4.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Totaj: Jemi gjeneratë e historisë së madhe

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka uruar të gjithë qytetarët për festën e Pavarësisë së Kosovës.

Sipas tij, kjo ditë erdhi fal luftës së UÇK-së.

Postimi i Totajt

Sot po bëhen 14 vjet nga dita e madhe, dita e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Ditë të cilën e kemi pritur me shekuj, ditë e cila nuk do ishte e mundur pa luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndihmën e miqve dhe aleatëve tanë ndërkombëtar, të cilëve u jemi mirënjohës përjetësisht.

Shumë njerëz kanë luftuar, kanë sakrifikuar, kemi humbur trimat më të mëdhenjë, bijtë tanë, fëmijët e nënave krenare, studentët e profesorët më të zotë, shokë e miq, por nuk jemi dorëzuar asnjëherë, sepse idealet për liri dhe pavarësi na kanë mbajtur përherë ballëhapur para çdo beteje e sfide.

Populli i Kosovës nuk u luhat asnjëherë, nuk e humbën vullnetin, as besimin e as forcën për të kërkuar drejtësinë që na takonte. Besuam në ëndrrën e madhe për liri e pavarësi, prandaj sot duhet të jemi të gjithë shumë krenarë.

Para 14 vitesh, ne të gjithë së bashku, të unifikuar, pa dallime fetare, etnike e politike arritëm që amanetin e dëshmorëve e heronjve tanë ta qojmë në vend, amanetin e atyre që u flijuan, ia falën jetën, gjakun e zemrën kësaj lirie. Pushoni të qetë heronj, në dheun e Kosovës që e deshët shumë, ne u jemi mirënjohës përjetësisht, e kujtimet për ju do i mbajmë në zemrat tona gjithmonë.

Ndër breza shumë njerëz kanë dhënë shumë, që ne ta jetojmë sot lirinë. Ne jemi gjeneratë e historisë së madhe, kemi përjetuar protestat e dhunshme, luftën, dëbimet nga shtëpitë, vrasjet, humbjet, fitoret, lirinë, shpalljen e pavarësisë dhe kemi mundësinë të kontribuojmë në shtetndërtim dhe zhvillim të vendit tonë.

Prandaj mos u ndalni, mos u zhgënjeni, mësoni fëmijët tuaj ta duan këtë vend, të punojnë për këtë vend, të mos e harrojnë historinë por të vazhdojnë para të jetojnë krenarë ne Kosovën tonë të pavarur, që ishte ëndërr e kahmotshme e gjyshërve tanë.

Ne sot fal ëndrrës së pashterrshme e rrugës së pandalshme të popullit tonë jetojmë si një popull i barabartë me gjithë popujt e botës, në një shtet të lirë, të pavarur dhe sovran!
Shteti jonë për 14 vite është zhvilluar shumë, poashtu edhe qyteti jonë, Prizreni. Kemi kaluar faza të rëndësishme tranzicioni, kemi arritur të ndërtojmë sistem të arsimit, shëndetësisë, sistem të drejtësisë, kemi arritur të përmbushim shumë kritere për integrim në familjen europiane, kemi biznese të mëdha e rini të shëndoshë, e mbi të gjitha kemi arritur të krijojmë një ambient të sigurtë dhe trajtim të barabartë për të gjitha komunitetet që jetojnë në vend.

Diversiteti është vlerë e veçantë e shtetit tonë, e akoma më i theksuar në qytetin e Prizrenit.

Por ne kemi akoma shumë sfida që duhet kaluar së bashku, prandaj do të punojmë për Kosovën e Prizrenin sepse këtij vendi i duhet energjia e rinisë sonë, profesionalizmi i gjeneratave që kanë përvojën dhe mbështetja e vazhdueshme e marrëdhëniet e mira me miqtë e aleatët tanë amerikan dhe evropian.

Të mos rreshtim duke punuar, të mos e ndalim hapim drejt rrugës së zhvillimit të vendit tonë, rrugë që u nis nga gjyshërit e baballarët tanë, të kontribuojmë për Kosovën tonë të lirë, me gjithë kapacitetet, dijet e mundësitë që kemi sepse ne jemi me fat që jetojmë në këtë kohë dhe po e shkruajmë historinë e këtij vendi.

Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, dua ta theksoj dhimbjen e madhe që kemi në këtë përvjetor, e që duhet të jetë shtysë akoma më e madhe që të punojmë për Kosovën, mungesa e luftëtarëve të luftës e paqes, mungesa e tyre na e bënë këtë festë gjysmake, mungesa e udhëheqësve të Luftës Çlirimtare të Kosovës është dhimbje për ne, ata po mbahen në Hagë e po i pamundësohet të jetojnë në vendin e tyre, për të cilin luftuan pastër e drejtë.

Jemi me ju dje, sot e përgjithmonë!
Kosova po ju pret!
Qytetarë të vendit tonë,
Rini e dashur, burra e gra të kësaj toke,
Urime 14 vjetori i Pavarësisë së Republikës së Kosovës!
Të bekur qofshi përherë!

Më Shumë

Lajmet e Fundit