10.9 C
Prizren
E shtunë, 10 Maj, 2025

Sondazhi INDEP/FES: Shëndetësia – sektor me ndikim në votë

Zgjedhjet-ks?Shëndetësia vazhdon të mbetet një temë kyçe në vendimin e qytetarëve se cilën parti do ta votojnë, tregon një sondazh i organizuar nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Kolegji Universum, përkrahur nga Friedrich Ebert Stiftung (FES). 83% të të anketuarve kanë deklaruar se programi i shëndetësisë mbetet një faktor vendimtar në zgjedhjen e partisë.

73% të të anketuarve kanë thënë ata do të votonin një parti e cila ofron një shërbim më të përparuar shëndetësor pa pagesë. Megjithatë, gati 16% të të anketuarve kanë thënë se nuk pajtohen me një program të tillë, duke treguar se një pjesë e mirë e qytetarëve janë të vetëdijshëm rreth pamundësisë për të realizuar një program të tillë.

Një pjesë e mirë e qytetarëve mbeten të gatshëm të votojnë për partinë e cila propozon pagesë minimale për shërbime shëndetësore më të avansuara. 62% e të anketuarve kanë thënë se do të përkrahnin një parti e cila do të ofronte një program me një shërbim të tillë.

Përqindja e të anketuarve të cilët do të ishin të gatshëm të votonin një parti me një program shëndetësor me tarifa standarde për shërbime të caktuara është më e ulët. Vetëm 40% e të anketuarve do të votonin një parti me një program të tillë, që është një ndryshim drastik nga statistikat e përmendura më lartë.

Thuajse të gjithë respodentët e anketës, 92% prej tyre, janë pajtuar që Kosova të ketë sigurim shëndetësor publik i cili hyn në fuqi nga janari 2015. Ky program i sigurimit shëndetësor publik parasheh që punëdhënësi dhe punëmarrësi, ndaras, të paguajnë 3.5% të pagës mujore ndaj një fondi për sigurime shëndetësore shtetërore.

Anketa, e organizuar në tërë Kosovën, është mbajtur nga stafi i trajnuar i Kolegjit Universum, ndërsa të dhënat janë analizuar nga INDEP. FES ka mbështetur financiarisht realizimin e kësaj ankete, e cila ka për qëllim analizën e motivimit të votuesve në Kosovë për politika publike, pa paragjykuar ndaj preferencave të tyre partiake.

Gjithsej, 957 persona i janë përgjigjur pyetësorit. Numri i të anketuarve është ndarë proporcionalisht sipas popullatës të secilës komunë në Kosovë ndërsa mostra, e përzgjedhur me respondentë të rastit, është bazuar në të dhëna të sakta demografike.

Këto janë disa nga gjetjet e anketës, të cilat INDEP dhe Universum po i botojnë sipas sektorit të politikës publike. Pas sektorit të shëndetësisë, do të botojmë të dhënat sa i përket politikave fiskale.

Instituti INDEP është institut kërkimor dhe qendër e avokimit më ndikim të lartë në politikat publike. Kolegji Universum është institucion i akredituar i arsimit të lartë në Kosovë, lider në hulumtimet e opinionit publik. Friedrich Ebert Stiftung është fondacion gjerman që promovon socialdemokracinë.

Më Shumë

Vritet një person me armë zjarri në Has

Një vrasje me armë zjarri ka ndodhur pasditen e së mërkurës në fshatin Pla të qytetit Hasit. Sipas policisë së shtetit, Y. J., 41 vjeç,...

Rahoveci një hap larg finales, synon ta mbyllë serinë ndaj Prishtinës

Të shtunën janë në program ndeshjet e dyta gjysmëfinale në plejofin e Superligës së Kosovës në hendboll për meshkuj. Nga ora 17:30 në Pallatin e...

Lajmet e Fundit