16.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Shuhet arkeologu Bep Jubani

BepJubani-arkeologMe një ceremoni prekëse në Kishën Katolike të “Rrugës së Kavajës”, ku merrnin pjesë shumë të afërm, miq e kolegë, iu dha lamtumira e fundit Profesor Bep Jubanit, një studiuesi sa serioz e sistematik, aq edhe origjinal të arkeologjisë shqiptare. Ai lindi në një familje qytetare shkodrane më 2 nëntor 1935 dhe u nda nga jeta në 7 janar 2014. Kishte kohë që ishte tërhequr me një ndjesi të fortë zhgënjimi nga jeta aktive në komunitetin e arkeologëve dhe vihej re qartë se diçka e rëndësishme ishte thyer mes tyre. Sidoqoftë, prania e shumë kolegëve, studentëve dhe bashkëpunëtorëve në takimin e fundit me të, dukej se ishte shprehja e një respekti të thellë për punën, vështirësitë e jetës dhe kontributin e tij të gjerë e origjinal në shkencën e arkeologjisë. Veç të tjerash, më dukej se ishte edhe një reflektim për atë që gjithsecili nga ne mund të kishte bërë shumë më shumë e shumë më mirë për ta hequr atë pengesë që prej kohësh e mbante larg Profesor Jubanin nga pasioni i tij i fortë i jetës, arkeologjia e Shqipërisë, transmeton BW.

Duke përfaqësuar një grup shumë të vogël arkeologësh të rinj dhe të parin me një formim të plotë profesional në këtë fushë specifike të shkencave shoqërore nga universiteti i Shën Pjetërburgut, Profesor Jubani pati rastin të kontribuojë për zhvillimin e metodave të studimit dhe veçanërisht, studimit të qeramikës dhe gërmimit të vendbanimeve arkeologjike. Gërmimet në fillimin e viteve 1960 në qytezën e Gajtanit përbënin provën e parë të hulumtimit intensiv të një qendre të fortifikuar prehistorike në vendin tonë. Këmbëngulja dhe pasioni i madh i Bep Jubanit në këtë sipërmarrje kolektive, u kurorëzua me një botim serioz për qeramikën prehistorike të vendbanimit, që është bërë objekt debatesh brenda dhe jashtë vendit. Që në këto hapa të parë të karrierës shkencore dhe vazhdimisht, Profesor Jubani ka qenë një model i studiuesit skrupuloz, njohësit të thellë të objekteve të kulturës materiale dhe vrojtuesit të mprehtë të fenomeneve arkeologjike.

Saktësia e përshkrimit dhe aftësia për të rindërtuar kontekstin e gjerë kulturor-arkeologjik ishin gjithashtu veti të spikatura të një studiuesi që kishte shumë për ti ofruar prehistorisë shqiptare të sapomëkëmbur. Shumë shpejt, në vitet 1960 interesi kërkimor i Profesor Jubanit zgjerohet për të përfshirë vendbanime të Shqipërisë juglindore, si ai i Kamnikut në Kolonjë dhe veçanërisht varrezat tumulare të Shqipërisë veriore, Krumë, Çinamak, Kënetë (të Kukësit), Shkrel dhe Shtoj në zonën e Shkodrës. Pikërisht studimi i një numri të madh varrezash tumulare të Shqipërisë së veriut dhe veçanërisht të trevave dardane, u bënë baza e një kontributi tejet të rëndësishëm të Bep Jubanit në prehistorinë shqiptare. Puna e tij voluminoze dhe e palodhur në terren e kabinet, dokumentimi i kujdesshëm dhe vrojtimet sistematike, studimi i thelluar i objekteve arkeologjike dhe fenomeneve kulturore, e çuan Profesorin në përgatitjen e një monografie me mbi 400 faqe që kam besim se do te mbetet një gur i rëndësishëm në ngrehinën e arkeologjisë shqiptare.

Kur i sheh me një sy kritik arritjet e prehistorisë shqiptare pas pothuajse 65 viteve nga themelimi i saj, nuk ka si të mos vlerësosh lart rolin e rëndësishëm të Profesor Bep Jubanit. Qysh në 1969, në botimin “Ilirët dhe gjeneza e shqiptarëve” të Universitetit Shtetëror të Tiranës, ai trajton në mënyrë brilante disa pikëpamje për tiparet e përbashkëta të riteve të varrimit të Ilirëve të trevave jugore e veriore të Shqipërisë. Pas pothuajse 20 vjetësh kjo ide rimerret për tu trajtuar në një kontekst edhe më të gjerë nga Profesor Frano Prendi në punimin e tij të mirënjohur si “Unitetet dhe veçori të kulturës ilire të periudhës së parë të epokës së Hekurit në Shqipëri”. Kurse në ngjarjen tjetër të rëndësishme shkencore të vitit 1969 “Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike” Bep Jubani bën një përpjekje të parë metodologjike për të përdorur të dhëna etnografike në interpretimin e rrethanave të largëta arkeologjike, në rastin konkret nëpërmjet studimit të prejardhjes dhe përmbajtjes etnike të xhubletës. Padyshim që ky kontribut përbën një nga rastet e para, fatkeqësisht të mbetura të rralla, të zhvillimit të koncepteve dhe metodave etnoarkeologjike në traditën studimore në vendin tonë.

