8.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Sylë Hoxha, që tha se Astrit Dehari është vetëvrarë, flet pas ekspertizës zvicerane

Rrethanat e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, në burgun e Prizrenit, mbesin ende jo krejtësisht të qarta. Rasti që fillimisht u cilësua si vetëvrasje, e më pas s’u përjashtua as mundësia e vrasjes, s’është zbardhur tamam ende. Edhe pas 5 viteve rasti vazhdon të hetohet nga ana e palës kosovare.

Të martën, më 12 prill, Prokuroria Speciale e Kosovës ka deklaruar se ka pranuar  raportin e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Llozanë të Zvicrës, më 1 prill të këtij viti për rastin e Astrit  Deharit.

Sipas Speciales në këtë raport nga mjekët zviceranë është thënë se analizat e ADN-së, të marra nga objektet që kanë qenë në kontakt me tashmë të ndjerin, Astrit Deharin, nuk kanë treguar profil tjetër të ADN-së përveçse të vetë të ndjerit.

Pala kosovare ka dërguar për analizë disa nga objektet që janë gjetur në vendin e ngjarjes në ditën kritike (5 nëntor 2016) si brisku i rrojës, stilolapsi i lidhur me një lidhëse këpucësh e një pjesë metali.

“Analizat e ADN-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të ADN-së përveç të atij, Astrit Dehari”, thuhet në raportin e ekspertizës së Llozanës për këtë rast.

Tutje analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit, kanë treguar praninë e kafeines dhe mosprani të etanolit (përbërës i pijeve alkoolike).

“Sa i përket eks-humimit të trupit të të ndjerit nuk ka rekomandim në ekspertizë dhe e njëjta nuk është rekomanduar që të riekzaminohet trupi duke pasur parasysh se sa kohë ka kaluar”, thuhet në njoftim.

Sipas Prokurorisë, raporti është pranuar në gjuhën frënge më 1 prill, ndërsa më 8 prill e kanë pranuar të përkthyer.

“Prokuroria Speciale njofton se raporti i ekspertizës është pranuar në gjuhë frënge dhe më pas është dërguar për përkthim në gjuhë shqipe. Ndërkaq, më datë 08.04.2022, rreth orës 15:30, kemi pranuar raportin e përkthyer në gjuhë shqipe”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Si u konstatua rasti i Astrit Deharit si ‘vetëvrasje’?

Më 18 nëntor të vitit 2016, ishte thirrur një konferencë për media nga ish-prokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha.

Hoxha në po atë ditë kishte bërë deklaratën se të gjitha provat dhe ekzaminimet e kryera gjatë procesit hetimor demonstrojnë që Astrit Dehari ka bërë vetëvrasje.

“Në këtë fazë të hetimeve nuk është gjetur asnjë provë apo dëshmi e mundshme se ka ndonjë ndërhyrje nga faktorët e jashtëm që rezulton me lëndimin apo dëmtimin fizik tani të të ndjerit Astrit Dehari, dhe nuk kemi asnjë person të dyshuar për vepër penale apo që mund të ketë shkaktuar vdekjen. Pra të gjitha provat dhe ekzaminimet e kryera gjatë procesit hetimor demonstrojnë se ky rast ishte vetëvrasje”, ka thënë Hoxha. Pikërisht kjo deklaratë e Hoxhës do të ngjallte reagime të shumta. Për këtë deklaratë ndaj Hoxhës avokati i familjes Dehari kishte ngritur edhe kallëzim penal.

Çka thotë tash ish-prokurori Sylë Hoxha i cili e kishte konstatuar si ‘vetëvrasje’ rastin e Deharit

Gjashtë vjet pas kësaj deklarate, Sylë Hoxha thotë se sulmet në atë kohë i kishte marrë nga politika.

Në një deklaratë për Gazetën Nacionale, ish-prokurori special, Sylë Hoxha, thotë se të gjitha veprimet dhe deklaratat i ka bërë pas një pune hetimore nga akterët e përfshirë në këtë rast.

“Unë atëherë si kryeprokuror i kam marrë të gjitha veprimet e duhura ligjore sa i përket këtij rasti. Me rëndësi është që ekspertiza është vërtetuar se unë nuk e kam maru atë ekspertizë po për të kanë folur njerëzit kompetentë të Institutit Gjyqësor të Kosovës. Njerëzit mund të flasin gjithçka, por nuk ka pasë as atëherë argumente, veç kanë dashtë për interesa të veta me e politizu”, thotë Hoxha për Nacionale.

Ai thotë se ky rast po shfrytëzohet politikisht.

“Me fitu poenë për fat të keq edhe te të vdekurit. Ajo le të mbetet në ndërgjegjen e tyre. Përndryshe, unë i kam dhanë mendimet e mia profesionale atëherë se qysh i kam pasë”, deklaron Hoxha.

