Të rinj dhe të reja, studentë dhe të diplomuar në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, dega e Arteve Muzikore, kanë mbajtur të hënën mbrëma në kryeqytet një koncert solo këndimi, si shenjë mirënjohjeje për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Janë dhjetë solo këngëtarë që kanë marrë pjesë në një program dyjavor në SHBA të financuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, e të cilët kanë vendosur që të mirën që iu ka ofruar atyre nga Qeveria amerikane t’ua kthejnë me të mirë.
Dy nga muzikantët nuk kanë qenë të pranishëm në koncert, por tetë të tjerët, Riad R. Ymeri, Safet Berisha, Kaltrina G. Miftari, Elbenita Kajtazi, Marigona Qerkezi, Donika Rushiti, Gjylnaze Ademaj dhe Shaban Behramaj i kanë ofruar publikut vepra të ndryshme të muzikës klasike.
Gjatë kohës sa të rinjtë kanë interpretuar vepra të ndryshme, në piano ka luajtur profesori i pianos në Fakultetin e Arteve të UP-së, Mizbah Kaçamaku, studenti i Pianos, Meloz Buza si dhe pianistja gjermane, MilenaTotch.
Ndërkaq, në fillim të koncertit, që është mbajtur në hollin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, organizatorja e koncertit, Marigona Qerkezi, ka lexuar fjalën përshëndetëse të profesoreshës së muzikës Dorathy Stone, e cila i ka ushtruar studentët kosovarë gjatë qëndrimit në Amerikë dhe është përkujdesur për ta organizuar koncertin.
“Më vjen keq që nuk mund të jem sonte personalisht e pranishme, pasi që ky bashkëpunim është shumë i afërt dhe i dashur për zemrën time. Asociacioni ndërmjet Campo Doro (universitetit vokal) dhe studentëve të rinj nga Kosova ishte asgjë përveçse një lidhje e hareshme e dashurisë muzikore. Ne të gjithë kemi udhëtuar gjatë një udhëtimi të pasur dhe me përfitim, që na solli në këtë mbrëmje së bashku”, ka thënë Stone në letrën e saj dërguar organizatorëve, transmeton KultPlus.
Në letrën në fjalë, jo ka shkruar poashtu se instituti vokal, CampoDoro është duke zhvilluar dhe festuar artin e të kënduarit në Pensilvaninë Veri-lindore për dhjetë vjet, dhe se ka pasur e poashtu ka mision që të shkëmbejë, trajnojë dhe promovojë dhuratën dhe këmbimin e muzikës vokale në nivelin lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar.
“Me pedagog dhe profesor nga Kalifornia, Nju Jorku, Kanadaja dhe Evropa, dhe studentë nga Minesota, Nju Jorku, Çikago, Oklahama, Kalifornia dhe dhjetë pjesëmarrës të jashtëzakonshëm nga Kosova, misioni dhe idealet tona me të vërtetë filluan të arrihen. Unë iu bashkohen sonte shpirtërisht dhe kam besim që do të shijoni dhe do të përjetoni frutat e punës tonë”, ka shkruar më tutje ajo në letrën që është lexuar para publikut, në fund të së cilës DorathyStone është nënshkruar si kryetare dhe drejtoreshë artistike në Institutin Vokal “CampoPoro”.
Muzikantët që kanë marrë pjesë në programin në SHBA, dhe që kanë kënduar poashtu, e kanë vlerësuar lartë udhëtimin dhe përvojat që kanë marrë gjatë qëndrimit përtej atlantikut.
Njëra prej tyre, sopranoja Marigona Qerkezi, e cila është edhe organizatore e koncertit, ka thënë se gjithçka po bëhet si shenjë falënderimi ndaj Ambasadës Amerikane në Prishtinë, ngase, siç ka thënë ajo, janë ata që e kanë mundësuar udhëtimin e studentëve për në Amerikë.
“Na kanë dhënë mundësi shumë të mirë që të shkojmë të mësojmë, të kemi përvoja shumë të reja në një botë komplet tjetër në Amerikë, për këtë arsye është koncert falënderues por gjithashtu është edhe koncert festiv ngase jemi para festave të fundvitit”, ka the thënë ajo.
Qerkezi ka theksuar se gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përveç tjerash, ka mësuar edhe përvoja që kanë të bëjnë me meditim, të cilat, siç thotë ajo, iu kanë ndihmuar të përparojnë në profesion dhe ta largojnë vëmendjen nga problemet.
“E veçantë ka qenë poashtu mënyra e aktrimit, pikëpamja tjetër si t’i shohim veprat opristike, edhe kemi mësuar edhe shumë gjëra të tjera, kanë qenë dy javë punë të palodhshme të cilat unë tash po i praktikojë dhe po e shoh se kanë qenë shumë të vlefshme”, ka thënë ajo.
Muzikanti Shaban Behramaj, thotë se është kënaqësi e madhe për të që ka qenë pjesë e grupit dhe gjithashtu që është pjesëmarrës në një koncert falënderues për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Sonte është një natë shumë e lumtur për mua, fakti që po kam mundësi ta shprehi krejt atë punë që është bërë në Amerikë, pra me shprehë para publikut kosovar, por njëkohësisht edhe me ia bërë një falënderim Ambasadës Amerikane, Ministrisë së Kulturës dhe profesoreshës në Amerikë që ka dhanë aq shumë për ne”, ka thënë ai.
Behramaj, kujton se qëndrimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ka mësuar gjëra që kurrë më parë si ka ditur, e të cilat kanë të bëjnë direkt me profesionin e tij.
“Atje i kanë kushtuar rëndësi të madhe poashtu edhe lojës, gjë që tek ne nuk ndodhë, pra në Fakultetin e Muzikës, e kam fjalën për lojën me trupin. Ndoshta kjo ka qenë pjesa më atraktive, diçka e re që kemi mësuar dhe e cila të jap shumë në performim”, është shprehur ai.
Pak minuta para se të nis performancën, ky student i muzikës ka treguar se pavarësisht nga kushtet e vështira dhe mungesës së hapësirës në hollin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, para publikut do të jap diçka nga ajo që ka mësuar në Amerikë.
“Për shkak të ndërrimit të sallës, vendi është i papërshtatshëm, prandaj i kemi reduktuar shumë, por unë prapë se prapë e kam një pjesë ku luajmë, e kam duet me Donikën (Donika Rushiti), një marrëdhënie në skenë. Jemi munduar sadopak ta ambientojmë me sallën”, ka nënvizuar ai.