11.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Togeri i Policisë në Prizren, Afrim Sylaj, akuzon kolegun për mospërfillje të urdhrit në rastin e të dyshuarve për vjedhjen e çimentos

Togeri i Policisë së Kosovës, Afrim Sylaj, të hënën, gjatë rigjykimit të rreshterit të policisë, Habib Morina, i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ka deklaruar se kolegu i tij, tani i akuzuari, gjatë ditës kritike, ka neglizhuar detyrën e tij zyrtare dhe nuk i ka përfillur urdhrat e tij si zëvendëskomandant i stacionit policor në Suharekë.

Togeri Sylaj ka thënë se gjatë natës kur ka ndodhur rasti ka qenë në shtëpi dhe ka pranuar thirrje telefonike nga kolegët e tij, të cilët e kanë lajmëruar se nuk po veprohet në mënyrë të duhur në një rast të vjedhjes së 39 thasëve të çimentos nga i dyshuari Miftar Papaj.

20180604_133912

Dëshmitari ka thënë se e ka thirrur të akuzuarin, i cili ka qenë shef i ndërrimit dhe e ka urdhëruar që t’u asistojë policëve dhe të njoftojë prokurorin kujdestar për të veprimet e mëtutjeshme, sepse personi i dyshuar ishte i njohur si recidivist, duke marrë një përgjigje pozitive nga i akuzuari.

Mirëpo, sipas këtij dëshmitari, megjithëse gjatë telefonatës i akuzuari Morina ishte pajtuar me atë, sërish në terren nuk ka vepruar sipas urdhrave të tij sepse sërish e kanë njoftuar policët se nuk i ka lejuar të shkojnë ta arrestojnë të dyshuarin dhe ta konfiskojnë çimenton e dyshuar si e vjedhur.

Ai ka thënë se duke e parë mosveprimin e të akuzuarit, ka thirrur togerin Vehbi Bytyqi dhe i ka thënë që i dyshimti të shoqërohet në stacion policor dhe të merret me rastin policët hetues e jo ata të patrullës dhe të dalë krim-teknika në vend të ngjarjes.

Por, sipas këtij dëshmitari, është njoftuar nga policët se i dyshimti është liruar nga i akuzuari Morina, megjithëse ai ishte shoqëruar deri në oborrin e stacionit policor në Suharekë, andaj ai është detyruar ta urdhëroj të nesërmen rreshterin Sadik Bytyqin për të ndërmarrë veprimet hetimore dhe të sekuestrojë mallin e dyshuar si të vjedhur.

Pas përfundimit të dëshmisë nga dëshmitari Sylaj, trupi gjykues, ka vendosur që të kërkohet lista e kujdestarisë për natën kritike, për të përcaktuar se cili prokuror ka qenë kujdestar për të vërtetuar nëse i akuzuari ka biseduar me të, ashtu siç pretendon ai dhe sipas vërejtjeve të Gjykatës së Apelit të shprehura në vendimin për rigjykimin e çështjes.

Kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani, seancën e radhës, në këtë çështje penale, e ka caktuar  për 6 korrik 2018, duke filluar nga ora 10:00.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur ndaj Habib Morinës, të cilin e akuzon se duke vepruar në cilësinë e zyrtarit policor, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare. Sipas aktakuzës, Morina, me qëllim që t’i shkaktojë përfitim material Miftar Papës, ka lejuar që i njëjti të largohet me 39 thasë çimento të vjedhur, me ç’rast i ka shkaktuar dëm Nuhi Bytyqit.

Aktakuza përshkruan se si pala e dëmtuar Nuhi Bytyqi nga Suhareka, kishte lajmëruar rastin në Stacionin Policor të Suharekës, për vjedhjen e 39 thasëve çimento nga oborri i shtëpisë së tij.

Sipas aktakuzës, në të njëjtën kohë, gjatë një pike kontrolli është ndaluar Miftar Papaj, i cili kishte të ngarkuar në automjet 39 thasë çimento, mirëpo rreshteri Morina nuk kishte lejuar që i njëjti të ndalohej dhe të konfiskohej sasia e çimentos së bashku me automjetin.

Përndryshe, i akuzuari Habib Morina, më 29 shtator 2017, ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prizren për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe ishte dënuar me 2 mijë euro gjobë.

Fillimisht, trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Xheladin Osmani, të akuzuarin Morina e kishte dënuar me burgim efektiv prej gjashtë muajsh, por me kërkesë të të akuzuarit, dënimi me burgim prej gjashtë muajsh i ishte zëvendësuar me dënim me gjobë prej 2 mijë euro.

Mirëpo, Gjykata e Apelit duke vendosur sipas ankesës së të akuzuarit Morina, më 30.01.2018, ka vendosur që të anulojë aktgjykimin e shkallës së parë dhe rastin ta kthejë në rishqyrtim dhe rivendosje.

Sipas Apelit, arsyetimi i aktgjykimit ët shkallës së parë është në kundërshtim me përshkrimin faktik nga diapozitivi i aktakuzës, sepse në aktakuzë nuk flitet për mos zbatim të urdhrave nga togeri Afrim Sylaj, i cili po ashtu nuk është dëgjuar për të vërtetuar gjendjen faktike.

Apeli poashtu ka thënë se për të vërtetuar se i akuzuari ka keqpërdorur pozitën e ti zyrtare, duhet të dëshmohet nëse ka pasur apo jo të drejtë të ndërmarrë veprimet që i ka ndërmarrë në natën kritike apo cilat janë veprimet që nuk i ka ndërmarrë, duke i ndërlidhur  me dashjen e tij për të përfituar dikush apo për të dëmtuar dikë./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Ligji i ri i trafikut: Për një muaj policia shqiptoi mbi 36 mijë gjoba

Policia ka bërë të ditur pwr dënimet që janë dhënë më së shpeshti për shkelësit e rregullave në trafik. 27 mijë e tre gjoba janë...

Rahoveci e bën hapin e parë drejt finales

KH Rahoveci e ka bërë hapin e parë drejt finales së plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll. Në “Mizahir Isma”, Rahoveci e mposhti Trepçën...

Lajmet e Fundit