Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, ka përfunduar rinumërimin e gjysmës së kutive të cilat me vendim të KQZ-së iu nënshtruan këtij procesi. Nëse procesi i rinumërimit të kutive vazhdon me dinamikën e deritanishme, ky proces pritet të përfundoj këtë të mërkurë.
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, vazhdon rinumërimi i kutive, të cilat me vendim të KQZ-së u kthyen në rinumërim. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi tha për Radio Kosovën se QNR ka rinumëruar 220 kuti nga gjithsejtë 439 sa janë identifikuar për ri-numërim.
“Në bazë të raportit të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve deri në mbarim të ditës së diel, janë rinumëruar 220 nga 439 kuti të votimit, të parapara me vendim të KQZ-së, pra gjysma e tyre. Aktualisht në QNR është duke vazhduar procesi i rinumërimit të kutive tjera të votimit sipas një dinamike të paraparë nga kjo qendër”, tha Elezi.
Procesi i rinumërimit të 439 kutive, nisi të premten në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Kjo qendër përgjatë tri ditëve ka arritur të rinumëroj gjysmën e kutive, nëse vazhdohet me këtë dinamikë, ky proces do të përfundoj të mërkurën. Ndryshe, zyrtarë të KQZ-së ditë më parë, deklaruan se shpallja përfundimtare e rezultateve nga zgjedhjet e 8 qershorit, pritet të bëhet brenda 10 ditëve.