Poezia nuk është biznes, as treg marketingu. Poezia shet shumë pak, por jo në rastin e tij. Jazra Khaleed, i lindur në Çeçeni në vitin 1979 por prej shumë kohësh në Greqi, me revistën të cilën e ka themeluar – “Teflon” duket se ka thyer mendimet dhe përceptimet e një pjesë të Greqisë mbi letërsinë.
I ftuar në Festivalin e Letërsisë FLO në Orllan, Khaleed – një djalë i ri zeshkan i cili duket se është modest për të arriturat e tij, për rreth 40 minuta ka treguar pak mbi Greqinë e letërsinë, dhe faktin se në Greqi ndihet si në shtëpi vetëm kur ushtron aktivitete që lidhen me artin e kulturën.
“Kur e kemi themeluar magazinën Teflon – shumë njerëz në Greqi i janë rikthyer letërsisë dhe poezisë. Shumica e kanë parë poezinë si diçka të mërzitshme, që nuk lexohet. Askush nuk donte ta përqafonte faktin se poezia lidhet me jetën. Me magazinën tonë, aktualisht ndër më të lexuarat në Greqi, kemi arritë ti bashkojmë poetët më të mirë” tregon Khaleed.
Është i lidhur me poezinë afrikane, me atë amerikane, dhe mendon se poezia e reperëve që bëjnë hip hop ja vlen të studiohet. Ai vetë për pak ka qenë gati të bënte një temë diplome mbi influencën e këtij zhanri muzikor. Sot, sipas tij, shkrimtarët më të mirë janë reperët, me slangun dhe me kërcimet muzikore e letrare që i shkaktojnë.
“Unë bashkë me ekipin e magazinës TEFLON realizojmë hulumtim mbi poezitë e vendeve të ndryshme nëpër botë, jo vetëm në rajon. Poezia e viteve 60-të, 80-të, poezia gjermane bashkëkohore, gjithçka është shumë interesante për mua” tregon ai.
Sistemin e letërsisë në Greqi e quan të dështuar. Sipas tij, njerëzit me lidhje mund të publikohen në revista, ndërsa të tjerët mbesin si shikuesë të jashtëm të një teatri që është snobist. Shkrimtarët e mirë, shumë prej tyre, mbesin jashtë sistemit.
“TEFLON është krijuar për sjellë autorët e rinj, dhe një mënyrë tjetër pune. Njerëzit që patrullojnë shtetit nuk kanë vend në këtë magazinë letrare” vazhdon Jazra.
Poezitë e tij janë përkthyer edhe në anglisht, japonisht, spanjisht. Pak interesim për të tregohet në Greqi. Mudrooroo dhe Lionel Fogarty janë disa prej autorëve me të cilat ai po merret aktualisht. Ai ka ushtruar edhe boks, sport të cilin e quan si metaforë për artin e të jetuarit. Ka bërë edhe disa filma dokumentarë, të cilët kanë marrë çmime jashtë vendit.
Jazra është i gjithanshëm. Ai thotë se nuk është romantik, sic shpesh përceptohet një autor.
“Në Greqi, qytetarët mendojnë se autorët janë të thjeshtë, të butë, dhe unë nuk kam asgjë kundër këtij mendimi. Por unë jam ndryshe, dhe shumë të tjerë janë ndryshe. Mund të jesh autor dhe agresiv, të flasësh për egërsimin e ditëve” tregon ai.
Autori ka folur pak edhe për Greqinë si shoqëri, për pasurimin e disave dhe varfërimin e shumë të tjerëve.
“Në pesë vitet e fundit, jeta në Greqi është bërë e padurueshme. Po rritet fashizmi dhe njerëzit janë të dëshpëruar me gjithçka. Raportet njerëzore janë në krizë morale, financiare, kulturore. Disa kanë para, dhe e dinë se si i kanë bërë, disa të tjerë kanë mbetur në mëshirën e kalimit të ditëve” pohon autori.
Festivali i Letërisë FLO i cili po mbahet në Orllan është hapur mbrëmë ndërsa sot do të vazhdojë gjatë ditës edhe me aktivitete të tjera letrare.