33.8 C
Prizren
E martë, 16 Korrik, 2024

Thaçi: Koalicion me bazë të gjerë dhe për gjithëpërfshirje

Thaci-qeveriaKryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese do të fillojnë angazhimin për formimin e një koalicioni qeverisës gjithëpërfshirës. Ai ka thënë se askush nuk do të mund t’ia grabitë legjitimitetin qytetarit të Kosovës.
Në një intervistë për “Deutsche Welle”, Thaçi ka thënë formula më e mirë e qeverisjes është respektimi i përcaktimit të qytetarëve për fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës për të krijuar një koalicion me partnerët e saj.

“Aktualisht jemi duke pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Pastaj do të fillojmë angazhimet për një koalicion me bazë të gjerë dhe për gjithë-përfshirje – pra për një bazë sa më të gjerë të subjekteve shqiptare dhe përfshirje gjithë-etnike. Formula më e mirë e qeverisjes është respektimi i përcaktimit të qytetarëve për fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës dhe për krijimin prej saj të një koalicioni me partnerë. Pra duhet krijuar një qeverisje me bazë të fuqishme të legjitimitetit dhe legalitetit. Duhet të vazhdojë qeverisja e mirë, do të vazhdojë beteja kundër ekstremizmit, beteja për rendin dhe ligjin, beteja kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës dhe implemenimin e plotë të “Misionit të Ri”, të prezantuar nga PDK – nga partia fituese e zgjedhjeve të vitit 2014”, ka thënë Thaçi.

I pyetur nëse do të jenë të gatshëm të kalojnë në opozitë, në qoftë se nuk e sigurojnë shumicën e duhur për krijimin e koalicionit qeverisës, Thaçi ka thënë se PDK-ja do të vazhdojë kontratën me qytetarët, falë besimit të fituar nga qytetarët për ndërtimin e institucioneve dhe mekanizmave politikë.

“Koalicioni ynë ka qenë dhe para zgjedhjeve me qytetarët e Kosovës. Edhe pas dy mandateve e kemi fituar legjitimitetin e qytetarëve, gjë që ka ndodhur rrallë me ndonjë parti politike në rajon. Por kjo dëshmon se qytetarët e kanë vlerësuar punën e mirë të PDK-së dhe Qeverisë së Kosovës. Në spektrin politik të Kosovës, PDK-ja është partia më stabile dhe më kredibile, partia e votëbesimit të madh qytetar në vend dhe më e respektuara prej bashkësisë ndërkombëtare. PDK-ja do të vazhdojë kontratën me qytetarët, falë besimit të fituar nga qytetarët për ndërtimin e institucioneve dhe mekanizmave politikë”, është shprehur Thaçi.

Ai ka thënë se institucionet nuk do të ndërtohen mbi mllefe, por duke respektuar në plotni legjitimitetin qytetar.

“Askush nuk do të mund t’ia grabitë legjitimitetin qytetarit të Kosovës”, ka deklaruar Thaçi.

Duke folur rreth arrestimeve të fundit, Thaçi ka thënë se angazhimet e fundit të organeve të sigurisë së Kosovës kanë qenë në përputhje të plotë me agjendën e pakompromis në luftë kundër elementëve ekstremistë të çfarëdo ideologjie, që mund të paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare.

“Së shpejti do ta kalojmë edhe ligjin për njerëzit që marrin pjesë në luftërat jashtë Kosovës. Jemi vendi i parë dhe qeveria e parë në rajon që po e procedon një ligj të tillë, që është edhe një dëshmi se vërtetë jemi të pakompromis në betejën kundër së keqes. Kosova është vend i lirë dhe i pavarur. Orientimi ynë, i të gjitha institucioneve dhe subjekteve politike, është shumë i qartë – orientim euroatlantik. Kosova kurrë, në asnjë fazë dhe në asnjë rrethanë të angazhimeve të veta për liri dhe pavarësi, nuk ka lejuar dhe toleruar elementë të tillë”, ka thënë Thaçi.

Më Shumë

Katër fshatra pa ujë në Prizren

Kompania e Ujësjellësit "Hidroregjioni Jugor" sh.a. – Prizren njofton se për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike nga ana e KEDS-it, në Stacionin e...

Kryetari Totaj priti komandantin e Policisë së Kosovës në Prizren

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, priti sot drejtorin rajonal të Policisë së Kosovës në këtë qytet, kolonel Faton Alija, për të biseduar rreth thellimit të...

Lajmet e Fundit