16.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Spiunoi bazat e udhëheqësve komunistë, gjykata në 1945 e dënoi me vdekje Ludovik Nikajn

Historia e Ludovik Nikajt, komunistit misterioz që i ofroi shërbimit të fshehtë italian të kuesturës së Shkodrës të dhëna për protagonistët e lëvizjes komuniste në fillim majin e vitit 1942, është unike në llojin e vet. Gazeta “Shqiptare” zbulon sot për herë të parë dokumentet e procesit gjyqësor që u zhvillua ndaj tij në vitin 1945.

Në krye të tyre bëhet me dije se i akuzuari Ludovik, me origjinë nga qyteti i Shkodrës dhe me banim në Tiranë, me profesion elektro-teknik, ka qenë një nga të rinjtë që u bë komunist qysh në orët e para të PKSH. Më datën 2 maj të vitit 1942, ndërsa kishte shkuar në qytetin e Shkodrës së bashku me bashkëshorten, Qefsere Bekaj, u arrestua dhe u dërgua në Kuesturë ku u morë në pyetje për veprimtarinë e tij në radhët e Partisë Komuniste.

Nuk dihet sa kohë ka hezituar të flasë, por në dokumente rezulton se përfundimisht Veroniku ka pranuar të tregojë duke nxjerrë të gjithë emrat e shokëve komunistë, pseudonimet e tyre, krerët e grupeve që vepronin në mënyrë ilegale dhe udhëheqjen kryesore të Partisë Komuniste Shqiptare, celulat e bazat ku ata fshiheshin e strehoheshin, si dhe teknikën e Partisë, si dhe zyrtarët që ata kishin të infiltruar deri në Ministrinë e Punëve të Brendshme, etj..

Pas kësaj, në bazë të një plani të detajuar mirë, sipas të dhënave që morën prej tij, Kuestura filloi goditjet e reprezaljet ndaj grupeve komuniste, duke arrestuar disa prej eksponentëve kryesorë të Partisë, si dhe duke bastisur bazat e tyre, ku gjetën edhe mjaft dokumente me shumë vlerë, të cilat dëshmonin qartë rreth aktivitetit e veprimtarisë subversive të tyre.

Jo rastësisht dokumentet e procesit gjyqësor tradhtinë e Ludovik Nikajt e lidhin me vrasjen e pabesë të Qemal Stafës dhe goditjen e pabesë të disa prej liderëve kryesorë të Partisë që në atë periudhë operonin në Tiranë dhe në Shkodër.

DOKUMENTET

AKTGJYKIMI I LUDOVIK NIKAJT NGA GJYKATA USHTARAKE E KORPUSIT I NË TIRANË

QEVERIJA DEMOKRATIKE SHQIPTARE GJYKATA USHTARAKE E KRAHINËS USHTARAKE TË KORPUSIT TË I TIRANË VDEKJE FASHIZMIT LIRI POPULLIT

AKT-GJYKIM

NË EMËR TË POPULLIT SHQIPTAR

Gjykata Ushtarake e Krahinës Ushtarake të Korpusit I në Tiranë e formuar prej

Kryetar Bilbil Klosi

N/kolonel Antar Ismail Çaushi

Antar Argjir Lipivani

Tue qenë prezent Prokurori Major Gjon Banushi, i asistuem prej sekretarit Mustafa Zaja, sot në datën 15.5.1945 u mblodh për të gjykuar të pandehurin Ludovik Nika, i biri i Gjekës dhe i Shaqes, datëlindje 1921, i lindur në Shkodër, i martuar me Qefsere Beka, pa fëmijë, i padënuar, me arsim dhe Qefserja e bija e Hysen Bekës dhe e Kumes, lindur në Tiranë, vjeç 20 e martuar me të pandehurin Ludovik, banuese në Rrugën “Tafaj” në Tiranë, në bazë të raportit të mbajtur nga Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit, me akuzën e të pandehurit Ludovik, si agjent provokator i fashizmit, tradhtar i PKSH-së, agjent i SIM-it. Gjykata: Mbasi lexoi raportin që ndodhet në dosje: Mbasi mori në pyetje të pandehurit dhe dëgjoi apologjinë e tyre:

Konstatoi se: Më datën 2 maj 1942, i pandehuri Ludovik Nika shkon vullnetarisht në Shkodër, gjoja për punë organizative dhe në realitet sikundër e pohon me gojën e vet, nuk bën asnji punë, por bie në duart e policies, bashkë me të fejuarën e tij. Se që në hetimet e para dhe në presionin ma të vogël që i bëhet nga ana e agjentëve të kuesturës, nuk heziton asnji moment, por tregon gjithçka që din mbi bazat e organizatës dhe mbi shokët udhëheqsa. Ai e pohoi edhe vetë para gjykatës nji pjesë të këtyre arrestimeve si kallzimin e Zef Ndojës e depos që ishte në shtëpinë e tij, kallëzimin e Jovan Bajraktarit, Marije Lezhës dhe Kristo Prokos, kurse zbulimet e tjera kuptohen nga grushti i fortë që fashizmi i dha organizatës, pikërisht pas tradhëtisë së Ludovikut, u arrestuen shokët Koci Xoxe, Lefter Kasneci, Gjystina Sata, Ali Demi, Beqir Minxhozi dhe me rrethimin që u bë në 5 maj 1942, heroit Qemal Stafa.

