4.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Thaçi e Daçiq, pajtohen për procesin elektoral në veri

Hashim Thaci me Dacicin 2Ka përfunduar takimi i kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë, i mbajtur sot në Bruksel. Pas përfundimit të takimit të sotëm në Bruksel ndërmjet kryeministrave Thaçi e Daçiq, zyra e baroneshës Catherine Ashton, e cila është ndërmjetësuese e këtyre bisedimeve, ka lëshuar një komunikatë për medie, me qëndrimin e baroneshës Ashton rreth rrjedhës së takimit.

“Pata një takim shumë të mirë me kryeministrin serb Ivica Daçiq dhe kryeministrin kosovar Hashim Thaçi. Jam e lumtur që të dy kryeministrat u pajtuan sot për hapat e mëtutjeshëm në përmbylljen e suksesshme të procesit elektoral në veri të Kosovës”, ka thënë Ashton në qëndrimin e saj pas takimit.

Baronesha Ashton, ka thënë se Autoritetet relevenate në Prishtinë do të vendosin për elementet specifike të këtij procesi. Kryeministrat janë pajtuar që të vazhdojnë të punojnë në implementimin e marrëveshjes së prillit dhe se kanë konfirmuar vullnetin e tyre për të bërë gjithçka që është e për zbatimin e plotë të saj”, citohet të ketë thënë Ashton.

Edhe kryeministri Hashim Thaçi, pas përfundimit të takimit, në konferencën me gazetarë, e ka cilësuar takimin si konstruktiv dhe të suksesshëm.

“Zhvilluam një takim konstruktiv, të suksesshëm. Vlerësuam suksesin evropian të Kosovës në këto zgjedhje, me organizimin e zgjedhjeve në gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe me përfshirjen e të gjitha etniteteve. Tashmë KQZ-ja ka marrë vendimin për rivotim në 3 qendra ku kanë ndodhur incidentet. Pra, ishte konkludim i përbashkët që zgjedhjet e suksesshme të 3 nëntorit kanë legjitimuar marrëveshjen e arritur në Bruksel, për çka realisht është hapur një kapitull i ri – kapitulli evropian edhe për pjesën veriore të Kosovës”, ka deklaruar Thaçi, pas takimit me Daçiqin.

Duke folur për zgjedhjet, kryeministri ka rikujtuar së raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahen në gjithë Kosovën më 1 dhjetor: “Nga 1 dhjetori do t‘i kemi edhe liderët legjitimë edhe në veri dhe Qeveria e Kosovës do të nisë bashkëpunimin e menjëhershëm për të ndryshuar jetën e qytetarëve atje për të mirë, sepse kemi edhe vlefshmëri dhe legalitet të plotë të zgjedhjeve”.

Ndërkaq, për marrëveshjen e arritur për doganat nga ana e dy delegacioneve, atij kosovar dhe delegacionit serb, ka thënë se është pjesë e obligimeve të dala nga Marrëveshja e prillit: “Lajm i mirë ishte dje marrëveshja e arritur për Doganat ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, e cila përfundimisht funksionalizon sistemin doganor të Republikës së Kosovës edhe në veri, si pjesë e obligimeve që kanë dalë nga marrëveshja në Bruksel”.

I pyetur nga gazetarët për datën e mbajtjes së rivotimeve në veri, Thaçi nuk ka saktësuar ndonjë datë, duke theksuar se kjo është kompetencë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Vendimi përfundimtar për datën e rivotimit është në autoritetin e KQZ-së dhe ne do ta mbështesim atë vendim, por, sipas ligjit, rivotimi duhet të jetë para raundit të dytë që do të mbahet më 1 dhjetor, në gjithë Kosovën”, ka deklaruar Thaçi.

Kryeministri serb, Ivica Daçiq deklaroi se bisedimet me Hashim Thaçin dhe baroneshën Ashtonin ishin të suksesshme por tani, sipas tij, është me rëndësi që serbët në Kosovë të dalin në numër sa më të madh në zgjedhjet e përsëritura në veri.

“Nëse mbetet qëndrimi i KQZ-së që zgjedhjet të përsëriten vetëm në tre vendvotime, dhe serbët nga veriu të dalin në numër të kënaqshëm do të kemi shqiptar për kryetar të komunës. Kjo do të shkaktonte konflikt, madje edhe të armatosur dhe në këtë rast Serbia padyshim që s’do të mund të ndihmonte shumë”.

Daçiq shtoi se të tria palët e vlerësuan pozitivisht daljen e serbëve në rundin e parë të zgjedhjeve pavarësisht incidenteve në Mitrovicë.

Në bisedimet e sotme ka marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Takimi i sotëm Thaçi – Daçiq, u zhvillua në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ndërsa temë kyçe ishin zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, me theks të veçantë procesin në veri.

Më Shumë

Kryetari Shaqir Totaj në SHBA afirmon bashkëpunimin e Prizrenit me Amerikën

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka zhvilluar takime me Drejtoreshën e Zyrës së Evropës...

69 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

69 aksidente trafiku kanë ndodhur në 24 orët e fundit në vendin tonë. 27 nga këto aksidente janë me të lënduar, ndërkaq 42 me dëme...

Lajmet e Fundit