Seanca është caktuar të nisë në ora 10:00, ndërsa me këtë shënohet edhe hapi i parë drejt themelimit të legjislaturës së re, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Kuvendi i Kosovës tashmë ka bërë të ditur edhe agjendën e seancës.
Në rendin e ditës janë:
Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve,
Betimi i deputetëve,
Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit,
Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Si parti fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka të drejtën të propozojë kryeparlamentarin, i cili zgjidhet me 61 vota.
Po 61 vota nevojiten për votimin e Qeverisë së re, nëse del në votim.
Ndërkohë, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, deklaroi se partia e tij është e gatshme të japë kontributin në procesin e krijimit të institucioneve, megjithëse ende nuk ka një marrëveshje me asnjë parti.
“Ne do të japim kontributin tonë. Presim që qeveria të krijohet sipas afateve kushtetuese. Do ta luajmë rolin tonë në krijimin e këtyre institucioneve, për aq sa na takon — dhe këtu përfundon detyra jonë kushtetuese”, u shpreh Limaj.
Votat e tre deputetëve të Nismës Socialdemokrate mund të jenë vendimtare për përmbushjen e kuorumit dhe zgjedhjen e kryeparlamentarit, përderisa Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në votim.
Ditë më parë kryetari i LVV-së, Albin Kurti, kishte shprehur ambicien që Kuvendi të konstituohet dhe Qeveria të formohet brenda një dite.
Por, ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, u shpreh skeptik, duke thënë për gazetarët se nuk është optimist që të martën do të ketë votim për Qeverinë e re.
Skenari 1: Konstituimi i suksesshëm i Kuvendit
Sipas këtij skenari, pas hapjes së seancës, verifikimit të mandateve dhe betimit të deputetëve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), si subjekti më i madh parlamentar, propozon kandidatin për Kryetar të Kuvendit.
Nëse kandidatura merr së paku 61 vota – qoftë përmes një marrëveshjeje formale për koalicion apo përkrahjeje joformale nga opozita – atëherë procedohet me zgjedhjen e nënkryetarëve dhe Kuvendi konstituohet plotësisht.
Pas kësaj, Presidentja Vjosa Osmani do t’i dërgojë një letër zyrtare LVV-së për të kërkuar propozimin për mandatarin e Qeverisë. Pasi LVV të përgjigjet me emrin e kandidatit (që pritet të jetë Albin Kurti), Presidentja nxjerr dekretin për nominimin e tij. Mandatari do të ketë afat 15 ditë për të propozuar Qeverinë dhe për të siguruar shumicën parlamentare.
Skenari 2: Pezullimi i seancës për shkak të mungesës së propozimit
Nëse pas hapave të parë, LVV refuzon të propozojë kandidatin për Kryetar të Kuvendit ose kërkon “konsultime shtesë”, atëherë kryesuesi i seancës, Avni Dehari, duhet ta pezullojë seancën.
Sipas Rregullores së Punës, pezullimi nuk mund të zgjasë më shumë se 48 orë, që do të nënkuptonte mbajtjen e seancave të reja çdo dy ditë. Nëse LVV vazhdon të mos propozojë kandidat, atëherë mund të krijohet një cikël seancash të papërfunduara.
Skenari 3: Bllokim që në hapin e parë
Në këtë skenar, duke qenë se LVV nuk e ka shumicën parlamentare, situata mund të bllokohet që në fillim të seancës.
Disa deputetë të LVV-së dhe përfaqësues të pakicave, përfshirë Kryeministrin në detyrë dhe 15 ministra të tjerë, nuk kanë dhënë dorëheqje nga funksionet ekzekutive, ndonëse këtë e kërkon neni 26 i Ligjit për Qeverinë.
Opozita mund të refuzojë të votojë raportin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, duke kontestuar vlefshmërinë e mandateve të atyre që janë ende në detyrë qeveritare. Pa miratimin e këtij raporti, nuk mund të kryhet betimi i deputetëve dhe Kuvendi nuk mund të kalojë në fazat e tjera.
Ky skenar paraqet një bllokim procedural me bazë juridike, i cili vendos presion mbi anëtarët e kabinetit që të japin dorëheqje, në mënyrë që të mundësohet konstituimi.
Megjithatë, edhe ky skenar nuk është në favor të opozitës, pasi nuk nisin afatet ligjore për formimin e institucioneve nga partia fituese. /Telegrafi/