13.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Skënder Shengyli: Liria më keq punët tash se para privatizimit

Rahman Kice erdhi me shumë bujë në krye të klubit të njohur prizrenas, Lirisë. Prilli ishte muaj shpresëdhënës për tifozët dhe klubin nga Prizreni, pasi u bë me kryesi të re dhe pritshmëritë se gjithçka do të ndryshonte për të mirë ishin të mëdha.

Por, kështu nuk po del në të vërtëtë. Ikona e futbollit kosovar dhe atij prizrenas, Skënder Shengyli thotë se situata tani është edhe më e keqe sesa ishte më parë.

Në një bisedë për Gazetën Express, Shengyli thekson se ende nuk është bërë asgjë, ndërsa thotë se ende zyrtarisht Rahman Kice nuk është pronar

“Është pritur shumë me ardhjen e Rrahman Kices si kryetar, si pronar, si po e quan veten ai që ende nuk është. Ka qenë pritshmëria e madhe te qyteti, te tifozeria, mirëpo në anën tjetër s’po shihet që është ashtu. Se di me letra qysh, ai ka premtu, ka marrë obligime e të gjitha, që ato borxhe që i ka pasë Liria në 250 mijë, 260 mijë që do t’i kryej vet, e deri tash asgjë nuk është realizuar”, tha fillimisht Shengyli.

Ai tregoi se punëtorët e shkollës së futbollit nuk i kanë marrë pagat e muajit të fundit.

“Në anën tjetër, ne të shkollës së futbollit, nuk kanë pas mundësi me shtu edhe 1200 euro për me na dhanë 7-8 punëtorëve pagat. E në anën tjetër, po thonë që do shpenzojnë me miliona, por faktikisht ende asgjë nuk është bërë. Kur nuk janë në gjendje 1200 euro me ia dhanë 7-8 punëtorëve. Me pagesat që janë bë nga fëmijët e shkollës, ne i kemi marrë pagat e muajit maj”, u shpreh ish-futbollisti i njohur.

Tutje, ai tregoi se kur u dha në menaxhim Liria, në mesin e muajit prill, premtimet ishin se do të vijë një staf i trajnerëve nga Turqia, e po ashtu edhe futbollistë nga atje, por asgjë në të vërtetë nuk ka ndodhur.

“Në fillim kur janë ardhë, kanë thënë që do të vijë komplet stafi i trajnerëve nga Turqia. Ish-portieri i Besiktasit me dy-tre ndihmës të vet, do të vijnë tre-katër lojtarë prej Istanbulsporit, dmth krejt diçka superlative që ka folur. Por, asgjë nuk është realizuar. Ai po e konsideron veten pronar, ani pse me letra nuk është asgjë. Unë s’po di si një njeri mundet me kanë pronar kur me mjete ende asgjë nuk ka shpenzuar në klub, kur nuk është gjendje 1200 euro me ia pagu pagat 7-8 punëtorëve të shkollës”, deklaroi Shengyli për Gazetën Express.

Sipas tij, Kice u ka kërkuar lojtarëve të ekipit të parë të ulin pagat e tyre, ndërsa ata kanë hyrë në muajin e tretë që nuk kanë marrë paga.

“Mund të them me përgjegjësi të plotë që gjendja është edhe më keq sesa që ka qenë. Të gjithë lojtarëve u ka kërkuar t’i ulin pagat, ata që kanë kontratë. Ende nuk ka sjellë asnjë përforcim. Lojtarët e ekipit të parë janë në minus dy paga, me gjasë kanë hyrë në muajin e tretë. Ai ka mashtru edhe kryetarin e Komunës dhe të gjithë opinionin se ende s’ka derdhur asnjë mjet. Jemi duke e pritur këstin e tretë apo të katërt me ardhë nga paratë e Muriqit që është transferuar në Lazio”, tha ai.

Shengyli tha se ka pasur ndryshime edhe në shkollën e futbollit të Lirisë, ku si koordinator e kanë vendosur Driton Bajramin.

“Edhe në shkollën e futbollit ka pasë ndryshime. Është mjerim, nuk kam asgjë kundër atij personi që ka ardhur si koordinator, drejtor i shkollës. Vjen një person anonim që unë nuk e njoh nga Prishtina edhe që është pa klub dhe bëhet drejtor i yjeve të Kosovës, yjeve të Prizrenit”, tha ai.

Në fund, Shengyli u shpreh i gatshëm të përballet me këdo për këto ngjarje dhe theksoi se gjendja është mjeruese.

“Unë e kam si obligim qytetar edhe si njerëzor që t’i tregoj të gjithë opinionit që gjendja është mjeruese. Ata janë thjesht mashtrues së bashku që ka qenë kryetari i deritanishëm, Qemajl Krasniqi. Ai është për momentin këtu, ndërsa ai zotëria në Gjermani. Unë ndoshta do të mbes pa punë pa asgjë, por për hir të vërtetës duhet të tregoj të dhënat që janë faktike dhe s’mund t’I ndryshojë askush. Jam në gjendje të ballafaqohem me secilin”, përfundoi Skënder Shengyli.

Gazeta Express ka provuar të kontaktojë edhe me Rahman Kicen, por deri në momentin e publikimit të artikullit, nuk ka marrë asnjë përgjigjje nga ai.

Më Shumë

Rohde: Masakrat si kjo në Krushë të Madhe treguan se kishte ardhur koha për ndërhyrjen e NATO-s

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde tha se masakrat si kjo në Krushë të Madhe të Rahocecit, 25 vjet më parë ka treguar se...

 Marrëveshje për zhvillim ekonomik dhe inovacion në Prizren

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj ka nënshkruar sot një Marrëveshje të Mirëkuptimit me Innovation and Training Park (ITP) dhe Makerspace – Innovation Center Prizren për të bashkëpunuar në agjendën digjitale të...

Lajmet e Fundit