Nga Fahri Musliu
GJERGJ KASTRIOTI
Më 28 nëntor të vitit 2019 , kryetari i atëhershëm i komunës, M. Haskuka e përuroj përmendoren e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Të njëjtën ditë u përurua në Qendrën tregtare Abi Çarshia, busti i Adem Jasharit. Të dyja këto punime i përngjanin karikaturës së shëmtuar, siç i pata quajtur atëherë, deformim i pamjes, e jo këtyre figurave të njohura historike. Pas shumë reagimeve të qytetarëve dhe profesionistëve për pamjen, busti i Adem Jasharit u largua nga vendi i ekspozuar . Por përmendorja e krye-heroit kombëtar, punimi i të cilës ka kushtuar 60.000 euro të taksave të qytetarëve, mbeti me atë pamje dhe në atë vend edhe përkundër premtimit të kryetari të atëhershëm se do të zhvendoset në ndonjë lokacion tjetër. Përmendorja madje vazhdon të përdhoset në forma të ndryshme: nuk është e ndriçuar, kurse gjatë festave të Ramazanit e Bajramit në dy shtyllat përpara, lartë, vendosen parulla me Urimin e Ramazanit apo Bajramit në tri gjuhë, edhe pse ka mjaftë vende tjera ku duhet të vendosen këto parulla .

NËNA TEREZE
Muzeu si galeri e arteve! Drastike dhe tallje me nobelisten për paqe, të shenjtën Nënë Terezen, është edhe më drastik. Para 15 vitesh. Ministria e Kulturës kishte marrë vendimi për hapjen e Muzeut të Nënës Tereze në Prizren. Organi kompetent i qytetit e kishte siguruar truallin në krye të Shatërvanit përballë Kishës katolike. Objekti me katin përdhese dhe dy kate tjerë, u pat përfunduar kaherë por nuk ishte funksional. Para dy vitesh MKRS i kishte funksionalizuar objektin dhe, në mënyrë pompoze e me praninë e ministrit të Kulturës të Kosovës, kryetarit të komunës dhe shumë zyrtarëve tjerë, e bënë përurimin.. Atëherë, në katin përdhes ishin vendosur, në mur, ca fotografi e shkrime, dhe asgjë tjetër që duhet të jenë pjesë e muzeut, sidomos të atij me karakter kombëtar. Muzeu gati dy vjet ka qenë jo funksional për vizitor edhe pse për te ishin shpenzuar disa qindra mijëra euro.
Në gusht të këtij viti i quajturi Muze u bë funksional edhe për vizitor, pasi që komuna e Prizrenit kishte lidh kontratë me OJQ “CHwB” për menaxhimin e muzeut.
E njëjta organizatë kishte organizuar, më 3 shtator 2025, shfaqjen e filmit “La Voce” (Zëri) kushtuar jetës së Nënës Tereza, ku rolin e babës së saj, Nikollë Bojaxhiut e luan aktori me famë botërore ,Bekim Fehmiu. Ky film, që është në pronësi të kolesionistit të filmave të Bekimit , Edmond Jusufit u shfaq për herë të parë në Kosovë, dhe në hapësirën ballkanike, pas premierës në Dubrovnik më 1982.
Në shfaqje mori pjesë kryeministri në detyrë Albin Kurti, dy bashkëpunëtor të tij, zv/ministrja e kulturës dhe dy deputet të VV (A.A&A.R.) të cilët pas dhjetë minutash e braktisën sallën. Në shfaqje nuk ishte i pranishëm asnjë zyrtar nga Prizreni, e për habi as përfaqësuesit e Kishës katolike, kurse numri i shikuesve ishte minor, (në sallë nuk ishin as 200 veta) edhe pse organizatori kishte sjell një grupi të të rinjve, të cilët ikën në gjysmë të filmit si dhe disa shikues tjerë. Veprime shumë të papjekursa.
Pas disa ditësh e vizitova Muzeun. Hyra brenda ku ishte një vajzë si zyrtare aty dhe shoh në katin përdhese vetëm fotografi të ndryshme e shkrime të letrave e tjera të Nënën Terezë. U ngjita në katin e parë dhe të dytë dhe pamja ishte e njëjtë: në mure vetëm fotografi dhe shkrime pa asnjë artefakt të saj dhe tëfamiljes.

Zbrita dhe e pyeta atë zyrtaren a është ky muze apo galeri e arteve, duke i thënë si mund të jetë muzeu pa artefakte të Nënës Tereze. Madje si është e mundur që një Muze me vlerë kombëtare të menaxhohet nga një OJQ. Kuptohet ajo nuk kishte përgjigje, pos që më tha se organizata e tyre ka lidhur kontratë me Komunën e Prizrenit për menaxhim.
Dola i zhgënjyer duke pyetur vetën si mund të ndodh kjo maskaradë dhe kjo poshtërsi që i bëhet të shenjtës Nënë Tereze dhe a e dinë këto institucione çka është muzeu, çka përmban ai dhe kush duhet ta menaxhoj. Tek e fundit pse të hapet Muzeu i Nënës Tereze në Prizren kur ai me të gjitha artefaktet e saja e të familjes Bojaxhiu, gjendet në Shkup, 100 km larg Prizrenit. E kujt ide ka qenë kjo dhe për çfarë qëllimi.
Pse këto tallje me figurat madhore kombëtare dhe shpenzim kot i parave të publikut. A duhet dikush të përgjigjet për këto dështime në Prizren, siç është edhe rasti i objektit të Bibliotekës së qytetit që ka mbetur as në qiell as në tokë?!
TURPI KA EMËR!