19.8 C
Prizren
E diel, 8 Shtator, 2024

Thaçi në kërkim të partneritetit

Thaci ne festPartia Demokratike e Kosovës ka dalë fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por mbetet mjaftë sfiduese për të dhe liderin e saj Hashim Thaçi krijimi i qeverisë së re.

Me afërsisht 31 për qind të votave, PDK ka mposhtur partinë rivale Lidhjen Demokratike të Kosovës e cila ka arritur të siguroj afër 26 për qind të votave.

Mirëpo kjo distancë, nuk i siguron Thaçit dhe PDK-së komoditet në krijimin e koalicionit të ardhshëm qeveritar.

Andaj, tani mbetet që pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, Thaçi dhe PDK të kërkojnë një apo dy parti partnere për krijimin e koalicionit.

Partia e deritashme partnere e Thaçit, Aleanca Kosova e Re e afaristit Behxhet Pacolli ka dështuar të kalojë pragun zgjedhor prej pesë për qind, andaj Thaçi duhet t’u kthehet negociatave me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës të Ramush Haradinajt që ka siguruar afër 10 për qind të votave dhe partinë Nisma të Fatmir Limajt e cila ka mbledhur më pak se 6 për qind të votave.

Në koalicionin e ardhshëm do të jenë edhe pakicat si kategori kushtetuese.

Në secilin kombinim ku PDK do të ishte në qeveri, përjashtohet mundësia që aty të jetë edhe Lëvizja Vetëvendosje e cila ka dalë e treta në këto zgjedhje me afër 14 për qind. Koalicionin me PDK-në e ka përjashtuar në vazhdimësi edhe LDK-ja.

Pas votimeve dhe rezultateve preliminare, partitë politike, sidomos AAK dhe Nisma, akoma nuk janë deklaruar qartë rreth pozicioneve të tyre për koalicionet e mundshme dhe se janë në pritje të rezultatit final të zgjedhjeve dhe ndarjes së ulëseve në Kuvend.

Një nga parakushtet për zgjedhje plotësisht të suksesshme është pranimi i rezultatit. Nisur nga ky fakt, zëvendëskryetari i PDK-së, Kadri Veseli u ka bërë thirrje fillimisht të gjitha partive politike që të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve.

“I ftojmë të gjitha partitë që solenisht ta pranojnë rezultatin e zgjedhjeve, rezultatin e votimeve nga qytetarët e Republikës së Kosovës që të mos ketë hidhërime dhe të mos ketë momente të këqija”, është shprehur Veseli.

Pas certifikimit të rezultatit, pritet të thirret edhe mbledhja konstituive e Kuvendit, ku partia fituese zgjedh kryetarin e ri të Parlamentit.

Më pas, presidentja Atifete Jahjaga në bashkëpunim me partinë fituese i jep mandatin kandidatit për kryeministër që në afatin prej 15 ditësh të prezantoj përbërjen e qeverisë së re për miratim para Parlamentit.

Qeveria, mund të formohet me minimum 61 vota të deputetëve, kështu që koalicioni është i pashmangshëm.

Në këtë pikë, Hashim Thaçi mund të përballet me kushtëzimet, qoftë të AAK-së apo partisë Nisma që të heq dorë nga posti i kryeministrit si kusht për arritjen e koalicionit.

Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj, edhe në të kaluarën i kishte vënë kusht Thaçit postin e kryeministrit për arritjen e koalicionit me PDK-në.

Ndërkohë që lideri i partisë Nisma, Fatmir Limaj nuk e ka përjashtuar dhe as mohuar përfshirjen e tij në një koalicion të ardhshëm.

“Ne duhet të shohim certifikimin e rezultatit zgjedhor, se si do të shkoj, çfarë koalicione do të ndërtohen, kush do të ofroj koalicione dhe mbi bazën e kësaj ne do të japim përgjigjen”, ka thënë Limaj.

Ndërsa rezultatet janë thua se definitive dhe pritet që të shpërndahen edhe votat e partive që nuk e kaluan pragun tek ato që do të jenë pjesë e parlamentit, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa nuk ka bërë asnjë koment.

Gjatë fushatës, ai ishte i bindur në fitore. Por, këto zgjedhje i demantuan pritjet e tij dhe LDK-së, që paraqet zhgënjimin e radhës për liderin opozitar pas humbjes së garës për kryetar të Prishtinës gjatë zgjedhjeve lokale të fundvitit të kaluar.

Megjithatë, Isa Mustafa dhe LDK-ja mund ta kenë rastin tyre. Nëse partia fituese dështon që të formoj qeverinë, atëherë presidentja mandaton kandidatin për kryeministër nga partia e dytë e cila po ashtu merr një afat prej 15 ditëve që të propozojë përbërjen e qeverisë para parlamentit.

Në këtë frymë ka qenë të hënën një thirrje përmes rrjetit social Facebook e kryetarit të Prishtinës, i cili vjen nga radhët e Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti, që partitë që dolën të katërtat dhe pestat të mos lidhin koalicion me PDK-në e Thaçit.

Sidoqoftë, gjërat pritet të qartësohen pas certifikimit të rezultatit, ngase dështimi eventual i formimit të qeverisë në dy tentativa do ta qonte Kosovën në zgjedhje të jashtëzakonshme. /REL/

Më Shumë

Ndërron jetë aktori James Darren

Aktori, këngëtari dhe regjisori James Darren ka vdekur në moshën 88-vjeçare. Më i njohur për rolet e tij në filma klasikë dhe shfaqje televizive si...

Himni i Kosovës intonohet në palestrën ‘Serbia’ në Sarajevën Lindore

Xhudistët kosovarë kanë fituar pesë medalje në Kampionatin Ballkanik që u mbajt në Sarajevë në fundjavë. Mirëpo, më shumë bujë se sa medaljet e...

Lajmet e Fundit