Se vetë Shërbimi Informativ i okupatorit SIMI, e quan tradhtinë e Ludovikut si një prej zbulimeve më të rëndësishme në Shqipëri, rreth aktivitetit të komunistëve, ku në relacionin thuhej se: Ludovik Nika u paraqit vullnetarisht në kuesturën e Shkodrës dhe bëri tregime me rëndësi shumë të madhe, rreth organizimit të përgjithshëm të shoqërisë subversive (Partisë Komuniste).

Se Ludovik Nika për tradhtinë e tij, atentohet nga komunistët, bash në zyrën e Kuesturës ku qëndronte, se fashistët pas atentatit duke e quajtur të rrezikuar spiunin e tyre të poshtër, e dërgojnë në nji katund në Italinë e Veriut, ku i japin nji rrogë mujore prej 1500 lirash. Se Qefsere Beka, nga adhurimi i tepërt që kishte për burrin e saj, e ndjek këmba këmbës dhe kur rezulton në tradhtinë e lartë të burrit të saj, duke pa dhe atentatin që iu bë, ajo shkon me të në Itali dhe konvertohet në katolike.

Gjykata, duke marrë parasysh gjithë aktivitetin e të pandehurve Ludovik Nika e Qefsere Beka, dhe humbjet që i kanë sjellë lëvizjes Nacional Çlirimtare dhe para saj PKSH-së. Deklaron: Në bazë të neneve 14 e 15 të ligjit nr. 41, mbi funksionimin dhe organizimin e Gjykatave Ushtarake, konform kërkimit të Prokurorisë e cilëson Ludovik Nikën, si kriminel lufte dhe armik i popullit dhe Qefsere Bekën, sipas nenit 15- të apo atij ligji, armike të popullit dhe në mbështetje në nenit 18-të po atij ligji

Vendosi

Ndëshkimin e Ludovik Nikajt, me VDEKJE. Në kundërshtim me pretencën e Prokurorit për Qefsere Bekën e dënon atë me 2 vjet burgim. Ky vendim i shtrohet për shqyrtim pranë Gjykatës së Lartë Ushtarake. Komunikata e Prokurorisë dhe Gjykatës së Lartë Ushtarake në Tiranë, për gjykimin dhe dënimin e Ludovik Nikaj

Tiranë më 15.5.1945

USHTRIA NACIONAL ÇLIRIMTARE SHQIPTARE PROKURORIA E GJYKATËS SË LARTË USHTARAKE VDEKJE FASHIZMIT LIRI POPULLIT KOMUNIKATË GJYKATËS SË NALTË USHTARAKE

Këtu Prokuroria e Gjykatës së Naltë Ushtarake, pasi shqyrtoi aktgjykimin e Gjykatës Ushtarake të Korp. I Nr. 196, datë 15.5.1945, në të cilin është vendosë ndëshkimi i LUDOVIK GJEK NIKA me VDEKJE, në bazë të nenit 14, 15, dhe 18, të ligjit nr. 41 datë 14.1.1945, mbi bazën e funksionimit të Gjykatave Ushtarake

Vëren se

NË FAKT: LUDOVIK GJEK NIKA, kinse për të organizuar rezistencën e popullit, kundër fashizmit, në datën 2 maj 1942, shkon në Shkodër së bashku me të fejuarën e tij, Qefsere Beka, dhe pa kryer asnji punë, bien në duart e policisë ku tregojnë gjithë organizimin e bazave dhe lëvizjes që ishte në strukturë e sipër, tregoi gjithë antarët dhe udhëheqësit e lëvizjes që njifte, spiunoi bazat dhe vendet ku bëheshin mbledhjet, i dha shansin armikut të godiste fort lëvizjen, provokoi që agjentët të kontrollonin shtëpinë e Zef Ndojës dhe të arrestonin këtë të fundit, të arrestoheshin Koçi Xoxe, Lefter Kasneci, Gjystina Sata, Ali Demi, Beqir Minxhozi, etj. Nga spiunimi i tij u rrethua dhe u vra, heroi Qemal Stafa, u kallzua shoku Jovan Bajraktari, etj.

NË TË DREJTË

Veprimtaria e tij është tradhti e naltë, kundër atdheut dhe popullit liridashës, parashikohet dhe ndëshkohet prej neneve 14, 15, dhe 18, të ligjit nr. 41 mbi funksionimin e Gjykatave Ushtarake. Për këto arsye dhe për ato që do të parashtroj në rast verbale në Këshill, është e mendimit që akt gjykimi nr. 196 datë 15.5.1945. të Gjykatës Ushtarake të Korp të I-rë të aprovohet.