Por, studimet në fushën e prehistorisë nuk kanë qenë kontributi i vetëm i Profesor Bep Jubanit. Qysh pas kthimit nga studimet në Shën Pjetërburg, ai iu kushtua identifikimit dhe mbledhjes së burimeve të shkruara të autorëve antikë për Ilirët dhe Ilirinë. Ndihmesa e tij për veprën e madhe kolektive “Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë”, e shtyu të trajtojë edhe probleme të tjera të historisë së lashtë të Shqipërisë si çështje të binomit Dyrrah-Epidamn, monedhat ilire me etnikonin Labiatan të zbuluara në Kukës, si dhe të kontribuonte në përgatitjen e teksteve universitare dhe parauniversitare për historinë e lashtë të vendit. Ka qenë anëtar i Këshillit Kombëtar për Ripunimin e Historisë së Shqipërisë.

Në trashëgiminë e pasur kërkimore të arkeologjisë shqiptare Profesor Bep Jubani na ka lënë edhe një numër të madh vrojtimesh sistematike të shumë zonave të Shqipërisë qendrore dhe veriore. Interesat e tij të gjera, vrojtimet e kujdesshme në terren dhe dokumentimi i saktë shkencor i të dhënave arkeologjike, na bëjnë ende shumë përshtypje sot dhe përbëjnë një bazë shumë të rëndësishme për gjurmimet e reja. Me vrojtimet e shumta në Tropojë, Kukës, Peshkopi, Shkodër, Mirditë e Tiranë, Profesor Bep Jubani ka sjellë në dritë jo vetëm një numër të madh monumentesh e vendgjetjesh arkeologjike duke pasuruar hartën kulturore të vendit, por edhe ka ndriçuar historinë e gjatë të shumë rajoneve të Shqipërisë.

Aktiviteti botues dhe editorial i Profesor Jubanit ka qenë një tjetër anë e rëndësishme e kontributit të tij shkencor. Si sekretari i parë i redaksisë së revistës shkencore “Iliria”, ai ka ndihmesën e vet në prezantimin me nivel të lartë shkencor të arkeologjisë shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Nga ana tjetër, përgatitja nga ana e tij në 1972 e të parës bibliografi të arkeologjisë dhe historisë së lashtë të Shqipërisë, shënoi një traditë që u pasua me dy vëllime të tjera bibliografike nga kolegë të tij dhe që i gjen përditë sot në duart e studentëve dhe studiuesve të kësaj fushe.

Shumëçka në Institutin e Arkeologjisë dhe studimet arkeologjike shqiptare kanë gjurmët e brezit të arkeologëve, pjesë e të cilit ishte Bep Jubani. Por, veçanërisht organizimi i fondeve të objekteve arkeologjike sipas kritereve shkencore të dokumentimit, ruan edhe sot shenjat e kontributit të Profesor Jubanit. Ai mbeti gjithmonë aktiv në mësimdhënie në programet universitare dhe shumë pranë kujtdo të riu që pati fatin të bashkëpunonte me të në gjurmimet arkeologjike. Shumë kolegë nga brezat më të rinj të arkeologëve shqiptarë kanë marrë shumë nga njohuritë e thella, përkushtimi i madh dhe pasioni i pafund i Profesor Bep Jubanit për objektet, monumentet dhe interpretimet arkeologjike.

Ai nuk pati një jetë të lehtë në periudhën para viteve 1990. Nuk kishte shumë dëshirë të fliste për kalvarin e vuajtjeve që kishin pikënisje tek përcaktimi i tij si “njeri shumë i rrezikshëm për shoqërinë socialiste”. Kjo sepse i kishte kërkuar në një letër Komitetit Qendror të PPSH-së sanksionimin në Kushtetutë të fjalës së lirë, si kusht për zhvillimin e mbarë të vendit. Ne më të rinjtë nuk i kuptuam asnjëherë dhimbjet e tij që kaluan shpejt nga aktiviteti i tij shoqëror tek puna akademike dhe diskriminimi profesional. Por historia personale dhe profesionale e Profesor Bep Jubanit janë një pjesë e pandarë e historisë së arkeologjisë shqiptare dhe e rrethanave politiko-shoqërore të zhvillimit të saj. U ndamë vetëm fizikisht prej kësaj historie, e cila fatmirësisht mbetet mes nesh në mbi 60 punimet shkencore të Profesor Bep Jubanit. *Arkeolog

Më Shumë

Policia shqipton mbi 1 mijë e 960 gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1960 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore janë evidentuar...

Nis rikonceptimi i ekspozitave të përhershme brenda Muzeut të Lidhjes së Prizrenit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se ka nisur rikonceptimi i ekspozitave të përhershme brenda Muzeut të Lidhjes...

Koha dritëplotë

Lajmet e Fundit