12 C
Prizren
E hënë, 17 Mars, 2025

Shtyhet gjykimi për sulmin ndaj mjekut në Kijevë të Malishevës

Mungesa e të akuzuarit për lëndim të lehtë trupor, Mahmut Hoxhaj, ka bërë që të dështojë seanca e shqyrtimit të dytë ndaj tij, e paraparë për të martën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.

Gjykatësi i rastit, Lulzim Paçarizi, ka konstatuar se i akuzuari Hoxhaj dhe mbrojtësi i tij, avokati Faik Morina, kanë qenë të njoftuar, sipas njoftimit për shtyrje të seancës së datës 8 nëntor 2018, mirëpo të njëjtit nuk kanë prezantuar.

I pranishëm në gjykim ishte prokurori Ramiz Buzhala, i cili nga gjykata mori një kopje të kundërshtimeve për hedhje të aktakuzës, të paraqitur paraprakisht në formë të shkruar, nga mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Faik Morina.

Seanca është caktuar më 11 dhjetor 2018, në ora 13:00.

Ndryshe, në këtë rast për të njëjtën vepër penale akuzohej edhe Albert Hoxhaj, por në seancën fillestare, të mbajtur më 4 tetor 2018, me aktvendim të Gjykatës Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, është veçuar procedura penale ndaj tij, me arsye se në bazë të verifikimit të vendndodhjes së tij, nga Stacioni Policor në Malishevë, i njëjti gjendet jashtë vendit, përkatësisht në Itali.

Sipas aktakuzës së ngritur 25 prill 2016, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Albert dhe Mahmut Hoxhaj akuzohen se më 08 dhjetor 2015 në fshatin Kijevë, Komuna e Malishevës i shkaktojnë lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Ardit Kryeziu, doktor në Shtëpinë e Shëndetit në Kijevë.

Bazuar në aktakuzë, të akuzuarit Hoxhaj duke u koordinuar në mes vete, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme, e sulmojnë fizikisht të dëmtuarin Kryeziu në vendin e tij të punës, duke e goditur me mjet të fortë metali në krahun e djathtë dhe në shpinë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme.

Me këtë, të akuzuarit Albert Hoxhaj dhe Mahmut Hoxhaj, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor” të paraparë me nenin 188, paragraf 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Më Shumë

Sekuestrohet pistoletë në Prizren, i dyshuari ndalohet për 48 orë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se dje, rreth orës 20:15, patrulla policore, gjatë asistimit të Inspektorëve të Shoqatës së Peshkatarisë në fshatin...

Moti sot: Me vranësira dhe diell, temperaturat deri në 20 gradë Celsius

Instituti Hidrometeorologjik, njofton se sot parashihet të mbajë mot i vranët dhe me intervale kohore me diell. Sipas IHMK-së, vende-vende parashihen kushte për riga shiu,...

Lajmet e Fundit