8.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Tourenne: Zogu vrau Bajram Currin, Gurakuqin e Avni Rustemin

zogu ahmetMbi varre nisi të bjerë shi, një shi i dendur, që rrihte pjerrtas dhe që më ndoqi deri te pemët, si për të më përzënë. Nxitova deri te makina, duke u mbrojtur me kapelën time. Këmbët më zhyteshin në dheun e butë. Trokitja e shiut mbi makinë u ngjante goditjeve në një tryezë spiritizmi. Të ishte gjuha e të vdekurve? Pesëmbëdhjetë hapa më tej, Ahmet Zogu prehej nën tokë midis dy varreve bosh. Të gjallët janë aq të rrallë në atë fushë të pamasë eshtrash të periferisë parisiene, sa nisa të mendoj se aty të vdekurit vdesin mërzie. Mbi të gjitha kur ndonjë vizitor, nga ata që kanë lënë fantazmat e fishkura të luleve aty-këtu nëpër varre, dëbohen nga furia e elementëve të natyrës. Ties është më shumë se një varrezë, është tashmë një purgator.

Vendosa të kthehem, duke lënë aty të vdekurit dhe mikroklimën e tyre katastrofike. Kyçet e mia më detyronin të shkoja e kridhesha në kolltukun e dhomës së hotelit në Grand Bulevard, por shpirti im nuk është ende në paqe me atë të atij njeriu që prehet nën rrasën gri, ku janë gdhendur armët e Skënderbeut.

Ahmet Zogu u bë President i Republikës më 31 janar 1925, në moshën tridhjetëvjeçare. Një republikë krejt e re, shpallur vetëm dhjetë ditë më parë, një muaj pas kthimit nga mërgimi. Regjimi parlamentar me dy dhoma të zgjedhurish, sikundër në demokracitë e mëdha të qytetëruara, habiti jo pak vetë.

U çudita nga ky dekor republikan, që Zogu e shpalosi brenda pak ditëve, sikundër i zoti i një tende lodrash hap shatorren e tij. Një teatër i ri i stilit shqiptar, i kopjuar sipas modelit francez, në të cilin presidenti i zgjedhur teorikisht për shtatë vjet e ndante vëllazërisht autoritetin me kuvendin dhe senatin. Opozita u çmend fare dhe nisi të ulërijë për mashtrim, pa kuptuar se çfarë e shtynte këtë kryetar fisi të gërryer nga ambicia të paraqitej si një demokrat. E akuzuan se po shkërbente reformat e Nolit për të rreshtuar pas vetes kundërshtarët e djeshëm ose për të ulur vigjilencën e mendjeve të mprehta, duke i dhënë pushtetit të tij një maskë legjitimiteti. Ahmeti, mbi të gjitha dëshironte t’i jepte vendit të tij një model perëndimor, për t’u dukur qoftë edhe në mënyrë të rreme, si një demokraci moderne.

Presidenti e përligji shpejt frikën e atyre që e shanin, ndërmori një sërë spastrimesh që, sipas tij ishin të nevojshme për funksionimin e mirë të shtetit. Opozita u shpartallua, shpata e drejtësisë, jo aq e verbër sa duket, ra mbi ata që kishin vënë bast për kalin e gabuar. Me kostumin e ri të demokratit, prijësi malësor shfaqi të gjithë dhunën e traditës së shqiponjës. Edhe Fan Noli nuk ishte mëdyshur të mbillte tmerr në radhët e zogistëve. Mbase kjo është një natyrë e dytë e shqiptarëve dhe e popujve të Lindjes në tërësi, mania për të spastruar shtetin rregullisht herë pas here, ashtu siç zbrazim radiatorin e makinës.

