Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, gjatë një ceremonie në Prishtinë, ka thënë se gjatë vitit 1999, Hashim Thaçi ishte kokëfortë dhe nuk e dinte që do të bëhej president, siç nuk mendonte Ramush Haradinaj që do të bëhej kryeministër kur mbante trupin e vëllait.
Majko në akademinë solemne “Faleminderit Shqipëri”, ku u përkujtua 20 vjetori i mikpritjes që Shqipëria kishte bërë për popullin e Kosovës gjatë eksodit në vitin 1999, tha se nuk beson që Albin Kurti, në burgun e Serbisë në atë kohë, mendonte që do të vinte një ditë që ai do të përfaqësonte një forcë politike të re dhe do të ishte kandidat për kryeministër të Kosovës.
Ai tha se ka përballë njerëz të cilët janë vet përkufizuar nga ajo periudhë aq prodhuese.
“Kam përball presidentin e Kosovës, i cili në atë kohë besoj që e dite që do të bëhej President i Kosovës, por u vetpërkufizua si përfaqësues i delegacionit të Kosovës dhe aspiratave të saj, kokëfortë si ai, pavarësisht që sot flet shumë për dialogun. Kam përball kryeministrin e Kosovës, luftëtar si ai. Nuk besoj që kur mbante trupin e vëllait mendonte se do të bëhej kryeministër i Kosovës. Kam përball Albin Kurtin. Nuk besoj që në burgun e Serbisë në atë kohë, mendonte që do të vinte një ditë që ai do të përfaqësonte një forcë politike të re dhe do të ishte kandidat për kryeministër të Kosovës. Nuk kemi këtu Ibrahim Rugovën dhe shumë të tjerë që nuk jetojnë, të cilët bën detyrën e tyre, kështu që unë mendoj që ne kemi bërë veç detyrën tonë, ndaj ndihemi mirë por ndihemi edhe keq kur na falënderoni sepse ne jemi vëllai, e vëllai edhe falënderohet edhe nuk falënderohet”, tha ai, duke shtuar se vëllai nga një herë edhe të mërzit dhe prandaj është vëlla, e për këtë arsye duhet ta durojmë njëri-tjetrin./KP/