësaj komune, Minir Krasniqi, Sadik Paqarizi, Avni Ademaj e Abdullah Tejeci, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, janë lexuar dëshmitë e shtatë dëshmitarëve.

Ashtu sikurse në seancën e kaluar të 20 marsit 2018, kur u lexuan dëshmitë e 10 dëshmitarëve edhe në seancën e së martës, është vepruar njëjtë, me leximin e dëshmive të dëshmitarëve të dhëna më herët.

Gjatë kësaj seance u lexuan deklaratat e dëshmitarëve Agim Pejeci, Ahmet Krasniqi, Ahmet Shala, Muhamet Kurtaj, Sefer Regjaj dhe Ismet Kryeziut, të dhëna në gjykimet e shtatorit dhe nëntorit të vitit 2013.

Sipas deklaratave të lexuara në seancën e sotme, Pejaci, Krasniqi, Shala dhe Kurtaj, zyrtarë të Komunës së Prizrenit, gjatë vitit 2010 dhe 2011, ishin deklaruar rreth marrëveshjes së partneritetit publiko-privat në mes Komunës së Prizrenit dhe kompanive “Gylistan” dhe “Kamila”, në vendin e quajtur  “Boka Boka”, në fshatin Korishë, gjatë vitit 2010.

Ndryshe, dëshmitari Sefer Regjaj, rreth kësaj çështjeje ishte dëgjuar në cilësi të kryetarit të fshatit Korishë, ndërsa Kryeziu si zyrtarë i Agjencisë Kadastrale të Kosovës.

Leximi i dëshmive të dëshmitarëve është duke u bërë në bazë të kërkesës së prokurores së Prokurorisë Speciale, Fikrije Fejzullahu, pasi ajo kishte kërkuar nga trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Agim Ademi, që të lexohen deklaratat e dëshmitarëve me arsyetimin se trupi gjykues dhe ajo vetë, janë për herë të parë në këtë rast penal.

Seanca e radhës është caktuar  14 maj 2018, në ora 10:00

Ndërkaq, në fillim të këtij shqyrtimi gjyqësor, avokati Pjetër Përgjoka, i cili mbron të akuzuarin, Minir Krasniqi, edhe më tutje, ka kërkuar që dëshmia e Ridvan Hoxhës të shpallet e papranueshme sepse sipas tij, kallëzimi penal nuk mund të përdoret si provë në procedurë, andaj siç ka thënë, nuk duhet lejuar as parashtruesin e kallëzimit penal të jep deklaratë në proces.

Mirëpo, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Agim Ademi, ende nuk kanë vendosur rreth kësaj kërkese së mbrojtësit Përgjoka.

Ndryshe, Prokuroria Speciale në shkurt 2013, ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, ish drejtorit të Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, Sadik Paqarizit dhe ish drejtorit të Gjeodezisë dhe Kadastrit, Avni Ademaj.

Në aktakuzën e ngritur për shpërdorim të detyrës zyrtare ishin të përfshirë edhe ish zyrtarët e Komunës së Prizrenit, Abdullah Tejeci, Minir Krasniqi dhe Kadri Ukimeri.

Muja dhe të tjerët akuzohen nga prokuroria se kanë keqpërdorur pronat komunale të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit

Po ashtu në mesin e pronave bëjnë pjesë edhe dy parcelat ku janë ndërtuar shkolla “Mehmet Akif” dhe fabrika e çokollatës “Kamila” në Prizren, të cilat sipas akuzës nuk kanë kaluar fare përmes Kuvendit Komunal por me vendim direkt të ish kryetarit Muja.

Më 13 mars 2014, pas rreth 30 seancave gjyqësore, Gjykata Themelore në Prizren, ka shpallur aktgjykim dënues për ish kryetarin Muja dhe të tjerë.

Muja  ishte dënuar me dy vjet burgim me kusht që të mos kryej vepër penale për periudhën tre vjeçare. Ndaj Mujës ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike për 30 muaj.

Gjykata Themelore në Prizren, kishte shpallur aktgjykim dënues edhe ndaj të akuzuarve të tjerë në këtë rast, Paqarizi, Ademaj, Tejeci, Krasniqi dhe Ukimeri, duke iu ndaluar edhe funksionin e tyre në administratën publike për periudha të caktuara kohore.

Gjykata e Apelit kishte anuluar një vendim të tillë dhe kishte kthyer rastin në rigjykim por me ankesë të prokurorisë rasti ka shkuar në Gjykatë Supreme ku më pas Supremja kishte vendosur që lëndën sërish ta shqyrtojë Apeli.

Apeli sërish në korrik 2017 ka vendosur që lënda të kthehet në shkallë të parë për rishqyrtim dhe ri vendosje, por Gjykata e Themelore në Prizren ka kërkuar që të përjashtohet nga ky rast.

Një kërkesë të tillë ishte bërë me arsyetimin se njëra nga veprat për të cilat akuzohet Ramadan Muja, është kallëzim penal i parashtruar nga Gjykata Themelore në Prizren, për pengimin e punës në gjykatë, me rastin e ndalimit të pjesëmarrjes se ekspertëve – gjeodetëve në seancat gjyqësore, ku  kryetari i gjykatës dhe një gjyqtar janë dëgjuar si dëshmitarë.

Gjykata e Apelit, pas kërkesës së bërë nga kryetari i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Ymer Hoxha, me 8 gusht të këtij viti kishte vendosur që rigjykimi ndaj Ramadan Mujës dhe pesë të akuzuarve të tjerë të zhvillohet nga Gjykata Themelore në Gjilan.

Ndaj Kadri Ukimerit është pushuar procedura penale pasi që i njëjti ka ndërruar jetë./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Lajmet e Fundit