Çka thuhej në ekspertizën e parë të ekspertëve zviceranë në vitin 2019?Tetor 2019

Familja e Astrit Deharit që nga fillimi i hetimeve për këtë rast nuk u beson gjetjeve të autoriteteve kosovare. Për ta, djali i tyre, është vrarë.

Hetim për këtë punë kishin kërkuar që të bëhet nga ekspertë të jashtëm, e jo vendorë. 

Andaj ekspertizë mjeko-ligjore për këtë rast ishte bërë tri vjet pas vdekjes së Deharit, në vitin 2019, nga mjekët ligjorë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Llozanë të Zvicres. Në tetor të atij viti, Prokuroria Themelore e Prizrenit kishte publikuar gjetjet. Kjo ekspertizë nuk e përjashtonte as vetëvrasjen, e as vrasjen.

“Ne kemi dyshime që lidhen me rrethanat e vdekjes së z. Astrit DEHARI. Në fakt, hipoteza e një vetëvrasjeje e Astrit DEHARIT përmes mjeteve të caktuara nga mjekët ligjorë, duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në procesin fatal duhet të kihet parasysh. Nga ajo çfarë u tha, ne vlerësojmë se një hetim i ri është i nevojshëm për t’i qartësuar rrethanat e vdekjes së z. Astrit DEHARI. Ekipet tona dhe laboratorët tanë janë në dispozicion të hetuesve të ngarkuar me çështjen”, thuhej në përfundimin e tyre.

E kjo lëndë vetëm disa ditë pas publikimit të këtij raporti kishte kaluar në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Prokuroria Speciale kishte thënë se do të vazhdojë hetimin e këtij rasti dhe do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.

Tri vjet pas ekspertizës së parë, dalin gjetjet e ekspertizës së dytë
Prill 2022

Në ekspertizën e vitit 2019, të përpiluar nga mjekët ligjorë në Llozanë të Zvicrës, nuk përjashtohej as vetëvrasja e as vrasja. Por gati 3 vjet pas ekspertizës së parë, ekspertët zviceran, në tetor të vitit 2021, zbarkojnë në qelinë ku kishte vdekur Astrit Dehari.

Aty, ata kishin bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes duke përpiluar raportin i cili u bë publik në prill të vitit 2022 nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Sipas Prokurorisë, raporti i ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Llozanë të Zvicrës për rastin e Astrit Deharit, konstaton se: Analizat e ADN-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali), nuk kanë treguar profil të ADN-së përveç të atij, Astrit Dehari.

Pas publikimit të këtyre gjetjeve, ka reaguar avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi. Sipas Gashit, Specialja ka publikuar “një komunikatë për media me komente të vetat”.

Tutje, ai ka thënë “Prokuroria Speciale duhet të tregojë të vërtetën – pa manipulime”.

Ai ia ka drejtuar edhe disa pyetje prokurorisë.

“Prokuroria për të mos e manipuluar opinionin do të duhet fillimisht të tregojë se a kanë marrë gjurmë të ADN-së nga të burgosurit që kanë qenë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 05.11.2016, a kanë marrë gjurmë të ADN- së i gjithë stafi i Qendrës së Paraburgimit në Prizren, a kanë marrë gjurmë të ADN-së nga ana e gardianëve dhe policëve të cilët Astrit Deharin e kanë nxjerrë të gjallë – me shenja jete e nga Qendra e Paraburgimit në Prizen dhe të vdekur – pa shenja jete e kanë dërguar në spitalin rajonal të Prizrenit”, ka shkruar Gashi.

Kujtojmë se bashkë me Astrit Deharin, ishin arrestuar katër aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti (v.j. disa prej tyre tashmë nuk i përkasin Lëvizjes Vetëvendosje).

Ata dyshoheshin për sulmin me mjet shpërthyes kundër Kuvendit të Kosovës që kishte ndodhur në mbrëmjen e 4 gushtit të vitit 2016.

https://www.nacionale.com/Lajmet/Ngjarja/-Syle-Hoxha-qe-tha-se-Astrit-Dehari-eshte-vetevrare-flet-per-Nacionalen-pas-ekspertizes-zvicerane-2567

Më Shumë

Siguria në Prizren, vlerësohet e mirë

Drejtori i Policisë Rajonale në Prizren, kolonel Faton Alija, ka pritur në takim Besar Gashin, drejtori i Departamentit për Operative të SHKK nga Drejtoria...

Vetaksident i rëndë trafiku në Prizren (video)

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme në qytetin e Prizrenit, raporton Gazeta Sinjali. Sinjalizues të Sinjalit...

Lajmet e Fundit