Gjykimi ndaj ish-kreut të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Hysni Hoxhës dhe dy të akuzuarve tjerë po shkon drejt fundit.
Në seancën e së mërkurës, e cila pritet të mbahet prej orës 9.00, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ish-kreu i OSHP-së, Hysni Hoxha, eksperti shqyrtues në OSHP, Hysni Muhadri dhe kontabilisti në kompaninë “Conex”, Arsim Robelli, pritet të fillojnë mbrojtjen e tyre.
Kjo seancë, fillimisht ishte caktuar të mbahej më 8 shtator të këtij viti, mirëpo e njëjta ishte shtyrë pasi që kishte munguar prokurori special, Sylë Hoxha.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës e ngarkon Hysni Hoxhën dhe Hysni Muhadrin për kryerje në bashkëpunim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, këtë vepër të pandehurit e lartcekur e kishin kryer në qershor të vitit 2013, Hoxha në cilësi të kryetarit të OSHP-së dhe njëherësh kryetar i Panelit Shqyrtues të Prokurimit, ndërkaq Muhadri në cilësi të ekspertit shqyrtues të OSHP-së.
Sipas dispozitivit të parë, dy të pandehurit, me dashje direkte i tejkalojnë kompetencat e tyre, pasi kompanisë së ndërtimit “Conex Group” me pronar Veton Fetahun, i sjellin dobi materiale në shumë prej 1,799,759,54 euro.
Në këtë rast, operatori ekonomik “NN Beni Construction & Jaha Company SHPK” në Viti, kishte parashtruar ankesë lidhur me aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i lokaleve afariste në Qytezën Pejton”. Hoxha si kryetar i OSHP-së edhe pse i njoftuar nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) lidhur me disa të dhëna jo të favorshme për “Conex Group”, të njëjtët i kishte fshehur para dy panelistëve tjerë, të cilat kishin qenë të dhëna kruciale.
Me këtë rast, paneli kishte refuzuar ankesën dhe kishte urdhëruar autoritetin kontraktues për të lidhur kontratë me “Conex Group”. Lidhur me këtë, Muhadri, si ekspert i çështjes, nuk ka verifikuar pretendimet e paraqitura në ankesë lidhur me numrin e punëtorëve të paraqitur në ATK nga “Conex Group” përgjatë viteve 2010, 2011 dhe 2012. Madje, sipas pretendimeve të Prokurorisë, ai ka përpiluar raportin në atë mënyrë që ankesa të refuzohet, duke fshehur disa informata para panelit.
Në anën tjetër, aktakuza e ngarkon edhe Veton Fetahun, pronarin e “Conex Group” dhe Arsim Robellin, kontabilistin e kësaj kompanie. Këta akuzohen se në bashkëkryerje kanë falsifikuar dokumente. Përkatësisht, të dy kanë përpiluar dhe përdorur dokumente të falsifikuara lidhur me kontributet e punëtorëve dhe numrin e tyre të paraqitur në ATK, gjë që ka rezultuar me shpalljen e “Conex Group” si fitues të tenderit në fjalë.
Po ashtu, Veton Fetahu ngarkohet me veprën penale “mashtrim”, e që sipas dispozitivit i njëjti ka fshehur të dhëna, duke mos i paraqitur ato para panelit në mënyrë që të fitoi tenderin.
Fetahu ka bërë marrëveshje për pranimin e fajësisë lidhur me veprat penale për të cilat akuzohet, marrëveshje e cila do të vlejë pas përfundimit të këtij procesi gjyqësor.