Drejtori i Administratës së Prizrenit, Osman Hajdari, premton ngritjen e shtatores së komandant “Drinit”.
“Po mendojmë të realizohet një projekt i mirë, ndërsa nëse nevojitet do të lejojmë më shumë mjete, se ato të planifikuarat”, tha Hajdari.
Sipas tij, në bashkëpunim edhe me shoqata e dala nga lufta në Prizren, dhe me ato të shoqërisë civile, do të analizohet lokacioni për të vendosur shtatoren, që duhet ta ketë edhe një hapësirë përreth saj.
Isa Berisha, nga Shoqata e Veteranëve në Prizren, fillimisht shpreh habinë për heshtjen e deritashme, pasi që mjetet kishin qenë të planifikuara, derisa pranon se janë në biseda, me komunën për ta përcaktuar lokacionin e vendosjes së shtatores, por ende nuk ka diçka definitive. “Do të shikohen disa propozime për lokacionin, ndërsa njëri sosh është propozuar lagja Bazhdarhane”, tha ai për Gazetën e Prizrenit .
Aktivisti i shoqërisë civile, Bashkim Gashi, propozon që shtatorja për “Drinin” , të bëhet në afërsi të Monumentit të NATO-së, në lagjen “Bazhdarhane”.
“Komandant Drini kishte bashkëpunim të shkëlqyer me pjesëtarët e NATO-s, si në luftë ashtu edhe pas saj. Kjo do të simbolizonte orientimin e tij, për anëtarësimin e ushtrisë së Kosovës në NATO, si dhe shtëpia dhe vendi i vrasjes së komandantit janë në lagjen ku edhe ndodhet monumenti”, tha ai.
Komandant Drini u vra para shtëpisë së tij në lagjen “Bazhdarhane” në rrethana misterioze, në mëngjesin e 8 majit të vitit 2000, në kohën kur po punonte si drejtor komunal për Emergjencë. Në momentin kritik ai kishte dalë të ndezte veturën për të shkuar në punë, ndërsa ishte qëlluar me armë automatike, derisa po shikonte gomën e parë të veturës, nga ana e shoferit që ishte shpuar qëllimisht.
Për zbardhjen e vrasjes, nën drejtimin e ndërkombëtarëve në Prizren janë mbajtur dy procese gjyqësore, por në mungesë provash, të akuzuarit, ish-pjesëtarë të UÇK-së, por edhe ish-shokë të “Drinit”, janë liruar.
Procesi për të zbardhur vrasjen më vonë u zhvendos në Prishtinë, ku në një proces tjetër me drejtësinë u përball ish-komandanti i Zonës së Dytë të TMK-së, gjeneral Sali Veseli, që ishte akuzuar për bashkëpunim në vrasje.
Shkalla e dytë e Gjykatës e pat prishur aktgjykimin e Gjykatës në Prizren, ndërsa siç është thënë në mungesë provash liroi të akuzuarit.