Llogaritë e tyre bankare janë të mbushura me para, në vilat e tyre kanë ndërtuar madje dhoma të veçanta për rrobat dhe disenjatorët personalë, posedojnë ishuj privatë dhe aeroplanë. Vështirë është të imagjinohet që disa nga yjet e Hollivudit me tërë këtë pasuri që tani e posedojnë dikur kanë fjetur nëpër rrugë dhe në parqe dhe me ditë nuk kanë ngrënë asgjë. Megjithatë, momente të këtilla janë pjesë e biografisë së Sylvester Stallones, Halle Berryt, Carmen Electras, transmeton “Zeri.info”.
Halle Berry sot është njëra nga aktoret më të paguara në botë dhe pasuria e saj vlerësohet të jetë 70 milionë dollarë, por kishte ditë kur në xhepat e kësaj bukurosheje nuk gjendej asnjë cent. Pasi që u shpall “Miss Ohio”, 21-vjeçarja Halle u shpërngul në Nju-Jork dhe dëshironte të futej në botën e modës. Pasi që agjentët e modës nuk ishin të interesuar për të, paratë shumë shpejt iu harxhuan, ndërsa Halle u largua edhe nga banesa e marrë me qira. Dhe kjo periudhë e vështirë e jetës vazhdoi edhe për një kohë, derisa iu dha mundësia për të filluar me aktrimin.
Para famës të cilën ia sollën “Rocky” dhe “Rambo”, muskulori Sylvester Stallone kishte fjetur nëpër ulëset e udhëtarëve në stacionet e autobusëve në Nju-Jork. “Isha pa asnjë cent dhe flija në stole, ngrihesha tërë natën nga i ftohti dhe kur i mora 100 dollarë në një film ku u paraqita si statist, më dukej se kisha fituar lotarinë”, deklaroi ky aktor i famshëm.
Për shkak të dashurisë, aktorja Carmen Electra mbeti pa asnjë cent. Atëherë 21-vjeçares Carmen ia kishte vjedhur të gjitha gjërat i dashuri i saj dhe ajo pa asnjë para përfundoi në rrugë. “Qëndroja ulur në park me rrobat dhe këpucët e shtrenjta me taket e larta dhe qaja pasi që nuk e dija se ku do të flija në mbrëmje”, tha me lot në sy e bukura Carmen Electra. Por fati i buzëqeshi pasi pozoi për revistën e njohur erotike “Playboy”.