Qyteti i Prizrenit ka dhjetëra shtëpi karakteristike, që datojnë nga shekulli XVI e këtej. Gjatë vizitës që u bëmë shtëpive të vjetra kemi parë se banorët janë të vetëdijshëm për këto shtëpi që janë aq të vjetra e me kaq rëndësi për këtë qytet dhe për trashëgiminë e Kosovës, me tavane dhe ornamente aq të bukura, sa as sot, me gjithë këtë makineri, vështirë që mund të realizohen, shkruan gazeta Kosova Sot.
Prizreni dihet se është një qytet që ende ruan me fanatizëm disa shtëpi të vjetra të shekullit XVI. Njëri nga familjarët e largët të Ymer Prizrenit, Muhamed Paçarizi, lidhur me shtëpinë e tij në rrugën e “Farkëtarëve”, pohon se kjo shtëpi i ka mbi 200 vjet, kurse për fontanën në oborrin e kësaj shtëpie pohon se thuhet që i ka edhe shumë më shumë vjet.
Kujdesi për të vjetrën
Samir Hoxha, drejtor i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren – QRTK Prizren, ka theksuar se në mesin e shumë shtëpive të vjetra janë edhe ato të familjeve Zijabeu, Rekathati, Paçarizi dhe Kantargjiu. Historiani Parim Kosova, duke folur për këtë mrekulli të këtij qyteti, veçon faktin se prizrenasit janë të vetëdijshëm për këtë pasuri dhe duan ta ruajnë si sytë e ballit.”Kjo na bën të mendojmë se sa me përkushtim janë ruajtur këto shtëpi, që tash do të mund të shërbejnë si një margaritar, që e kanë bërë të njohur Prizrenin dhe joshin shumë vizitorë”, pohon Kosova. Faton Ruxhi, duke folur për shtëpitë e vjetra, pohon se ai është nip i familjes Paçarizi dhe me dashuri të madhe vjen në shtëpi të dajallarëve.”Kalldrëmi, fontanat, pastaj infrastruktura e brendshme e këtyre shtëpive, më joshin, më bëjnë të hareshëm dhe ende vazhdoj të mësoj se sa të bukura janë këto hapësira banimi. Atë që i bëjnë të bukura këto shtëpi janë divanet, ballkonet, e mbi të gjitha lartësia e kateve”, thotë ai.
Prizreni, me së paku ka 30 shtëpi të vjetra
Siç dihet, janë 180 pika referente që vizitorët mund t’i vizitojnë në Prizren, kurse janë mbi 30 shtëpi. “Struktura e ndërtimit të këtyre shtëpive dhe vetë bukuria e tyre japin të kuptohet se në këtë qytet ka pasur një jetë të një aristokracie”, pohon Nizam Mullafzliu, arkitekt. Edhe pse Prizreni ka një thesar të çmuar të trashëgimisë historike – kulturore, kjo në mënyrë të vazhdueshme u është ekspozuar ndikimeve shkatërruese të faktorit natyror dhe faktorit njeri. Një ndër objektet të kësaj trashëgimie është edhe shtëpia e familjes Rekathati në Prizren. Pas Luftës së Dytë Botërore objekti ndahet në dy pjesë, si pasojë e ndarjes në familje. Kështu që tani shtëpia funksionon si dy shtëpi të ngjitura. Objekti është ngritur në etazh dhe është i llojit simetrik me hajat në përdhes. Dekorimet në ballinën kryesore janë karakteristike, të dekoruara me elemente nën ndikimin e stilit neoklasik. Enterieri i objektit është i pasur me elemente etnografike.
Drugdhendja është shumë e theksuar dhe është punuar me një mjeshtëri të radhë. Është shembull i arkitekturës orientale-vendore të tipit rrafshinor që i përkiste shtresës së pasur të shoqërisë. Shtëpia e familjes Rekathati është me rëndësi të veçantë nacionale (kombëtare). Objekti përmban vlerat dhe karakteristikat veçanta të arkitekturës folklorike të Prizrenit të fundshekullit XIX. Është shembull i arkitekturës orientale-vendore nën ndikimin e arkitekturës evropiane, sidomos në fasadë dhe i takon tipit rrafshinor që përkiste shtresës së pasur të shoqërisë. Enterieri i objektit po ashtu është mjaft i ruajtur dhe ka elemente origjinale të kohës. Ruajtja dhe prezantimi i këtyre vlerave është në interes të zhvillimit të turizmit kulturor dhe njëherësh edhe vlerën kulturore të shoqërisë kosovare ndaj bashkësisë ndërkombëtare.
(Kosova Sot)