Tiranë më 17.5.1945 PROKURORI (Major Myftar Tare)

PROCESI I GJYKIMIT TË LUDOVIK NIKAJ NGA GJYKATA USHTARAKE E KORPUSIT TË I-RË NË TIRANË

USHTRIJA NACIONAL ÇLIRIMTARE SHQIPTARE GJYKATA USHTARAKE E KRAHINËS USHTARAKE TË KORPUSIT TË I-rë TIRANË VDEKJE FASHIZMIT LIRI POPULLIT

PROCES-GJYKIMI Prokuroria pranë kësaj Gjykate i referon këtij gjyqi aktet që i ka dërgue Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit, kundër të pandehurve Ludovik Gjekë Nikës dhe Qefsere Nikë Bekës, për t’u gjykuar për veprimtarinë e tyre tradhtare dhe kriminale sepse, tue qenë anëtar i PKSH-së në datën 2.5.1942, tradhëtoi dhe u dorëzue vullnetarisht tek fashizmi dhe i tregoi SIM-it pranë të cilit u bë agjent gjithçka, mbi lëvizjen që ishte atëherë në organizim e sipër dhe pjestarët e bazat e saj si dhe shoqja e tij, e ka ndjekur këtë duke parë tradhëtinë e tij. Mbasi u regjistrua aktet dhe dita e gjyqit ishte shënue për sot, trupi gjykues u formue prej:

Kryetar Bilbil Klosi N/kolonel, Anëtar Ismail Çaushi, Anëtar Argjir Lipivani

Me pjesëmarrjen e Prokurorit Major Gjon Banushi dhe sekretarit Mustafa Zaja, filloi faqësisht e botënisht. U soll i pandehuri, Ludovik, para gjyqit tue qenë i lirë dhe u vue në vendin e posaçëm.

I pandehur Ludovik Nika, biri i Gjekës dhe i Sheqës, datëlindje 1921, lindur në Shkodër, pa fëmijë, i martue me Qefsere Bekën, i arsimue në shkollën Jezuite në Shkodër. U kënduen aktet dhe shkurtimisht u thanë në parathënie të këtij procesverbali. U pyet i pandehuri mbi akuzën e tha se: kam qenë anëtar i PKSH-së dhe bëja aktivitetin në Tiranë. Kam shkue për punët e Partisë në Shkodër dhe prej andej, do shkoja në katundet e Mirditës, ku kisha shumë miq për propagandë.

Tue ditë se situata ishte bë shumë e rrezikshme, nuk kam mujt me shkue dhe kshu u ktheva në Tiranë. Në fushën e Çelës tek agjensija e Pjetër Çurçisë, më rrethoi policia dhe si të dyshimtë, më kërkuan letërnjoftimin që unë e kisha të ndryshëm, por ia dhashë. Më thanë se për formalitet do të dërgojmë në polici dhe më dërguen në kazermë, në datën 2 maj 1942, ku ka qenë dhe nana ime.

Atje ishte një Xhemal dhe nji i quajtur Nush Doda, që më njofti. Unë i thashë se jam Lutfi Deliu. Ata më goditën dhe më kërkonin pse kisha shkue në Shkodër. Gjendja ime shpirtnore ishte e keqe, ngaqë më fejuen me nji, kundër dëshirës sime dhe më rrëshqitën fjalët tue kallzue për shtëpinë e Zef Ndojës dhe nji bazë, por asnji shok nuk kam tregue. P.P. (pyetje-përgjigje). Pse thotë Simi, mbi tregimet që paskam ba, se nuk është e vërtetë, nuk luftova kur më kapën, se nuk kisha armë. Nuk dij se kush e ka tregue shtëpinë pas Institutit Femënuer. Kam tregue se në shtëpinë e Zef Ndojës, rrijsha vetë dhe nuk kam tregue njeri.

Perlat Rexhepi, më ka qëllue kot, porsa më pas më internuen në Itali. P.P. unë kam pas lidhje me nji Vasil dhe me Jovan Bajraktarin. Dhe pse janë kapur këta, unë nuk e dij me e shpjegue. Siç thashë vetëm shtëpinë e Zef Ndojës, kam tregue kur më pyetën. Depon e Shyqyri Këllezit nuk e dij kush e ka tregue. Unë njifsha dhe shokë të tjerë, por nuk i kam spiunue. Zef Ndoja u kap pas tregimit tem, si dhe e shoqja Marije Lezja. Mue më gjetën fotografinë e saj. Pas arrestimit tim, janë kapur shumë shokë, por jo si flet Simi.

Më Shumë

“Beteja 3” në fundjavë

Fundjava pritet të jetë edhe më e ‘zjarrtë’ në basketbollin e Kosovës. Në këtë fundjavë do të zhvillohen ndeshjet e treta gjysmëfinale të “Play-offit” në...

Policia në Prizren realizon 47 urdhëresa gjyqësore për vepra penale

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren shpalli rezultatin e realizimit tw urdhërave gjyqësore për periudhën kohore 15 prill - 19 prill 2024. "Gjatë kësaj periudhe,...

Lajmet e Fundit