Zbulova më qartë këtë anë të personazhit, gjë që e kisha pikasur fare pak deri atëherë. Bajram Curri e Luigj Gurakuqi mbetën të vrarë në mars 1925, sepse nuk pranuan të përkulin kurrizin. Në këto ngjarje e sipër mora vesh se edhe reformatori Avni Rustemi, që ishte bërë hero kombëtar pas vrasjes së Esad Toptanit, kishte rënë nën plumbat e një vrasësi, që porosinë nuk mund ta kishte marrë përveçse nga trashëgimtari i Zogollëve. Duhej ta kisha marrë me mend, sepse Esad Toptani ose Esad Pasha, ministër i mbretit pupac Vilhem Vid, ishte daja i Ahmetit. Edhe Flora, që më kishte njohur me të fshehtat e dinastive të vendit, nuk ma kishte zënë kurrë në gojë. Mbase ngaqë i quajturi Esad Pasha gëzonte imazhin e frikshëm të Judës.

Nëse kurrë nuk më pohoi hapur se kishte ekzekutuar Rustemin, Ahmeti nuk më përgënjeshtroi as informacionin e lidhjeve të tij familjare. Pra, siç e donte vendi, ai nuk mund të pranonte që vrasësi i dajës së tij të ulet në Asamblenë Kombëtare pa i hyrë gjemb në këmbë. Kanuni kërkonte vdekjen e Rustemit për vrasjen gjakftohtë të Esad Pashës, kur gjykatat franceze e kishin dënuar me një gjobë qesharake për prishje të rendit publik.
– Kështu pra, edhe ti, – i thashë Ahmetit, – pasi fole për modernizimin e vendit, rende të vësh në jetë Kanunin si një malësor i mirë! Ky huq për t’u vrarë me njëri-tjetrin, në vend që të emërohen gjykatës të denjë…

– E çfarë do ti, – ma ktheu me një buzëqeshje djallëzore, – ti je qytetar amerikan, amerikanët nuk e kuptojnë Shqipërinë.
Ngrita shpatullat. Zogu kurrë nuk bëri përpjekje ta kuptonte mospajtimin tim për gjakmarrjen. Por megjithëse ndihej i lidhur me të, në projektin e përparimit të vendit, Kanuni lihej mënjanë. Zogu u bishtnonte pyetjeve të mia, dredhive ku e tërhiqja, sarkazmës sime kur flisja për Kanunin, sikur të kishte të bënte me një turist të thjeshtë. E dija që në thellësi të tij, mbreti i ardhshëm i shqiptarëve ruante një lloj butësie ndaj kodit të nderit të të parëve të tij.
Me t’u shpallur Kushtetuta, në Tiranë vërshoi Perëndimi. U bëmë thirrje ekspertëve të fushave nga më të ndryshmet si në industri, mbrojtje, bujqësi apo për burimet natyrore.

Thirrëm specialistë, që teorikisht nën kontrollin tonë kishin si rol ta bënin vendin e Skënderbeut të hynte në shekullin e njëzët. Ahmeti nuk donte të humbiste asnjë çast, thua se Përparimi, të cilit Shqipëria i kishte bërë buzë për shekuj me radhë, tani ishte kthyer në çështje jete a vdekjeje. Natyrisht, kritikat nuk reshtnin ndaj hapjes me jashtë, e veçanërisht aleancën me armiqtë jugosllavë, që i kishin mundësuar ardhjen në pushtet. Por koha e opozitës së dhunshme kishte ikur. Spastrimet, të cilat unë i kisha kundërshtuar, kishin qetësuar rrethanat politike.

Që në ditët e para të republikës, Zogu u dha pas shqetësimit të tij të përhershëm: sigurisë. Natyrisht ajo e shtetit, por edhe e vetja. Ai u bë kryekomandant i forcave të armatosura, sado modeste që ishin, të cilave iu kushtua me përparësi, i ndërgjegjshëm se në vitet e ardhshme ato do të ishin mbështetësja e synimeve të tij. Nëse kjo bazë do të tregohej e brishtë, ëndrra jonë shqiptare mund të merrte fund që në përpjekje e parë.
Një mëngjes marsi, Ahmeti më thirri për herë të parë në zyrën e tij. Kjo ngjarje e pa të keq, ka rëndësinë e saj. Deri atë çast miku im i vjetër mjaftohej të zbriste në zyrën time, me një shishe rakie në dorë ose për biseda të ndryshme, midis dy kalërimeve.

