“Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së hënë, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidencës së Kosovës.

Afrim Bunjaku, pjesëtar i Policisë së Kosovës, ra në krye të detyrës dhe në mbrojtje të sovranitetit integritetit territorial të Kosovës, në veri të vendit.

Rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku, nga fshati Samadrexhë i komunës së Vushtrrisë, vdiq të dielën në mëngjesin e hershëm kur grupe kriminale kanë sulmuar në pritë njësitë policore, ku për pasojë mbetën edhe të plagosur të tjerë.

Të dielën, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar mbrëmë se janë dërguar në mbajtje për 48 orë gjashtë persona të persona të përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra polici Afrim Bunjaku.