Me një buzëqeshje të lehtë u paraqita në zyrën presidenciale, ku shoku im i tavernave më priste ulur në një kolltuk të keq lëkure, marrë në shtëpinë e ndonjë demokrati që ia kishte mbathur jashtë. Kishim porositur kolltukë madhështorë në Itali, po ato po vonoheshin më shumë se sa të kishim porositur një flotë destrojerësh.
– Ja ku më keni, Shkëlqesia Juaj, – ia bëra dhe u përkula pak për t’i bërë qejfin.
– Jam vërtet në hall që të thërras në mënyrë kaq zyrtare, por ti je viktima e parë e funksionit…
U ula mbi divanin ku Ahmeti ç’lodhej nganjëherë midis dy seancave parlamentare dhe sustat e tij kërcitën nën peshën time.
– Çfarë mund të bëj për Shkëlqesinë Tuaj? – e pyeta.
– Për Shkëlqesinë time, ti do të interesohesh pak rreth planeve të atij mikut tënd, Dimitri Anakhin. Do të më pëlqente shumë ta mbaja në ushtri si gjeneral. Ai ka përvojën e luftimeve dhe mbi të gjitha ka aftësinë e jashtëzakonshme të terrorizojë nga ushtari më i thjeshtë e deri te deputetët.
– A ke menduar se emërimi tij do të shkaktojë pështjellim?
– Mbase, por më shumë kam besim te mercenarët që paguajmë me para në dorë sesa te bashkëkombësit e mi që mund të më tradhtojnë kur t’u teket….
Korrupsioni

Ata që nuk i shërbenin askujt, fusnin ryshfetin në xhep dhe mbyllnin sytë para zhvatjeve më të shëmtuara. Kështu shpjegohej që rrugët e Shqipërisë, (që unë rrallë i bëja vetëm) ishin po aq të rrezikshme sa kishin qenë në mesjetë. Çeta banditësh të armatosur bënin ligjin në zona të tëra, pa u ndëshkuar. Kusarët silleshin si zota në trojet e tyre, thernin udhëtarët e vetmuar, zhvishnin tregtarët dhe meqë mërziteshin, kur u vinte rasti përdhunonin vajzat e vogla. Në qershor 1925, pesëqind e dyzet kryetarë fisesh të zonës së Shkodrës, të Dukagjinit e të Dibrës u ftuan në Tiranë, ku presidenti u paraqiti programin e reformave, a thua sikur vërtet ata kishin të drejtën e fjalës në një çështje të tillë. Të padisiplinuarit duartrokitën programin, pa kuptuar çfarë do të sillte ai në të ardhmen dhe u betuan duke dhënë besën. Sa prej tyre mund të kenë dyshuar se zhvillimi i vendit do t’i nxirrte nga strehimet mijëvjeçare dhe rrugët që do të hapeshin e do të kalonin nëpër tokat e tyre mund tua sillnin te dera e shtëpisë forcat e qeverisë? Mbase, ata bajraktarë, flamurmbajtës të një kohe të shkuar, kanë menduar se Zogu i vogël, duke qenë njëri prej tyre, dinte t’i ksuptonte më mirë. /BW/

Më Shumë

Kurti vazhdon ta mbajë banesën 67 metërshe, deklaron 1.551 euro në bankë e kredinë deri në 2052-në

  Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka deklaruar pasurinë e tij në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Kreu i qeverisë ka deklaruar se pasuri të...

Vdekja e 60-vjeçares nga Rahoveci

Mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës raportoi se ka vdekur një grua nga Komuna e Rahovecit pasi e njëjta është rrëzuar nga një lartësi...

Lajmet e Fundit